Tregu i bimëve mjekësore: Ekspansioni i biznesit të “mrekullive”

Eksportet e bimëve mjekësore janë dyfishuar në dekadën e fundit, por biznesi është në dilemën e ruajtjes së identitetit të bimëve që rriten në gjendje të egër, apo kultivimin në fushë për të zgjeruar tregun.
Shpopullimi prej emigracionit të zonave ku rriten bimët e egra po rrit kostot në mal, teksa kultivimi në fushë nuk mbështetet me subvencione. Si po diversifikohen kompanitë në prezantimin e çajeve bio në tregun e brendshëm

Blerina Hoxha

Eksporti i bimëve mjekësore u katërfishua në 10 vitet e fundit, por zgjerimi i mëtejshëm i tregut është në presionin e pamundësive për të marketuar prodhimin e egër dhe kostove të larta që e bënë jokonkurrues prodhimin në fushë. Vitin e kaluar, sipas INSTAT, vlera e eksporteve arriti në 3.9 miliardë lekë, nga rreth 2.1 miliardë milionë lekë në vitin 2008.

Filip Gjoka, nga Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Shqiptare, thotë se eksportet po rriten me ritme dyshifrore pasi kërkesa botërore për bimët mjekësore është në zgjerim. Nga ana tjetër, Shqipëria është para disa mangësive strukturore që po e pengojnë të rrisë fitimet që sjellin disa bimë unike që rriten në gjendje të egër në vendin tonë.

Plakja e popullsisë po e bën gjithnjë e më të pamundur mbledhjen e bimëve që rriten në terrene të vështira, teksa djegia e maleve për t’i kthyer ato në kullota ka ulur sipërfaqet e natyrore ku ato rriten. Midis pengesave të brendshme, kërkesa e jashtme për bimët shqiptare nuk është e qëndrueshme pasi kontraktorët kërkojnë sasi të mëdha të cilat kompanitë shqiptare të grumbullimit dhe të eksportit nuk i kanë.

Operatorët e tregut pohuan se gjatë një panairi ku u ekspozuan bimët shqiptare, një biznesmen kinez kërkoi furnizim me boronicë në një muaj, aq sa Shqipëria prodhon në 10 vite. Nuk kanë munguar rastet kur ka pasur superprodhim dhe nuk ka pasur treg. Kjo ndodhi me sherbelën vitin e kaluar, ku kultivimi i saj në fushë me njëfarë jocilësore prishi emrin e mirë të bimës që rritet në gjendje të egër duke dëmtuar në tërësi eksportet e bimës që zë rreth 80% të eksportit të bimëve mjekësore në vendin tonë.

Gjoka tha se shoqata është organizuar këtë vit në të gjithë zinxhirin e sektorit, prodhuesit, grumbulluesit dhe eksportuesit dhe do të orientojë kultivimin dhe grumbullimin e bimëve në bazë të tregut të gjetur. Ai thotë se e ardhmja e tregut është kultivimi në fushë i farave të zgjedhura, për të cilat më parë është gjetur tregu.

 

monitor 788.indd

 

Agim Rama, kultivues dhe grumbullues i bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe, thotë se tregu është i deformuar dhe të ardhurat nuk shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të ndershme nga eksportuesit në hallkat e poshtme dhe sidomos me fermerët që mbjellin e kultivojnë bimët mjekësore. Rama tha se sektori do të mund të rregullohet dhe të maksimizojnë fitimet vetëm nëse formalizohet dhe nis e punon me kontrata.

Ai tha se deri më sot, eksportuesit trajtojnë me çmime të ndryshme grumbullues të ndryshëm për të njëjtën bimë. Ai shtoi se çmimet shpesh vihen nga telefoni, pa asnjë garanci dhe pagesat nuk kryhen në kohë ndaj fermerëve. Z. Rama tha se operimi me kontrata në sektor është emergjencë për të garantuar së pari të ardhurat e mijëra familjeve shqiptare që janë përfshirë në biznesin e bimëve mjekësore dhe janë nga shtresat më të varfra të Shqipërisë.

 

KanabisHashashi dëmtoi bimët mjekësore

Eksportuesit dhe grumbulluesit e bimëve mjekësore pohuan se 2016-a ka qenë një vit i vështirë për bizneset, për shkak të kultivimit masiv të hashashit në të gjithë vendin. Operatorët pohuan se shumë grumbullues tradicionalë, vitin e kaluar, u impenjuan në kultivimin e hashashit kundrejt pagesave më të larta.

Në këtë mënyrë, ata neglizhuan korrjen dhe tharjen e bimëve sipas parametrave që kërkon eksporti dhe për pasojë, u grumbulluan më pak bimë dhe me cilësi të dobët. Kjo qe e dukshme për sherbelën, e cila dominon aktivitetin e bimëve mjekësore në vend. INSTAT raportoi se kultivimi i bimëve mjekësore vitin e kaluar ishte 200 tonë më pak se në vitin 2015.

Eksportet ne tërësi ranë me 2.4 për qind vitin e aplikuar me rreth 100 milionë leke vitin e kaluar.
Kanabisi është kultivuar në terrene të njëjta ku rriten shumë bimë mjekësore dhe është korrur në të njëjtin sezon me disa bimë mjekësore, duke i vënë eksportuesit në vështirësi për përmbushjen e kërkesave të kontraktorëve të jashtëm. Hashashi prishi tregun, pasi grumbulluesit rritën pretendimin për pagesa më të larta nga partnerët e tyre tradicionalë, duke i krahasuar ato me fitimet e larta që erdhën nga kanabisi. Kompanitë që nuk pranojnë të denoncojnë fenomenin me emër bëjnë thirrje që kultivimi i kanabisit të vihet nën kontroll, pasi rrezikon të shkatërrojë sektorin e bimëve mjekësore.

 

Bime mjekesoreOperatorët e mëdhenj, rritje të xhiros me ritme dyshifrore

Eksporti i bimëve mjekësore, vitin e kaluar, arriti në 3.9 miliardë lekë, ose 29 milionë euro. Të ardhurat që u realizuan nga shitjet u ndanë kryesisht mes 10 eksportuesve më të mëdhenj. Disa nga operatorët e mëdhenj patën rritje dyshifrore vitin e kaluar, por disa pësuan edhe rënie.

Filip Gjoka, i cili njëkohësisht është edhe zotërues i kompanisë më të madhe të eksportit të bimëve mjekësore, Filipi CO tha se, eksportet janë rritur në tërësi vitin e kaluar me 11%, me gjithë disa vështirësi që shfaqi tregu ndërkombëtar.

Ai tha se vitin e kaluar, çmimi i sherbelës në tregjet ndërkombëtare shënoi ulje dhe kjo frenoi rritjen e eksporteve shqiptare, të cilat në pjesën dërrmuese të tyre dominohen nga kjo bimë. Sipas të dhënave nga bilancet që referohen deri në vitin 2015 shihet një rënie e shitjes për operatorin më të madh në treg, Filipi CO me 4%, por siç pohon administratori i saj, situata është rikuperuar vitin në vijim. Shitjet e Filipi CO ishin 454,8 milionë lekë në vitin 2015 nga 477 milionë lekë në vitin 2014. Por ai tha se në vitin 2016, situata është përmirësuar, pasi Shqipëria eksporton gjithsej 80 bimë mjekësore aromatike, që kanë kompensuar rënien e çmimit të sherbelës.

Operatorët e tjerë të mëdhenj kanë pasur rritje. Kompania Xhedra çoi në 377 milionë lekë të ardhurat nga eksportet më 2015 duke pasur një rritje vjetore me 22%.
Gjithashtu Herba Fructus, operatori tjetër i madh i eksportit të bimëve mjekësore, i rriti të ardhurat nga shitjet me 31% në vitin 2015, në raport me një vit më parë, duke siguruar 438 milionë lekë të ardhura, ose 3,2 milionë euro xhiro vjetore.
Ritmet e rritjes së eksporteve ranë disi me vitin 2016, në 11%, por disa faktorë, sipas disa operatorëve, lidhen edhe me kultivimin e hashashit.

 

monitor 788.indd

 

 

monitor 788.indd

 

55% e eksporteve në Gjermani dhe SHBA

Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë oazi i eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore. Nga 3.9 miliardë që ishte vlera e eksporteve më 2016, 1.1 miliardë lekë ose 28 për qind e tyre patën destinacion Gjermaninë, ndërsa SHBA-të renditen të dytat si destinacion i bimëve mjekësore shqiptare me një vlerë 1 miliardë lekë ose 26 për qind e totalit.

Turqia, Italia, Franca vijnë më pas në renditje. Por gjeografia e eksporteve të bimëve medicinale në totalin e saj është mjaft interesante. Vitin e kaluar kompanitë shqiptare kanë mundur të eksportojnë deri në Korenë e Jugut, Indi, Pakistan, Sri Lanka, Malajzi, Irlandë Marok etj. Eksportuesit pohojnë se janë disa klientë nga vende të largëta të cilët porositin vajra dhe esenca. Por 70-80 për qind të totalit të eksporteve dominohet nga sherbela, e cila zë një pjesë të konsumit të këtij produkti në SHBA dhe në Gjermani. Eksportuesit bëjnë me dije se, gjithnjë e më shumë po shtohen llojet e bimëve dhe esencave mjekësore për eksport, pasi kërkesa në tregun ndërkombëtar po vjen gjithnjë e në rritje.

 

monitor 788.indd

 

Sherebela 2 - 788Rreziku nga plakja dhe shpopullimi

Grumbullimi i bimëve mjekësore në gjendje të egër po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe me shumë kosto, për shkak të shpopullimit dhe plakjes së popullsisë në zonat ku rriten bimët, thotë kryetari i Shoqatës, Filip Gjoka. Ai tha se kjo është sfida kryesore me të cilën po përballet biznesi i bimëve mjekësore në vendin tonë.

Sipas të dhënave të INSTAT, më 1 janar 2017, Tirana zë rreth 30,0% të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, e ndjekur nga Fieri (11,0%), Durrësi (10,0%) dhe Elbasani (10,0%).
Vetëm 3 qarqe shënuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2001-2017, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora. Të gjitha qarqet e tjera pësuan një tkurrje të numrit të popullsisë gjatë 2001-2017 dhe kjo vjen kryesisht si pasojë e lëvizjeve të brendshme, drejtuar në qendrat urbane, kryesisht në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë dhe zë vetëm 2,3% të popullsisë gjithsej më 1 janar të 2017, i ndjekur nga Qarku i Kukësit, i cili zë 2,8%. Në këtë qark rriten një pjesë e madhe e bimëve mjekësore si rigoni i kuq, boronica, trumza etj. Zoti Gjoka thotë se tradicionalisht, bimët mjekësore janë mbledhur nga moshat e reja. Në këtë sektor, të punësuarit janë sezonalë dhe kryesisht nxënësit e shkollave dhe studentët, të cilët grumbullonin të ardhurat për fillimin e sezonit të ri shkollor.

Por tashmë numri i të rinjve ka rënë në mënyrë drastike në këto zona prej emigracionit dhe zhvendosjet e popullsisë së re më afër qendrës së Shqipërisë. Për pasojë, grumbullimi i bimëve të egra po vështirësohet, pasi është një proces që nuk mund të bëhet kryesisht nga mosha të thyera, për shkak të terreneve të vështira ku rriten këto bimë. Plakja e popullsisë në Shqipëri po avancon me ritme të shpejta dhe kjo duket se po e ndikon strukturën e ekonomisë më shpejt se sa pritet.

Sipas të dhënave nga INSTAT, grupmosha 60-79 vjeç më 1 janar të 2001 përbënte rreth 10,0% të popullsisë gjithsej, ndërsa më 1 janar të 2017 kjo grupmoshë zë rreth 17,0%. E njëjta dukuri vërehet për grupmoshën 80 vjeç e lart, e cila zinte vetëm 1,3% të popullsisë gjithsej në 2001 ndërsa në 2017 zë 2,4%. Nga ana tjetër, grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë vetëm 18,0% më 1 janar të vitit 2017, krahasuar me rreth 30,0% që zinte më 1 janar të vitit 2001.

Ulja e numrit të të rinjve dhe rritja e numrit të të moshuarve, pra plakja e popullsisë, vjen si pasojë e rënies së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë, por kjo tendencë ka nisur të japë efekte negative te forca e punës. Në vitin 2016, forca e punës në grupmoshën 15-29 vjeç u ul me mbi 4% në raport me një vit më parë.

 

Sherebele 788Dilemat mes kultivimit dhe të egrës

Në dekadën e fundit, tregjet e jashtme, sidomos në SHBA, shfaqën një kërkesë të madhe për sherbelën shqiptare. Por grumbullimi i të egrës që rritet gurinave të maleve nuk mjafton, ndaj duke parë këtë interes, edhe qeveria e para 2013-s nxiti kultivimin e saj në këtë fushë. Bima nisi të mbillej në ara masivisht në Malësinë e Madhe ku mbi 2 mijë hektarë u vunë në dispozicion.

Disa e shkulën sherbelën e malit dhe e mbollën në fushë dhe të tjerat importuan farat e sherbelës nga jashtë, cilësia e dobët e së cilës dëmtoi më pas imazhin e mirë të sherbelës shqiptare. Cilësia e sherbelës së kultivuar ra shumë për shkak se fara që ishte prodhuar në laborator ishte edhe kontaminuar. Për pasojë, prodhimi i bimëve mjekësore pa një rënie të fortë në vitin 2015 me rreth 38%. Por bima mjekësore që ishte shkëlqimi i eksporteve shqiptare në SHBA ka parë vështirësi nga heqja e subvencioneve shtetërore ndaj bimës.

Para shumë vitesh, Turqia subvenciononte sherbelën, por cilësia nuk ishte si ajo dalmate, sikurse mund të rritet në malet tona. Qeveria turke subvenciononte pjesën që kultivuesit do të humbnin. Për shkak të marrëdhënieve tregtare me Turqinë, shumë kultivues shqiptarë kanë marrë farën turke. Operatorët e tregut thonë se ka humbur avantazhi konkurrues i sherbelës së egër. Kultivimi u nxit, tani ka ngelur stok. Me 1,5 dollarë që ka arritur çmimi i sherbelës aktualisht nuk ka interes për shqiptarët që të subvencionohet. Kjo rrezikon të ndodhë edhe me çajin e malit, kultivimi së fundmi në fushë e humb cilësinë dhe damkos emrin e mirë që bima ka aktualisht.
Problemet me farën nuk ekzistojnë më, por mbështetja me subvencione nuk është rikthyer për të rritur prodhimin e bimës.

Në vitin 2015 u prodhuan 10.8 tonë sherbelë nga 17.4 tonë që ishin më 2014. Rënia vijoi edhe vitin e kaluar, me rreth 200 tonë sipas të dhënave të INSTAT.

Në vitin 2012, me përfshirjen në skemën e subvencioneve filloi të rritet kultivimi i bimëve mjekësore në vend.
Deri para pak vitesh, sektori mbështetej vetëm në grumbullimin e përpunimin e bimëve të egra, të cilat edhe pse kanë më shumë vlerë në treg, nuk krijojnë hapësirë për të rritur eksportet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2012 u dhanë mbi 26 milionë lekë për mbështetjen e fermerëve që kultivojnë bimë mjekësore, teksa u mbollën 376 hektarë me bimë mjekësëre, kryesisht sherbelë. Mirëpo heqja e skemës së subvencioneve për bimët mjekësore i çoi për poshtë zhvillimet në sektor e për pasojë, edhe eksportet e këtyre produkteve me mjaft reputacion në tregun ndërkombëtar. Ndërkohë, operatorët tregut ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me zhvillimin e industrisë.

Disa eksportues që operojnë në këtë fushë që nga viti 1990 mendojnë se Shqipëria duhet të ruajë brandin e bimëve të egra pa synuar kultivimin e tyre në fushë. Pra në vend të sasisë, ata rekomandojnë shtimin e vlerës së produktit nëpërmjet marketimit bio dhe ofrimit si të tillë në tregjet ndërkombëtare. Sherbela e egër e maleve tona, boronica dhe çaji i malit, duhen të certifikohen bio për t’i ofruar më pas me një vlerë më të lartë.

Nëse sot Turqia po furnizon tregun me sherbelë të kultivuar që nuk kushton më shumë se 2 dollarë për kilogram, sherbela e egër e Shqipërisë duhet të shitet së paku 10 herë më shumë. Operatorët që synojnë të ruajnë traditën e bimëve të egra thonë se kërkesa e tregut ndërkombëtar për këto produkte është gjithnjë e në rritje përpos çmimit të lartë. Mirëpo kryetari i shoqatës, Filip Gjika, njëkohësisht edhe eksportuesi më i madh i bimëve mjekësore në vend mendon se, kultivimi i bimëve është i pashmangshëm. “Ne duhet t’i trajnojmë fermerët dhe t’i mbështesin me subvencione për mbjelljen e bimëve. Gjithashtu duhet t’u sigurojmë kontrata dhe tregje të sigurta duke e parablerë prodhimin. Pasi bimët e egra po bëhen gjithnjë e më vështirë për t’u grumbulluar për shkak të shpopullimit të zonave ku rriten këto bimë”, – tha Gjoka.

 

Bime mjekesore 3Eksportet pa vlerë të shtuar

Bimët mjekësore në vendin tonë në më shumë se 80% të totalit shiten si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase. industria e përpunimit në vendin tonë vuan pasojat e mungesës së ekonomisë së shkallës dhe kjo vlen edhe për bimët mjekësore.

Aktualisht kompanitë nuk kanë mundësi të investojnë në teknologji për të rritur vlerën e produkteve shqiptare.

Eksportuesit në themel të investimit të tyre kanë kapitalin njerëzor, ku pjesa më e madhe proceseve bëhet nga punonjësit teksa ekzistojnë vetëm disa makineri për paketim dhe presim. Ndërkohë që po përpunimi i tyre në pasta dhe esenca dhe në produkte gjysme të gatshme do t’i rriste më tej fitimet e kompanive. Por Gjoka thotë se, me hapjen e negociatave të Shqipërisë në BE, eksportuesit e bimëve mjekësore do të mund të përfitonin shumë nga financimet e BE-së. Procesi i anëtarësimit parashikon më shumë financime për bujqësinë dhe përkatësisht për industrinë e përpunimit.

Biznesi i të varfërve

Bimët mjekësore janë një biznes që e lakmon shumëkënd, për shkak të rritjes së kërkesës në tregje dhe, nga ana tjetër, ndoshta është industria e vetme që shpërndan të ardhura në familjet më të varfra në vend. Gjoka thotë se rreth 90 mijë familje në të gjithë vendin janë të punësuar direkt apo sezonalisht në biznesin e bimëve mjekësore që nga kultivuesit, grumbulluesit, transportuesit dhe eksportuesit.

Pjesa më e madhe e këtyre familjeve përfaqësojnë shtresat më të varfra në vend, njerëz që nuk kanë tokë dhe bagëti dhe synojnë të nxjerrin të ardhurat nga pylli, duke i vjelë gjërat e vlefshme. Shumë prej këtyre punonjësve janë sezonalë. Për rrjedhojë të ardhurat shkojnë qarqet më të varfra të vendit si Kukësi, Dibra, Librazhdi, Elbasani dhe Skrapari. Mirëpo industria synon që të lobojë më shumë në drejtim të gjetjes së hapësirave të reja edhe nëpërmjet kultivimit, në mënyrë që fitimet të maksimizohen për të gjithë zinxhirin që është i angazhuar në industrinë e bimëve mjekësore.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne