“Trashëgoi një rrëmujë të vërtetë. Tani Theresa May kërkon të shkatërrojë laburistët”

Flet ideologu i “Rrugës së tretë”, Anthony Giddens

“Theresa May do të shkojë në zgjedhje për të shkatërruar laburistët dhe për t’u ndjerë e lirë për një Brexit të fortë. Por nuk është e thënë të përfundojë kështu”. Ky është mendimi i Anthony Giddens, sociologu i Rrugës së Tretë, kthesa reformuese që solli qendrën e majtë në pushtet në të gjithë Evropën e viteve ’90, ish drejtor i London School of Economics, tashmë anëtar i Dhomës së Lordëve.

Cili ishte reagimi juaj i parë pas lajmërimit të zgjedhjeve të parakohshme, profesor Giddens?

U befasova, madje u trondita. Theresa May kishte përsëritur vazhdimisht që nuk do të kishte zgjedhje të parakohshme, dhe që gjithësesi do të shkonim në zgjedhje vetëm në vitin 2020. Eshtë e pabesueshme lehtësia me të cilën politikanët i bien ndesh atyre që thonë. Të shohim nëse kryeministres do ia falin këtë gjë, apo do të detyrohet që të pendohet.

Pse mendoni që e bëri këtë zgjedhje?

Për tre arsye. E para është se, praktikisht ajo është kryeministre pa mandat popullor. Mori vendin e David Cameronit korrikun e kaluar, pasi Cameroni i la trashëgimi asaj dhe të gjithëve ne, rrëmujën e Brexitit. Thirrja e zgjedhjeve është një mënyrë për të përftuar legjitimitet, si brenda vendit edhe në negociatat me BE për Brexit. Arsyeja e dytë është se Cameroni ka lënë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Ulët, ndërkohë që në Dhomën e Lordëve është në pakicë, aq më hsmë për Brexit, siç u pa në një betejë të fundit parlamentare. Nëse May fiton zgjedhjet dhe forcon në mënyrë të konsiderueshme shumicën e saj, nuk ka pse të ketë më kufizime në rrugën për miratimin e Brexit, ose më saktë, “hard Brexit” që duket se ajo ka në mendje, me daljen nga unioni politik, tregu i përbashkët, bashkimi doganor, pra nga gjithçka. Dhe arsyeja e tretë është se ka një avantazh stratosferik në sondazhe ndaj laburistëve të Jeremy Corbin. Do ketë menduar që ky është momenti i duhur për të shkatërruar partinë laburiste.

Theresa May thotë se vendi është i bashkuar për Brexit, por pallati i politikës është i përçarë, dhe si pasojë është e detyruar të hskojë në zgjedhje.

Një pohim që nuk ka kuptim, as prova. Nuk më duket aspak që vendi është i bashkuar. Mbetet i ndarë pothuaj përgjysmë, siç doli dhe nga votimi 52 me 48 përqind, që vendosi për Brexit në referendum. Dhe është e mundur që pak a shumë e njëjta ndarje të dalë nga zgjedhjet e parakohshme.

Corbyn nuk ka asnjë mundësi për të fituar?

E vështirë të mendosh që Corbyn mund të bëhet kryeministër. Por jo e pamundur. Zgjedhjet e parakohshme u japin një shans zgjedhësve filoeuropianë, që në referendum votuan për të qëndruar në BE, për të shprehur zemërimin e tyre kundër Brexit. Dhe ka njerëz që kanë votuar për Brexit, por nuk janë dakord me “hard Brexit” që kërkon May. Nëse laburistët dhe liberal demokratët do të bien dakord, mund t’u marrin vende konservatorëve. Në Skoci dhe Irlandën e Veriut, indipendentistët do të votojnë kundër qeverisë së Londrës. Pra, zgjedhjet kanë një element paparashikueshmërie.

Çfarë tjetër mund ta influencojë votimin?

Skenari ndërkombëtar. Dhe pjesëmarrja në votime. Paralajmërohet një lodhje nga zgjedhjet: në Britaninë e madhe, kemi patur prej vitesh një palë zgjedhje cdo tre vjet, mes atyre europiane, politike, referendumin dhe kjo është e katërta herë. Eshtë një “neverendum”, një referendum i pafund. Edhe kjo mund të ndikojë tek rezultati. / La Repubblica – Në shqip nga bota.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne