Rajoni

Thaçi i pakënaqur në samitin e Berlinit: Asnjë vendim i guximshëm, deri tani vetëm premtime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur i pa kënaqur me atë se çfarë ndodhi në Samitin e Berlinit. Thaçi theksoi se në këtë Samit nuk u mor një vendim i guximshëm nga Merkel apo Macron, po u mbyll me premtime abstrakte. Këto deklarata që nuk pasqyrojnë situatën reale politike në rajon, sipas kreut të Kosovës, nuk ndihmojnë për të marrë vendime të guximshme nga shtetet e rajonit.

“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare.

Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë.

Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen”, – shkruan Thaçi.

OPINIONE