Është e habitshme, por dy nga ngjarjet që nxijnë më shumë në historinë tonë të 75 vjetëve të fundit, kanë ndodhur në zemër të dimrit dhe në zemër të Tiranës. 4 Shkurti na kujton njërën nga masakrat më të rënda e më tronditëse që përjetoi Tirana dhe vendi në kulmin e operacionit armik të dimrit 1943-44, një akt i pastër terrorist, që dallohej nga mënyra mafioze e organizimit, nga egërsia e shfaqur gjatë zbatimit e më në fund nga pasojat që solli e nga zija që mbuloi dhe tmerri që përjetoi kryeqyteti shqiptar, në të ftohtin e paparë të atij viti.

Përfundimi: 84 qytetarë të Tiranës të ekzekutuar në mënyrën me makabre, ndër ta dhe dy italianë e një izraelit, si dhe 500 të tjerë të arrestuar e të masakruar në burgjet e në kampet shfarosëse të ngritura nga gjermanët, shumica e të cilëve nuk u kthyen më, duke iu bashkuar bashkëqytetarëve  të tyre të masakruar më 4 e 28 shkurt.

Rreth 70 vjet më vonë, më 21 janar 2011, rrugët e Tiranës u përgjakën sërish. U vranë katër qytetarë të pafajshëm nga pinjollët e atyre që kryen masakrën e 4 shkurtit. Janë pikërisht ata që aktualisht të pandëshkuar, kundërshtojnë me aq zjarr reformën në drejtësi. Kanë ndryshuar kohët. Nëse xhelatët e 4 shkurtit 1944 në mbarim të luftës ia mbathën jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar ndëshkimit, këta të sotmit të veshur me imunitet deputeti, vazhdojnë t’i sjellin dëme të reja dhe janë gati ta përgjakin sërish Shqipërinë…

Masakra e 4 shkurtit 1944

Po, përse vallë u organizua kjo masakër? Kush ishin organizatorët dhe ekzekutorët e saj? Çfarë i detyroi të bënin atë kasaphanë, çfarë synonin të arrinin përmes saj? Të gjitha këto marrin përgjigje në dokumentet e kohës, që gjenden me bollëk në arkiva, të armikut e të forumeve të LANÇ-it të Tiranës, të pasqyruara dhe në historikun e LANÇ-it të qarkut të Tiranës.

Por, një burim i pa zëvendësueshëm për gjithçka ndodhi atë ditë të mallkuar nga të mallkuarit, janë pamjet e fiksuara në memorien e popullit, të përcjella të gjalla në dhjetëra e qindra rrëfime e tregime të qytetarëve të Tiranës, që panë me sytë e tyre egërsinë e forcave te xhandarmërisë, që komandohej nga Xhelal Staravecka, komandant i kësaj arme, të përberë  nga zogistë të Abaz Kupit, mercenarë nga Kosova, një forcë e verbër, e organizuar nga Xhafer Deva, si dhe ballistë të udhëhequr nga Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit.

Të gjithë  këta “burra zamani e patriotë me nam”, kishin vetëm një preokupim e qëllim, të kënaqnin ndjenjat shtazarake të nazistëve, të zbutnin zemërimin e tyre, duke zbatuar me përpikmëri e zell  të paparë urdhrat e tyre, që në Tiranë të vendosej rregulli që kërkonin autoritetet e pushtimit. Masakra  inkuadrohej në përpjekjet e ethshme që po bënin kudo nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre, për të thyer vullnetin e popujve, për të paralizuar e shuar  Rezistencën Antifashiste, të cilën  në Shqipëri  e përfaqësonte Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar, ku  qenë bashkuar e organizuar patriotë nga i gjithë vendi, pavarësisht përkatësive ideologjike, fetare apo krahinore.

Për këtë qëllim armiku kishte ndërmarrë operacionin e njohur të Dimrit, me të cilin  synohej e shpresohej të likuidohej Ushtria Nacionalçlirimtare dhe të shuhej e asgjësohej Qëndresa Shqiptare. Duke angazhuar forca dhe mjete të shume ushtarake, ndër to dhe reparte të zgjedhura, me përvojë, pjesëmarrës në luftimet në frontin e lindjes, qe llogaritur që kjo punë të përfundonte shpejt.

Mirëpo  kjo nuk ndodhi, rezultatet e dëshiruara  dhe objektivat e planifikuara nuk po shiheshin e nuk po arriheshin, Ushtria dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare jo vetëm nuk u asgjësuan e nuk u shuan, siç qe llogaritur, por radhët e tyre po  shtoheshin e fuqizoheshin nga dita në ditë, duke krijuar panik në radhët e armikut, pasi një zhvillim i tillë paralajmëronte një perspektivë të zymte e pse jo dhe një dështim të shpejtë e  të pashmangshëm të operacionit e  të krejt aventurës gjermane në Shqipëri.

Prof. Xhelal Gjeçovi

Ushtria Nacionalçlirimtare, me mungesa të mëdha por me moral të lartë kishte arritur t`i bëjë ballë me sukses forcës ushtarake të armikut, të neutralizojë epërsinë e tij ushtarake, të përballojë gjithashtu vështirësitë e jashtëzakonshme të dimrit të ashpër të atij viti dhe të rivendose situatën që ishte para fillimit të operacionit. Në analizën që i bënte situatës, faktorëve që vepronin në fushën e luftimit, por edhe në vend, Komanda Ushtarake Gjermane, veçonte  si më kryesorin mbështetjen e popullit dhe Lëvizjen në qytete, që ishte shumë aktive, të cilët, sipas saj, kishin ndikuar e përcaktuar kthesën në zhvillimin e operacionit, pas tre muajve të nisjes së tij.

Prandaj, për të ndalur këtë rrokullisje drejt greminës, ajo vendosi që, krahas vazhdimit të operacionit kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të bëhej njëherësh dhe goditja e lëvizjes në qytete dhe masakrimi e terrorizimi i popullsisë që mbështeste Luftën, e cila vlerësohej si një burim i pashtershëm energjish e fuqish. Në këtë mënyrë, do të arrihej që t`u priteshin rrënjët atyre, për t`i çuar më pas në dështim e në asgjësim total atë. Shembulli i parë i këtij eksperimenti, u vendos të bëhej Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. Dhe jo rastësisht u zgjodh që të goditej më së pari Tirana. Duke goditur Tiranën, armiku shpresonte të likuidonte kështu njërën nga pikat më të forta të qëndresës shqiptare.

Autorët e masakrës

Goditja e Tiranës mendohej se do të shërbente si mësim dhe për qytetet e tjerë të vendit, që edhe ato të hiqnin dorë nga mbështetja për Lëvizjen e për Ushtrinë Partizane. Ngjarjen e paralajmëroi pak ditë para se të ndodhe, vetë kreu i Ballit Mit’hat Frashëri, në një thirrje drejtuar komunistëve, në të cilën, ndër të tjera, thuhej:

“Vëllezër, se akoma vëllezër ju quajmë, lërini armët dhe hiqni dorë nga lufta, se vendi sot ka nevojë për qetësi e për rregull, e jo për luftë, ani  se ndodhet nën okupacion, se gjermanët kanë ardhë nga halli dhe janë përkohësisht këtu. Ejani të bisedojmë që të arrijmë këtë, se nuk kemi rrugë tjetër”.

Po përse vallë ishte i shqetësuar Mit’hat beu, përse  kërkonte që të ndalej medoemos lufta kundër okupatorit? Kjo do behej e qarte ne vijim. Oficeri anglez Xhulian Emeri ka shkruar se thirrja ishte një përpjekje e kreut të Ballit që t`u vijë në ndihmë gjermanëve në situatën e vështirë që kalonin. Më tej populli do të mësojë se në krye të shtabit për organizimin e masakrës ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në gjyqin e zhvilluar pas lufte kundër zyrtarëve të lartë të regjimit kusling, pyetjes, nëse Mit’hat Frashëri ishte dakord për goditjen e Tiranës, njeri nga ministrat kabinetit Mitrovica, iu përgjigj se “pa Mit’hatin, pa miratimin e tij, asgjë nuk behej” Pjesëmarrjen, sipas tij, ai e kish pranuar edhe vetë. Në fakt, Komanda e Përgjithshme Gjermane kishte vendosur që aksioni të kryhej nga forcat nacionaliste, kurse, në mbështetje të tyre, do të qëndronin repartet naziste. Aksioni do të ishte një provë dhe për nacionalistët. Komanda gjermane ishte e pa kënaqur nga gjendja në radhët e tyre, pasi deri tani ishin treguar të shthurur e të paaftë në përballjen me forcat komuniste. Aksioni mendohej se do të shërbente për t`i  nxjerrë nga  plogështia, për t`i  gjallëruar e aktivizuar në luftime kundër forcave partizane. Nga ana tjetër, duke i konfrontuar me popullin e duke i komprometuar në një vepër  të tillë mizore, siç ishte përgjakja e Tiranes, ata do të diskreditoheshin akoma më shumë në popull, për rrjedhojë do të lidheshin më fortë me regjimin e okupacionit.

Për të qartësuar objektivat dhe për të përcaktuar masat organizative që do të merreshin, në kuadër të përgatitjes së aksionit, në mesin e janarit, në zyrën e kryeministrit Mitrovica, do të organizohej një mbledhje, ku mori  pjesë dhe H. Lange, oficer madhor i Gestapos, përfaqësues i Hitlerit në Shqipëri. Nga radhët e nacionalistëve morën pjesë Xhafer Deva, ministër i brendshëm, Qazim Mulleti, prefekt i Tiranes, Kadri Cakrani, komandant i forcave  te Ballit, Xhelal Staravecka, komandant i  Xhandarmerisë etj. Në mbledhje u hartua skenari ogurzi i goditjes së Tiranës në natën e 3-4 shkurtit. Operacioni do të drejtohej nga Xhafer Deva, njeriu më i besuar i gjermanëve, i cili së bashku me Kadri Cakranin, do të mbanin lidhje të drejtpërdrejt dhe do të informonin për gjithçka Komandantin e Korparmatës 21 gjermane, që kishte selinë në hotel ‘Dajti’, si dhe Mit’hat Frashërin e Hasan Dostin, udhëheqës të Ballit Kombëtar.

Për të justifikuar aksionin do të sajohej një ngjarje e hidhur, e inskenuar nga organizatorët e masakrës. Në pasditen e datës 3 shkurt, u arrestuan dhe u ekzekutuan në mes të rrugës katër qytetarë të Tiranës, (fiks aq sa u vranë më 21 janar 2011 nga pinjollët e sotëm të ballistëve të dikurshëm) që nuk kishin të bënin fare me atentatet që gjasme do të kryheshin nga komunistët.

Në fakt sajesa të tilla, gjermanët i kishin në stilin e tyre. Vetëm një dekadë para 4 shkurtit 44, ata i vunë zjarrin  Rajshtagut në Berlin, me qëllim që kjo ngjarje të përdorej për të justifikuar ndjekjet dhe ekzekutimet ndaj komunistëve dhe antifashistëve në Gjermani e në vendet e tjera, përfshi  dhe izraelitët. Këtë lojë  po bënin  edhe tani. Sipas njoftimit të dhënë nga autoritetet ushtarake, “Në pasditen e 3 shkurtit, komunistët paskëshin planifikuar të kryenin atentate kundër Xhafer Devës, Kadri Cakranit dhe udhëheqësve të tjerë nacionaliste”.

Kurse, Komanda e Korparmatës XXI, në raportin ditor, të datës 3 shkurt 44 shënonte se, në përgjigje të këtij zhvillimi, “grupet nacionaliste kanë  ndërmend të bëjnë sonte një kundëraksion”. Në raport u kërkohej  trupave gjermane që “të viheshin në gatishmëri, në pikat e tyre të përqendrimit, por të mos marrin pjesë në “konflikt” (Arkivi i Institutit te Historisë, Dokumente ushtarake gjermane. Korparmata XXI  Malore. T.314-662). Kësisoj, aksioni tashmë kishte nisur. Në errësirën e natës së ftohtë të 3-4 shkurtit, forcat  e angazhuara në aksion, me listat e njerëzve që do të ekzekutoheshin në dorë, të cilat qenë përgatitur në zyrat e Gestapos, me klithma e britma si kafshët e egra, duke zbrazur armë e duke goditur me kondakët e pushkëve, shqyenin dyert e shtëpive, nxirrnin zvarrë burrat dhe djemtë, i ekzekutonin në sy të familjarëve, të grave e të fëmijëve dhe i hidhnin në vijat e ujërave. Një skenë e llahtarshme, e paparë dhe e pa imagjinuar.

Dëgjoheshin vetëm të qarat e grave e fëmijëve, që përpiqeshin të mbanin njëri tjetrin, tek shihnin të dashurit e tyre që tërhiqeshin zvarre dhe ekzekutoheshin në sytë e tyre. Dhembja ishte e rëndë, tepër e rëndë, por në një kuptim dhe epike. Epizmi shihej në qëndresën shembullore të qytetarëve të Tiranës, e në radhë të parë të ekzekutuarve e të arrestuarve, të familjarëve të tyre, tek urrejtja për autorët e kësaj gjëme, një urrejtje që shihej në tërë qenien e qëndrimin e tyre burrëror.

Në këtë mënyrë po shfaqej dhe ana tjetër e ngjarjes. Populli e po shihte me sytë e tij se kush ishin gjermanët që nacionalistët i paraqisnin si miq të shqiptarëve; kush ishin dhe ballistët e nacionalistët e tjerë, që pa pikë qederi masakronin dhe ekzekutonin qytetarët e pafajshëm.

Të nesërmen e ngjarjes, në qytet ra heshtja, një heshtje e frikshme, një heshtje varri, që të tmerronte. Njerëzit e shokuar pyesnin njeri-tjetrin, përse ndodhi kjo kasaphanë. Ata nuk donin t`u besonin syve, kur panë në krye të bandave mafioze që kryen krimin, ballistë e nacionalistë të tjerë, u shastisën kur morën vesh që, veç Devës, qëndrimet e të cilit njiheshin me kohë, në krye të operacionit qenë venë dhe bashkëpunëtorët e Mit’hat Frashërit, Kadri Cakrani, Osman Kazazi, Xhelal Staravecka etj.

Gjysmë shekulli më vonë, në gjysmën e parë të viteve 1990, Osman Kazazit, do t’i ngrihej bust mu pranë qendrës së Tiranës. Ia ngritën ata që do të përgjaknin bulevardin e madh të Tiranës më 21 janar 2011. Ata që nuk kanë reshtur së hedhuri baltë mbi luftën antifashiste nacionalçlirimtare, që kanë ngritur në piedestale dhe kanë dekoruar pambarimisht antiheronjtë dhe bashkëpunëtorët e regjur të fashistëve. Ia ngritën ata që i hoqën emrin rrugës  “Dëshmorët e 4 shkurtit” për t’ia vënë një pinjolli të Xhaferr Devës…

E, si mund t`u besojmë ne këtyre? Për çfarë demokracie mund të flasin ata që na vranë e na masakruan?, pyesnin atëherë 74 vite më parë, pyesin edhe sot e kësaj dite qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

Por le të kthehemi edhe një herë te 4 shkurti 1944.

Gazeta “Bashkimi i Kombit”, që nxirrej nga një grusht kolaboracionistësh, në numrin e datës 4 shkurt 1944, në artikullin “Gjaku don gjak”, ndër të tjera, thuhej se ”Për të rivendosur qetësinë duhet përdorë terrori. Në këto çaste vendimtare nuk shikohen mjetet, shihen vetëm qëllimet. Një ditë terror siguron dhjete vjet qetësi”. Por, pasi e përgjakën Tiranën, kolaboracionistët shqiptarë a e siguruan qetësinë që kërkonin, për vete e për gjermanët?. Shpejt do të shihej e do të bindeshin, se llogaritë qenë bërë gabim, pasi ajo nuk u siguroi as dhe një ditë qetësi, madje ajo u kthye në një  bumerang për ta. Populli i  kryeqytetit dhe forumet e LANÇ-it, do t`u jepnin menjëherë përgjigjen që meritonin.

Po atë dite, në  mëngjesin e 4 shkurtit, Gogo Nushi, Sekretar Politik i Qarkorit te Tiranës, pa pyetur për rreziqet  e shumta që ishin ende prezente, doli vetë në rrugët e Tiranës, mori kontakt e ngushëlloi  disa nga  familjarët e të vrarëve e të arrestuarve dhe bëri takime me kuadro e aktivistët e LANÇ-it, duke iu  përcjellë atyre mbështetjen e PKSH e të Enver Hoxhës dhe duke i siguruar se të rënët e kësaj dite të zezë, do të përkujtohen e nderohen gjithmonë nga populli, ndërkohë që autoret e masakrës i pret ndëshkimi  i shpejtë e i merituar.

Dita e lirisë dhe bashkë me të dhe ajo e hakmarrjes po vjen. Po atë dite, Komiteti Qarkor i PKSH për Tiranën shpërndau një trakt, në të cilin i bëhej thirrje popullit që “të mbledhë forcat dhe  të vazhdojë, si deri tani, me  vendosmëri të patundur luftën e nisur, pasi vetëm lufta krijon Shqipërinë e lirë dhe indipendente”. Në përgjigje të Thirrjes populli i Tiranës shtërngoi edhe me shume radhët rreth Frontit Nacionalçlirimtar, mbushi repartet partizane me bijtë e bijat më të mirë dhe shumëfishoi angazhimin në luftë, duke e shndërruar Tiranën, në njërën nga zonat më të ndezura të LANÇ-it, shembull frymëzimi për të gjithë vendin. Kjo ishte përgjigja që populli i kryeqytetit u jepte nazistëve dhe kolaboracionistëve.

74 vjet më pas

Kanë kaluar 74 vjet nga kjo ngjaje, por interesimi, dhimbja e bashkë me të dhe kujtimi e nderimi për të masakruarit, dëshmorët e atdheut vazhdon të jetë si atëherë kur ndodhi ngjarja, jo vetëm për familjarët e të rënëve, por dhe për popullin e Tiranës dhe të gjithë vendit.

Po a janë nxjerrë vallë mësimet e duhura nga kjo e ngjarje e të tjera si kjo, nga autorët e masakrës dhe pasardhësit e tyre. A ka ndonjë reflektim nga këta, a ju ka shkuar ndonjëherë mendja se duhet të kërkojnë falje, ashtu siç e kërkojnë, me të drejtë këtë nga regjimi komunist për të persekutuarit e tij?

Çdo përvjetor të çlirimit të Tiranës, ballistët dhe trashëgimtarët e tyre, përkujtojnë me zhurmë viktimat e terrorit komunist, të vrarët në ditët që luftohej për çlirimin e Tiranës, duke servirur dhe lista të hartuara nga historianët e tyre. Në to ka dhe nga ata që njihen për ndjenjat e simpatitë për gjermanët e për gurët që s`lanë pa lëvizur për t’u ardhur në ndihmë, duke bërë çmos që të pengohej përparimi i forcave partizane dhe përfundimi i luftimeve për çlirimin e Tiranës. Megjithatë, unë them se nuk bëjnë keq që i përkutojnë të dashurit e tyre, edhe ashtu siç ishin. Por, si nuk u ka vajtur në mendje, të paktën një herë, që të nderojnë dhe te masakruarit e 4 shkurtit.

A thua ata s`e meritojnë të nderohen e të përkujtohen, e pse jo t`u kërkohet dhe falje pasi dihet që ekzekutorët e tyre janë dhe nga radhët e ballisteve e të kolaboracionistëve të tjerë, të cilët siç shkruan autori italian Dela Roka, kryen krime që nuk kishin guxuar t`i bënin as gjermanët. A thua të masakruarit e 4 shkurtit nuk ishin shqiptarë, nuk ishin patriotë e antifashistë, që sakrifikuan çdo gjë për vendin e tyre, për ta parë atë të lirë e të pavarur?

Unë nuk e di se ku e gjejnë kurajën që përpiqen të bëjnë të zezën të bardhë e anasjelltas, duke i  paraqitur vrasësit e 4 shkurtit si njerëz paqësorë, demokratë, luftëtarë kundër diktaturës(!).”O temporal, o mores”, do të thoshte Dritëro Agolli. Kushedi çfarë ndjenje u  krijohet  familjarëve të masakruarve të 4 shkurtit, kur në vend të një përmendoreje që duhet të ishte ngritur me kohë në nderim të tyre, në qendër të Tiranë, shohin shtatoren e Osman Kazazit, njërit nder organizatorët e masakrës dhe pjesëmarrës direkt në vrasjet e 4 shkurtit. Për ironi  të fatit, të kohëve që jetojmë, edhe emri i rruges “4 Shkurti”, një rrugë me histori të veçantë, me ardhjen e Lulzim Bashës në krye  të Bashkisë së Tiranës u hoq.

Këtë e ka bërë politika e mbrapshtë e PD dhe e Sali Berishës, qe sa herë ua do interesi, luajnë me të rënët, duke ulur njërin e ngritur tjetrin. Është pikërisht ajo politikë dhe ky person që i ka sjellë aq shumë të zeza popullit shqiptar në 27 vitet e fundit…

 

Konkluzion

Si më 4 shkurt 1944, ashtu dhe më 21 janar 2011, masakrat që ndodhën kanë vetëm një emër: Terrorizëm! Dhe ata që i kryen këto barbarizma nuk mund të quhen ndryshe veçse Terroristë! Ndëshkimi dhe turpi për këta terroristë është i pashmangshëm dhe i përjetshëm.

Ngjarja  që përjetoi Tirana 74 vjet më parë, siç u tha dhe me lartë, është e do  të jetë  gjithnjë e gjallë në kujtesën e shqiptareve, sepse gjaku  i te masakruarve me 4 shkurt, (por edhe i atyre që u vranë më 21 janar 2011) gjaku i dëshmorëve të atdheut, që dhanë jetën për lirinë e pavarësinë e vendit të tyre, nuk mund të harrohet.

Por 4 shkurti  nuk  përkujtohet për të ngjallur ndjenja urrejtjeje për askënd. Forcat e se shkuarës, të të gjithë krahëve, e jetuan kohën e tyre dhe e bënë punën e tyre, ashtu siç e mendonin. Sot vendi ka nevoje për paqe sociale, për bashkim e angazhim te te gjithë forcave,të gjithë njerëzve, pa dallim, për te zgjidhur problemet që preokupojnë shoqërinë shqiptare. Në këtë mënyrë, e shkuara jeton e ndihmon për të kuptuar të tashmen, por dhe për te projektuar e ndërtuar të ardhmen, ashtu siç dëshironin të masakruarit e 4 shkurtit e të 21 janarit, përgjithësisht dëshmorët e atdheut, të rënët në çdo kohë e në çdo cep të vendit, gjaku dhe sakrificat e të cilëve do të frymëzojnë gjeneratat e reja, që të punojnë pa u lodhur për të përmirësuar jetën e familjeve të tyre, për të forcuar e  begatuar vendin, për një të ardhme më të mirë. E për këtë është e domosdoshme të funksionojë drejtësia, për të cilën po flitet aq shumë.

Xhelal Gjeçovi

 

57