Sistemi i ri në Turqi, Presidenti Erdogan ia nis punës me NATO-n

Pas rizgjedhjes në krye të shtetit turk me votimet e 24 qershorit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan do të nisë kontaktet jashtë shtetit duke marrë pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s.

Më 11-12 korrik, kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, për herë të parë në shtabin e ri të Aleancës.

Në kuadër të samitit, Erdogani do të ketë takime dhe bisedime dypalëshe me shumë liderë të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior, me në krye Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, atë të Francës, Emmanuel Macron dhe Kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May.

Siç bëjnë të ditur burimet presidenciale turke, pritet që në bisedime të merret në shqyrtim mbështetja e disa shteteve anëtare të NATO-s për YPG-në, fraksion sirian i organizatës separatiste terroriste, PKK.

Ndërkaq, lideri turk parashikohet të realizojë takime të veçanta me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe me Kryetarin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Bashkë me Presidentin Erdogan, në Samitin e Liderëve të NATO-s pritet të marrin pjesë edhe disa emra nga Kabineti i ri i sistemit të qeverisë presidenciale të Turqisë.

Emrat e Kabinetit Qeveritar të ri të Turqisë, të cilët do të shoqërojnë Erdoganin në Bruksel, planifikohet të jenë zëvendëspresidentët, ministri i Punëve të Jashtme, ai i Mbrojtjes Kombëtare, si dhe ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore.

Ndërsa Zonja e Parë, Emine Erdogan, parashikohet të marrë pjesë në programet e organizuara për bashkëshortet e liderëve të pranishëm në Samitin e NATO-s në kryeqytetin belg./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne