Tre dimensionet e kapitalizmit kombëtar arab

nga Ergün Yıldırım.

Pas rënies së Perandorisë Osmane dhe tërheqjes graduale të Britanisë dhe Francës nga Lindja e Mesme, rajoni i Gjirit filloi të qeveriset nga një rend politik monarkik. Ky trend u shoqërua me një seri revolucionesh ushtarake dhe me ngritje ideologjish të reja në rajon dhe më gjerë. Kështu u krijua një rend i ri në Lindjen e Mesme, bazuar në revolucione, ideologji dhe figura politike. Kjo ideologji u quajt socializmi kombëtar arab.

Partia Arabe Bath, e cila promovoi socializmin kombëtar arab, u themelua në vitin 1947 nga filozofët e arsimuar me edukim francez, Michel Aflaq dhe Salah al-Din al-Bitar. Më vonë partia u quajt Partia Socialiste Bathiste Arabe dhe tërhoqi një numër të madh arabësh intelektualë nga Siria, Libani, Jordania dhe Palestina. Në vitin 1952, Mbreti Faruk i Egjiptit u rrëzua nga një grup oficerësh të drejtuar nga Xhemal Abdel Nasseri, të cilët morën në kontrroll Egjiptin. Partia e Nasserit, Partia Socialiste Arabe, më vonë u emërua Partia Baath dhe zhvilloi grushte ushtarake në Siri dhe Irak për të vënë në krye njerëz si Hafez al-Assad dhe Saddam Hussein. Më vonë, me të njëjtat metoda vjen Muammar Gadafi në Libi.

Regjime të reja në një rajon të ri

Të gjitha regjimet e sapoformuara u identifikuan si republika socialiste arabe. Si rezultat i grushteve ushtarake, këto shtete ishin kryesisht pro-ushtarake dhe u mbështetën në një kombinim të nacionalizmit arab dhe socializmit për të promovuar sundimin e një partie. Si të tillë që ishin nuk kishin vend për opozitë. Socialistët nacionalistë arabë adoptuan gjuhën anti-imperialiste, promovuan drejtësinë shoqërore dhe ishin të hapur kundër Izraelit. Në një farë mase, socializmi, nacionalizmi arab dhe militarizmi u përzien bashkë me naftën. Në vendet si Iraku dhe Libia, të ardhurat nga nafta u përdorën për të blerë armë dhe teknologji ushtarake.

Në mënyrë tipike, regjime të tilla nuk jetonin më shumë se sa oficerët ushtarakë që erdhën në pushtet përmes forcës. Prandaj vdekja e këtyre udhëheqësve tentonte të krijonte një krizë ekzistenciale në ato vende. Në vazhdën e globalizimit dhe rritjes së shoqërive të hapura, ata u përpoqën të qëndronin në pushtet duke konsoliduar fuqinë e tyre dhe duke forcuar lidhjet midis anëtarëve të tyre. Si të tillë, regjimet në Siri dhe gjetkë morën masa të ashpra kur kundërshtarët e tyre u përpoqën të krijonin një rend të ri në valën e Pranverës Arabe. Në vende si Egjipti, establishmenti nuk pranoi ti jepte një shans tranzicionit për një situatë të re politike, dhe në vend të saj rivendosi përfaqësuesit e regjimeve të mëparshme. Megjithatë, sot socializmi kombëtar arab, regjimet një partiake dhe ushtarake e kanë shumë e vështirë që të mbijetojnë në Lindjen e Mesme, ku shoqëritë po ndryshojnë me shpejtësi. Në të vërtetë, ata e kanë humbur të gjithë besueshmërinë e tyre në sytë e njerëzve në të gjithë rajonin.

Për fat të keq lëvizjet rebele që kërkojnë të minojnë regjimet e vjetra duke kryer sulme terroriste nuk janë të afta të krijojnë një rend të ri. Po kështu, lëvizjet islame si një alternativë e besueshme kanë vuajtur pengesat dhe duke u shënjestruar nga ushtria. Nën këto rrethana, një alternativë e re është shfaqur për periudhën pas rebelimit në formën e kapitalizmit kombëtar arab.

Në muajt e fundit, kjo ideologji e re është promovuar nga Princi i Kurorës Saudite Mohammad bin Salman. Kapitalizmi kombëtar arab kombinon tre elementë: nacionalizmin arab, islamin e moderuar dhe kapitalizmin. Me fjalë të tjera, është një kombinim i ideologjisë, religjionit dhe një modeli ekonomik. Sot Lindja e Mesme pritet që ta blejë këtë utopi të re.

NEOM, qyteti i robotëve dhe burimeve të ripërtëritshme, me një vlerë prej 500 miliardë dollarësh, përfaqëson dimensionin ekonomik. Ai kërkon të adresojë problemet serioze ekonomike të përjetuara në shoqëritë e Lindjes së Mesme nëpërmjet ringjalljes ekonomike. Le të kujtojmë se Pranvera Arabe filloi kur një shitës rruge, i diplomuar me universitet, u vetë-sakrifikua. Me fjalë të tjera, i gjithë lëvizja ishte një reagim ndaj problemeve ekonomike dhe padrejtësive. Prandaj ka një përpjekje nga Arabia Saudite për të ndryshuar kushtet ekonomike të njerëzve në vende si Jordania dhe Egjipti. Ajo synon të integrojë ekonomitë arabe në kapitalizëm dhe të nxisë tregun e lirë. Pasi Arabia Saudite hoqi ndalimin për përdorimin e makinave nga gratë, në vend doli një reklamë mjaft e qëlluar me të gjitha simbolet e kapitalizmit: Një makinë që ecte me shpejtësi në mes të shkretëtirës, ​​një grua atraktive dhe Coca-Cola, simbolet që pushtuan shkretëtirën. Në të njëjtën kohë, projekti i ri është një përgjigje ndaj rrezikut të mbarimit të naftës. Me fjalë të tjera, kapitalizmi nacional arab është një investim i periudhës së pas naftës, kur ekonomia do të dominohet nga turizmi dhe qendrat tregtare. Është e qartë se forma e ngurtë e vehabizmit, vehabizmi i Vëllazërisë Myslimane nuk mund të ngrihet në atë sfidë, sepse një qasje e re ndaj fesë është e nevojshme për të lehtësuar praktikën e kapitalizmit, sipas Islamit të moderuar të Muhammed bin Salmanit.

Projekti i Islamit të moderuar përfaqëson dimensionin fetar të kapitalizmit nacional arab. Ai kërkon të dobësojë vehabizmin e interpretuar nga Vëllazëria Myslimane dhe mbreti i ndjerë Faisal dhe ta zëvendësojë atë me një lloj vehabizmi konformist, që fillimisht ishte prodhuar në vitet 50 nga sauditja Aramco dhe ta promovojë atë në të gjithë Lindjen e Mesme. Pionierët e projektit të ri, megjithatë preferojnë t’i referohen kësaj doktrine fetare si Islam i moderuar. Termi kërkon distancim nga nxitjet për konflikt dhe prirjet për rebelim të vehabizmit. Ky islam pritet të lehtësojë mbijetesën e kapitalizmit në shkretëtirë. Për tu siguruar që grate të bëhen pjesë e ekonomisë së re u është lejuar ngarja e makinave. Së shpejti, vendi pritet të hapë më shumë se 2,000 kinema, të cilat me siguri do të fitojnë miliarda dollarë.

Mbrojtësit e Islamit të moderuar kanë ndërmarrë konkretisht hapa kulturorë kapitalistë, duke përfshirë hapjen e një dege prej 1.3 miliard dollarësh të Muzeut të Luvrit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidenti francez Emmanuel Macron kohët e fundit e quajti atë një “tempull të bukurisë”. Gjiri nuk ishte kurrë në gjendje të prodhonte kulturë për shkak të refuzimit total të vehabizmit të trashëguar. Tani ai po nxiton të marrë hua nga kultura e kapitalistëve për t’u integruar në sistemin kapitalist.

Si përfundim, kapitalizmi nacional arab ka lidhje me nacionalizmin arab. Në thelb, kundërshtimi i Arabisë Saudite ndaj hapave që Irani ka ndërmarrë e motivon këtë markë të neo-arabizmit. Në të kaluarën, pan-arabizmi kryesisht ishte kërcënim për Izraelin. Përkundrazi, neo-arabizmi kërkon të formojë një front të bashkuar kundër një vendi tjetër musliman. Ai ushqen ndjenjat anti-iraniane dhe anti-Shite. Si i tillë, nacionalizmi neo-arab është një përpjekje për të adresuar shqetësimet e vendeve të caktuara për ekspansionizmin persian dhe shit të Iranit. Në të njëjtën kohë, avokatët e kapitalizmit kombëtar arab shpresojnë se identiteti neo-arab do tua bëjë të pamundur lëvizjeve islame që të përfaqësojnë një alternativë të qëndrueshme ndaj rendit ekzistues.

Kapitalizmi kombëtar arab përfaqëson një utopi të re të Lindjes së Mesme që synon t’i japë fund valës së rebelimeve, konflikteve dhe kaosit në rajon. Megjithatë, problemi kryesor është se kjo utopi u bë në Shtetet e Bashkuara kështu që qi nuk pasqyron kërkesat e njerëzve në Lindjen e Mesme. Prandaj, është e nevojshme të pranohet se kapitalizmi kombëtar arab nuk ka gjasa se do mbijetojë./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne