Trump po mbjell “farat” e një epokë të re të terrorit bërthamor

nga Joel Mathis.

Ka pasur një periudhë në historinë tonë të kohëve të fundit, kur amerikanët pritën në mënyrë të vazhdueshme, dhe u përgatitën të vdisnin në zjarrin kataklizmik radioaktiv – dhe e pranuan atë “hije” rreziku mbi jetën, si çmimin e lirisë së tyre. Stërvitjet, strehimoret anti-bërthamore. Kriza e Raketave Kubane. “Doktor Strangelove”. “Able Archer 83”. Lojërat e Luftës.

Qoftë në mjedise reale apo të imagjinuara, njerëzimi e kaloi pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, duke menduar për përdorimin e armëve bërthamore, duke iu qasur hera-herës shumë pranë fundit të botës. Qe një mënyrë e tmerrshme për të jetuar.

Natyrisht, presidenti Donald Trump duket i vendosur ta risjellë atë atsmoferë. Për të qenë i ndershëm, vendimi i shpallur i presidentit për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Traktati i INF me Rusinë, ka një kuptim të caktuar.

Traktati ndalon raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme; Rusia me sa duket e ka shkelur atë për vite me radhë. Dhe ku qëndron problemi me daljen nga një marrëveshje e keqe? Trump nuk po largohet thjesht nga një marrëveshje e keqe – ai po hedh në erë punën e një brezi të tërë liderësh amerikanë, të cilët mbështetën reduktimin, dhe jo shtimin e armëve bërthamore në botë.

Traktati i INF, ishte një simbol i rëndësishëm i këtij angazhimi. Presidenti, besimi i të cilit në parimin “sa më i madh, aq më i mirë” në lidhje me fuqinë, ka qenë prej kohësh deviza e tij kryesore, po rifut Shtetet e Bashkuara në logjikën e terrorit bërthamor.

Vendimi i Trump, vjen vetëm disa javë para 35 vjetorit të “The Day After”, një film televiziv i rrjetit ABC, që përshkruan një sulm bërthamor në qytetin tim të lindjes Lourenc në Kansas. Filmi me aktorë të njohur si Xhejzën Robards, Xhon Litgou, Stiv Gutenberg, dhe Xhobet Uilliams – filloi me zjarr dhe përfundoi në një mënyrë të zymtë, me personazhin e luajtur nga Litgou që përpiqet më kot të kontaktojë me botën e jashtme:“Përshëndetje, a ka njeri atje jashtë?”

Mbi 100 milionë njerëz, u raportuan se e panë atë film në nëntorin e vitit 1983, shumica e të cilëve mbetën të shokuar. A kishte mes tyre të tmerruar nga bota që përshkruante filmi? Po, presidenti Ronald Regan, i cili kishte parë disa fragmente të tij disa javë më parë.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të pasur një mjet paranalues, dhe për të mos parë kurrë një luftë bërthamore”- shkroi Regan në ditarin e tij. Askush nuk ka tërhequr kurrë një vijë të drejtë nga “The Day After” tek Traktati i INF, por ajo që dimë është kjo:Pak vite pas transmetimit të filmit, Mikail Gorbaçov, një reformator i ri, u ngjit në pushtet në Bashkimin Sovjetik.

Regan dhe Gorbaçov u takuan në Rejkjavik të Islandës në vitin 1986, dhe qenë pranë një marrëveshjeje, që do të eliminonte të gjitha armët bërthamore. Kjo nuk funksionoi, por në vitin 1987 ata nënshkruan Traktatin INF. Momenti ishte i jashtëzakonshëm. Pas dekadave të përhapjes – në fund të viteve 1980, bota kishte më shumë se 60.000 armë bërthamore– numri i tyre nisi të zvogëlohet, dhe kanë vazhduar kështu deri sot, kur ka më pak se 10.000 armë bërthamore.

Rrëfimi i kësaj historie është i nevojshëm, pasi tashmë ekzistojnë gjenerata të amerikanëve që nuk kanë jetuar kaq pranë pritshmërisë së një apokalipsi të afërt – dhe të tjerë që shohin historinë, dhe e cilësojnë Reganin një “kauboj” të egër, që i detyroi rusët të dorëzoheshin. Asnjë grup, nuk mund ta kuptojë se sa shumë prej nesh e ndjejnë rrezikun nën lëkurë:Çdo armë e re, është një hap më pranë katastrofës.

Deri kohët e fundit, një ide e tillë ishte përgjithësisht e pranuar. Ish-presidenti Obama e angazhoi vazhdimisht SHBA-në drejt një synimi afatgjatë për një botë pa asnjë armë bërthamore; ideja u miratua nga ish-zyrtarë të lartë si ish-sekretarët e shtetit Xhorxh Shulc dhe Henri Kisinger.

Natyrisht Trump nuk shfrytëzon shpesh “trashëgiminë morale” të Amerikës. Dhe ndërsa e justifikon veprimin e tij me shkeljet e traktatit nga ana e Rusisë, është e vështirë të shmanget ndjenja se ai dëshiron, që ndërtimi i një sasie armësh të reja bërthamore të jetë pjesë e trashëgimisë së tij.

Tërheqja nga INF, e çliron Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga çdo lloj detyrimi, për të rifilluar prodhimin e raketave bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme. “Ne duhet t’i ndërtojmë ato armë”- u tha presidentit gazetarëve në Nevada. “Do të dalim nga marrëveshja dhe do të prodhojmë armë të reja”.

Për ata që kundërshtojnë lëvizjen e Trumpit, ekuacioni është i thjeshtë:Sa më shumë armë që të ekzistojnë, aq më shumë ka gjasa që ato të përdoren. Nëse përdoret edhe vetëm njëra, ka më shumë gjasa që të përdoren edhe të tjerat. Është e vështirë të parashikohet një luftë “e kufizuar” bërthamore.

Logjika e parandalimit, ka qenë gjithmonë e tillë që pasi armë të tilla do të nisin të përdoren, ato do të çojnë në një konflikt në shkallë të plotë. Pse dikush do të rrezikonte këtë skenar? “Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet, dhe s’duhet të zhvillohet asnjëherë”- tha Regan në fjalimin e tij vjetor të vitit 1984. “Vlera e vetme e të dyja kombeve tona që zotërojnë armë bërthamore, është të sigurohemi që ato të mos përdorën kurrë. Por a nuk do të ishte më mirë t’i zhdukim ato tërësisht?”.

Trump nuk ndjek një logjikë të tillë. Në vend të kësaj, ai po mbjell “farat” e një epokë të re të terrorit bërthamor. Brezat e rinj të amerikanëve – dhe njerëzit anekënd globit – kanë arsye të reja për t’u shqetësuar për fundin e botës. Hija e tij kërcënimi është rikthyer./The Week

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne