Shqiptarët u rikthehen fajdeve, marrin para jashtë bankave

Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, theksohet se bizneset dhe individët janë të priur për të marrë hua jashtë tregut bankar, madje edhe me interesa më të larta.

Kjo praktikë ka rikthyer edhe njëherë fajdet në vendin, tonë por duke dhënë alarmin edhe për rritjen e informalitetit të parasë.

Sipas Raportit të Bankës së Shqipërisë, Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit jashtë sistemit bankar.

Më tej theksohet se ka pasur një sërë faktorësh lehtësues nga bankat për standardet e kredisë për biznese në tremujorin e dytë, por pas rezultat.
Lehtësimi i standardeve të kreditimit të bizneseve në tremujorin e dytë të vitit 2017 u realizua kryesisht nëpërmjet uljes së komisioneve dhe uljes së marzhit mesatar.

Ndërkohë, rritja e kërkesave për kolateral është faktor që ka vepruar në kahun shtrëngues.

E njëjta gjë nuk mund të thuhet për kreditë konsumatore, të cilat edhe për 2017-ën kanë vijuar të shënojnë rritje. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2017.

Zgjerimi i kërkesës për kredi nga individët është mbështetur kryesisht nga kërkesa për kredi konsumatore, ndërsa kërkesa për kredi për blerje banese shfaqet pothuajse e pandryshuar. Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.

Lehtësimi i mëtejshëm i standardeve të kredisë së dhënë për individët rezulton të ketë ardhur kryesisht nga rritja e konkurrencës në sektorin bankar, niveli i likuiditetit dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankave.

Nga ana tjetër, gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme dhe kreditë me probleme janë faktorë me ndikim në kahun shtrëngues mbi standardet e kredisë për individët.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne