Tensionet mes Riadit dhe Dohas përçajnë Ligën Arabe

Qëndrimet e shteteve anëtarë të Ligës Arabe ndaj tensioneve të fundit në marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Katarit dëshmojnë për mungesën e solidaritetit dhe për përçarjen në radhët e këtyre shteteve.

Nga 22 shtete të Ligës Arabe, vetëm 7 prej tyre pra, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Egjipti, Libia, Mauritania dhe Komoret i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin. Bahrejni dhe Emiratet njihen se vende satelite të Riadit. Maroku, Jordania, Xhibuti, Senegali, Sudani, Gaboni dhe Somalia i kanë reduktuar marrëdhëniet me Dohan në kuadër të një shantazhi të gjithanshëm ndaj Katarit. Duhet theksuar se anëtarët me shumë ndikim në Ligën Arabe si Algjeria, Tunizia, Omani, Kuvajti, Iraku, Siria dhe Libani, jo vetëm që nuk i kanë ndërprerë marrëdhëniet me Katarin, por as nuk kanë pranuar t’i reduktojnë këto marrëdhënie dhe kanë kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut politik. Ky qëndrim i dërgon një mesazh të fuqishëm regjimit të Riadit se vendet arabe nuk i pranojnë politikat agresive të brezit të ri të sundimtarëve sauditë dhe janë të pakënaqur nga politikat tensionuese rajonale që po ndjek Riadi. Ministri i Jashtëm i Katarit deklaroi se vendi i tij preferon diplomacinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Dohas me Arabinë Saudite dhe aleatët e saj, duke theksuar se kurrë nuk do të kishte një zgjidhje ushtarake për krizën. “Ne nuk e shohim një zgjidhje ushtarake si një opsion” për problemin, u tha gazetarëve të enjten në Doha, Sheikh Muhamed bin Abdulrahman Al Thani. Arabia Saudite, Bahrejni, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ndërprenë marrëdhëniet me Katarin të hënën, duke akuzuar Dohan për mbështetjen e terrorizmit dhe destabilizimin e rajonit. Ata gjithashtu pezulluan të gjithë trafikun tokësor, ajror dhe detar me Katarin, larguan diplomatët e tyre nga Doha dhe urdhëruat diplomatët dhe qytetarët e Katarit të largoheshin nga këto vende. Disa vende të tjera të vogla ndoqën shembullin për të ndërprerë ose ulur marrëdhëniet e tyre diplomatike me Dohan. Sheikh Muhamed tha se Katari kurrë nuk e kishte përjetuar këtë lloj armiqësie, madje edhe nga një armik. I pyetur për ndikimin e masave kundër Katarit, ai theksoi se Katari mund të mbijetojë “përgjithmonë”, duke thënë: “Ne nuk jemi gati të dorëzohemi dhe nuk do të jemi kurrë gati të dorëzohemi e të heqim dorë nga pavarësia e politikës sonë të jashtme”. Ai gjithashtu theksoi se thirrjet për një ndryshim në politikën e Katarit ishin të papranueshme, duke shtuar: “Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në politikën tonë të jashtme”. Ministri i Jashtëm i Katarit më tej vuri në dukje se vendi i tij ka qenë i izoluar pasi ai ka qenë “i suksesshëm dhe progresiv”, si dhe “një platformë për paqen dhe jo terrorizmin”. Përçarja midis shteteve arabe të Gjirit Persik “po kërcënon stabilitetin e të gjithë rajonit, shtoi ai. Në deklaratat e tij, Sheikh Muhammed theksoi se vendi i tij nuk ishte i shqetësuar për situatën e ushqimit, duke shtuar se Irani kishte shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në garantimin e furnizimeve ushqimore në Katar dhe për të caktuar tre nga portet e tij për dërgimin e anijeve me produkte të konsumit të gjerë në Katar.

Përveç kësaj, diplomati më i lartë i Katarit akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe për shfrytëzimin e pozitës tregtare si një mjet politik dhe përkujtoi se 40 përqind e energjisë së Emirateve të Bashkuara Arabe varet nga gazi natyror që vjen nga Katari. Ai, megjithatë, siguroi se Katari respekton marrëveshjet e gazit natyral të lëngshëm (LNG) të nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri tha gjithashtu se nuk ka pasur ndryshime në strategjinë ushtarake të Katarit dhe asnjë sektor i ushtrisë nuk është zhvendosur. Duke prekur vendosjen e trupave turke në Katar, ai tha se masa ishte për hir të sigurisë së të gjithë rajonit. Të mërkurën, parlamenti i Turqisë miratoi një vendim për të vendosur trupa ushtarake në një bazë ushtarake turke në Katar./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne