Kuzhinieri në një restorant në Diyarbakir të Turqisë, Zubejir Atli, frutat dhe perimet siç janë shalqiri, karota, kastravecët, domatet, etj, i shndërron në vepra të vërteta arti.

Atli (36) duke përdorur thika të posaçme dhe me lëvizje precize të duarve, frutat dhe perimet i shndërron në figura, por edhe në dekorime lulesh.

Në këtë mënyrë, rrepa bëhet mjellmë, kungulli dragua, ndërsa shalqiri trëndafil, për çka veprat e tij janë “të shijshme”, por kanë edhe pamje të mira.

Në një prononcim për Anadolu Agency, ai tha se qysh në fëmijëri ka pasur prirje për të bërë lodra nga balta, ndërsa 15 vite më parë kishte shkuar në Ankara për tu punësuar në sektorin e turizmit.

“Atëherë kishte mjeshtër të mirë, të cilët punonin dekorime nga shalqiri dhe kungulli. Me të parë punën e tyre, mbeta i mahnitur dhe vendosa të bëj të njëjtën gjë. Pas 3-4 vitesh isha i gatshëm të punoja dekorime të tilla”, tha ai për të shtuar se bëhet fjalë për një art të veçantë.

Siç rrëfen më tej, nuk janë vetëm shalqiri dhe kungulli nga të cilët bën dekorime, sepse në punën e tij ai përdor edhe fruta dhe perime të tjera, por se ka disa lloje të cilat punohen më me vështirësi.

“Mendoj se domatja është më e rënda, meqë nga ajo nuk mund të bëhet shumë. Më lehtë e kam me kungullin sepse është i fortë dhe njëngjyrësh. Me shalqirin është gjithashtu rëndë të punohet sepse ka tri ngjyra, të gjelbrën, të bardhën dhe të kuqen. Nga shkaku i kësaj, nga shalqiri nuk mund të bëni shumë, por nga kungulli po”, tha Atli.

Disa nga figurat mund të bëhet për dhjetë ose 15 minuta, e për disa të tjera nevojiten deri në katër orë, thotë ai, për të shtuar se durimi është karakteristika kryesore e kësaj pune.

“Është një punë e cila nuk duron gabimet, sepse humbet forma pas çka duhet të nisni nga e para”, përfundon Atli.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

11