/Jani Marka/

“Çështja e gruas nuk mund të ndahet nga çështja klasore, njëlloj si çështja klasore nuk mund të ndahet nga çështja e gruas. Që klasa punëtore të dalë fitimtare, duhet t’u kundërvihemi të gjitha ndarjeve. Betejat e grave dhe betejat klasore janë dy anë të së njëjtës medalje.” – Marie Frederiksen

Nuk dua thjesht të solidarizohem, nga pozita e “privilegjuar” e burrit, me shtypjen e shfrytëzimin e gruas. Dua të solidarizohem si qytetar abstrakt i së ardhmes. E si qytetarë “abstraktë” jemi të gjithë të barabartë. Si qytetarë abstraktë të gjithë, në mos ndonjë i çmendur, do të donim emancipimin e çlirimin grave dhe të mbarë shoqërisë.

A ishin më të emancipuara gratë e Petrogradit 100 vite më parë? Padyshim që jo. A ishin më të shtypura e shfrytëzuara sesa gratë e kohëve të sotme?! Në terma absolutë me siguri që po. Por në terma relativë, në përputhje me kërkesat e kohës, gratë e fasonerive, gratë në fshat, gratë e call center-ave, gratë e papuna, gratë e divorcuara, gratë që i rrisin të vetme fëmijët apo ato që kanë fëmijë të sëmurë sot janë po aq të shtypura e të shfrytëzuara sa edhe gratë e Petrogradit qëmoti. Këtu ka diçka që nuk shkon.

Historia na mëson e tregon se gruaja ka qenë e shtypur dhe e shfrytëzuar për pjesën më të madhe të historisë së të ashtuquajturit civilizim. Nga perspektiva e mendimit të majtë radikal, thelbi i kësaj shtypje buron nga ndarja klasore e shoqërisë, e kulmuar kjo në sistemin kapitalist. Ndërsa nga perspektiva të tjera feministe, shtypja e gruas buron kryesisht nga sundimi i burrit (patriarkati).

E majta radikale e njeh shtypjen e gruas prej burrit, ama nuk e shikon këtë si shkak, por si pasojë të ndarjes klasore dhe funksionimit të familjes monogane edhe si element ekonomik i shoqërisë. Deri në vitet 1970 lëvizja e gruas në shumë shtete të botës perëndimore, e në shumicën e rasteve në kuadër të lëvizjes punëtore, ka njohur përparime të mëdha; të shprehura në normat ligjore si tetorëshi i punës, e drejta e votës, divorci, aborti, paga më të barabarta me burrat, çlirimi i pjesshëm nga punët e shtëpisë etj. Por tashmë, sidomos në kushtet e kapitalizmit neoliberal, këto përparime ose janë zhbërë, ose janë rrugës së zhbërjes, ose nuk janë më domethënëse sikundër ishin një shekull më parë.

Dihet që gruaja e pëson disafish: është e shfrytëzuar në punë mbi mesataren nga pronari, është e shfrytëzuar dhe nënshtruar në shtëpi nga burri, është e shtypur – drejtpërdrejt ose jo – edhe nga shteti dhe është e diskriminuar në përfitimin e të mirave shoqërore. Shtypja, shfrytëzimi dhe diskriminimi i gruas ndodh në çdo cep të globit, por ajo që ndryshon në Shqipëri në krahasim me shumë vende të tjera më të përparuara është ashpërsia e problemit. Në Shqipëri mungon një lëvizje për çlirimin e gruas, mungon një lëvizje punëtore dhe në aspektin kulturor dhe edukues, për shumë gra, sidomos në klasat e poshtme të shoqërisë, janë bërë hapa prapa në krahasim me dekadat e të ashtuquajturit regjim socialist. Problemet në vendin tonë theksohen edhe nga varfëria shoqërore. Në vendet e zhvilluara, për shembull, pabarazia në paga, sado e madhe qoftë, nis nga një dysheme page më e lartë se në Shqipëri. Te ne, të jesh punëtore fasonerie nuk do të thotë vetëm të paguhesh më pak se burrat e punëve të ngjashme, por të kesh vështirësi të nxjerrësh bukën.

Në anën të tjetër, nëse thelbi i shfrytëzimit të gruas – sipas feministëve jomajtistë – do të ishte problem endemik i burrit, atëherë e shikoj shumë të vështirë që gratë ta fitojnë këtë betejë me burrat. Natyrisht jo për shkak të muskujve e testosteronit, por sepse burrat, së pari, përbëjnë rreth 50% të popullsisë, së dyti kanë kontrollin e burimeve ekonomike të familjes dhe së treti pavarësisht këtij kontrolli një pjesë shumë e madhe e tyre janë po ashtu të shfrytëzuar e të shtypur. Ajo që dua të them është se ndryshe nga grupet e tjera sunduese, burrat janë gjini, pra kanë shtrirje masive. Nga ana tjetër, ngjashëm me grupet e tjera sunduese kanë kontrollin e burimeve ekonomike, ndonëse në përmasa shumë herë më të vogla. Mirëpo dallimi kryesor i tyre është fakti që jashtë familjes janë masivisht pjesë e të shfrytëzuarve, çka i lidh potencialisht shumë fort ata me gratë e shfrytëzuara.

Kësisoj, që gruaja ta fitojë këtë betejë frontale me burrat, nuk mund ta bëjë me pushkë dhe as të shpresojë të marrë kontrollin ekonomik brenda familjes pa prekur thelbin e sistemit kapitalist, por kërkon që vetë burrat të emancipohen. Por burrat nuk mund të emancipohen pa plotësuar së pari nevojat e tyre materiale bazike në njërën anë dhe zhdukur sistemin e konkurrencës së ashpër të kapitalizmit në anën tjetër. Konkurrenca sjell shtresëzim brenda vetë të shfrytëzuarve, dhe ky shtresëzim prodhon medoemos diskriminim e shtypje, qofshin këto gjinore, etnike, racore, pra përgjithësisht identitare.

Në anën tjetër, kapitalizmi i përdor ndarjet paramoderne gjinore për të theksuar kundërvënien gjinore. Ai u mundëson burrave të paguhen pak më shumë, çka i mbush me një ndjenjë boshe epërsie. Po ashtu, ai ul kostot e riprodhimit të fuqisë punëtore duke i lënë një pjesë të grave në skllavërinë e punës së papaguar shtëpiake. E nga kjo luftë e të varfërve dhe më të varfërve, e të shtypurve dhe më të shtypurve dhe e të shfrytëzuarve dhe më të shfrytëzuarve, në instancë të fundit nuk fitojnë as burrat e as gratë e klasave të nënrenditura, por burrat dhe gratë e klasave sunduese.

Kush mund të ndihmojë në emancipimin e gruas në Shqipëri? Sindikatat, shteti, OJF-të? Fatkeqësisht sindikatat në Shqipëri janë shumë larg një veprimtarie të mirëfilltë sindikaliste. Madje edhe në ekzistencën e tyre formale drejtohen nga burra dhe s’kanë as minimumin e ndjeshmërisë për çështjet gjinore. Shteti, në anën tjetër, është palë me pronarin dhe ajo që ndonjëherë përmes televizorit duket si ndërhyrje pozitive për çështjen e gruas është shumëfish më pak sesa dëmi që shteti shkakton duke qenë në shërbim të oligarkëve. Ndërsa OJF-të deri më sot nuk kanë pasur sukses të qenësishëm për të përmirësuar jetën e grave në Shqipëri, dhe me gjasë ato as nuk janë të orientuara drejt nga pikëpamja teorike/strategjike në lidhje me këtë çështje. Kështu që mbeten vetë gratë. Jo të gjitha gratë sigurisht. Fundja ka gra, ndonëse pak, të cilat përfitojnë privilegje pikërisht në saje të kësaj ndarjeje klasore që në instancë të fundit i godet gratë e klasave të nënrenditura më shumë se këdo tjetër. Shpresa mbetet te gratë e përfshira në një lëvizje të gjerë shoqërore – ku përfshihen gra e burra punëtorë, në qytet e fshat, të papunë, shitës të vegjël, studentë dhe çdokush që ideali e shtyn përtej përfitimeve në kurriz të të tjerëve.

A kishin shpresë për një botë më të mirë gratë e Petrogradit në 1917 apo gratë në Amerikë pesë dekada më vonë? Sigurisht që po. Po gratë sot në Shqipëri a kanë shpresë për një botë më të mirë? A i frymëzon kush për një vizion të tillë? Shumë më pak. Ndoshta kjo shpresë ka munguar edhe të gratë e Petrogradit përpara revolucionit apo gratë amerikane përpara hovit të lëvizjes për të drejta të barabarta gjinore. Mirëpo në një moment, rrethanat ndryshojnë dhe ajo që dukej e largët papritmas bëhet e afërt.

Sa i takon Shqipërisë, fatkeqësisht, është shumë herët për të kërkuar të pamundurën: çlirimin total të grave. Duhet t’ia fillojmë nga më e thjeshta, nga më e mundura: nga organizimi sindikal, kërkesa për të drejta në punë e më shumë të drejta në shoqëri, për paga më të larta, për trajtim të veçantë për nënat e reja, për trajtim edhe më të veçantë për gratë që rrisin të vetme fëmijët, për programe edukimi për emancipimin e gruas etj.

Si aktivist i Organizatës Politike, më duhet të theksoj se prej vitesh jemi përpjekur t’i qasemi gruas punëtore, gruas së varfër, gruas fshatare, studentes, që studion me shumë sakrifica apo edhe studion edhe punon. Në parim rruga që kemi zgjedhur është e duhura. Mirëpo ecja në të kërkon shumë më tepër aktivistë dhe më të dedikuar në kauzat shoqërore. Si aktivistë, duhet të përpiqemi më shumë, nuk duhet të kujtohemi për gratë vetëm për 8 Mars, duhet të punojmë në mënyrë të përditshme me to, t’i ndihmojmë të organizohen sindikalisht, të sigurojnë mbrojtje ligjore në konfliktet e tyre me pronarët, të organizojmë forume teorike e kulturore, t’u shpërndajmë fletushka kulturore e edukative etj. Natyrisht, edhe solidaritet. Por vetëm solidariteti nuk mjafton.

Shënim:

Radhët e këtij shkrimi janë ndikuar fuqimisht nga leximet e pjesshme të këtyre autoreve: Clara Zetkin, Marie Frederiksen dhe Sharon Smith. Ndër materialet që kam lexuar, citimi i veprës së Engelsit “Origjina e familjes, pronës private dhe shtetit” ka qenë pikë kyçe për sa i përket qasjes teorike.

17