Turqia: Jemi vend kandidat, s’pranojmë të përkufizohemi si “një partner i fuqishëm”

Ministri turk për Çështjet e BE-së dhe negociatori kryesor i Ankarasë me Brukselin, Omer Çelik, deklaroi të martën se Bashkimi Evropian ka mbetur në klasë pas tentativës tradhtare për grusht shteti, ndërmarrë më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste gyleniste (FETO).

“Pas tentativës për grusht shteti, liderët evropianë duhet të vinin në Turqi”, tha ai.

Omer Çelik bëri një prezantim në lidhje me buxhetin e Ministrisë për Çështjet e BE-së gjatë vitit 2018, në Komisionin e Planit dhe Buxhetit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.

Gjatë fjalimit të tij në komision, Çelik vuri në pah se në krye të problemeve ndërmjet Turqisë dhe BE-së vjen mbrojtja e organizatave terroriste si FETO-ja dhe PKK-ja në vendet evropiane, ndërsa shprehu bindjen se marrëdhëniet Ankara-Bruksel do të avancojnë më shpejt nëse pengohen aktivitetet e organizatave terroriste.

Ai nënvizoi se Turqia do ta vazhdojë qëndrimin e saj të drejtë në lidhje me këto çështje.

Sipas tij, problemi i refugjatëve është një tjetër çështje e rëndësishme në raportet Turqi-BE.

“Turqia është ndërgjegjja e botës kur bëhet fjalë për problemin e refugjatëve. Ndërkohë që në disa vende të Evropës u përmend mbajtja e referendumit për të pranuar 50 apo 100 refugjatë dhe partitë e ekstremit të djathtë, raciste, abuzuan çështjen e refugjatëve; ne strehojmë në vendin tonë rreth 3,5 milionë refugjatë, pra, gati sa gjysma e popullsisë së disa vendeve evropiane”, tha ministri turk për Çështjet e BE-së.

Çelik rikujtoi më tej se ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimit të Austrisë, Sebastian Kurz, ka propozuar shkëputjen e komunikacionit tokësor me një ishull të Italisë vetëm pse është pikëmbërritje e refugjatëve.

“Kryebashkiaku i atij ishulli, i tronditur, do të përgjigjej me fjalët: ‘Një deklaratë të tillë e kemi dëgjuar për herë të fundit nga nazistët.’ Kjo situatë lëkund dhe rrënon vlerat evropiane”, u shpreh ministri turk.

Turqia – vijoi ai – ka shpenzuar mbi 30 miliardë dollarë për refugjatët, ndërkohë që shumat e ardhura nga Bashkimi Evropian janë të pamjaftueshme, për të thënë pak.

Pasi sqaroi se BE-ja ka dhënë deri tani vetëm 898 milionë euro, nga 3 miliardë euro që duhet të jepte deri në vitin 2018; ministri Çelik tërhoqi vëmendjen mbi fjalët e autoriteteve evropiane, se janë zhbllokuar 1,4 miliardë euro dhe se të garantuara me marrëveshje janë 2,9 miliardë euro të tjera, duke i quajtur ato “teorike”.

“Ato, që thuhet se janë zhbllokuar apo se janë garantuar me marrëveshje, s’janë veçse regjistrime të projekteve, që Bashkimi Evropian do të realizojë me një sërë organizatash të shoqërisë civile”, sqaroi ai duke theksuar se numri i emigrantëve, që përpiqen të kalojnë Mesdheun në mënyrë klandestine, ka rënë në 50-100 në ditë, nga 7 mijë në ditë që ishte në vitin 2015.

Në vijim, Omer Çelik bëri me dije se dialogu energjetik me BE-në do të vazhdojë në nivel ministror më datë 20 nëntor, kurse ministeriali për dialogun në fushën e komunikacionit do të zhvillohet në kryeqytetin Bruksel të Belgjikës, më 27 nëntor.

Ai njoftoi se në Bruksel, më 78 dhjetor, do të realizohet edhe takimi i dytë i Dialogut Ekonomik me Nivel të Lartë ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

“Të gjitha këta dialogë janë çështje, të cilat plotësojnë negociatat për anëtarësimin e Turqisë me të drejta të plota në BE. Duam të themi se jemi të mbyllur ndaj përpjekjeve për të vazhduar këta dialogë duke lënë mënjanë negociatat për anëtarësim me të drejta të plota. Jemi të mbyllur po ashtu ndaj thirrjeve si ajo e pak kohëve më parë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel, për t’i propozuar Turqisë një model të ri”, u shpreh ministri.

Ne – shtoi Çelik – s’pranojmë që Turqia të përkufizohet si “një partnere e fuqishme”, por jemi dakord kur thuhet se “Turqia është një vend kandidat, që negocion me BE-në për anëtarësim me të drejta të plota dhe vijon dialogët në këto çështje”.

“Negociatat për anëtarësim janë thelbësore në aspektin e marrëdhënieve me BE-në”, nënvizoi ai.

Omer Çelik u ndal gjithashtu mbi përditësimin e Unionit Doganor duke thënë që nëse Bashkimi Evropian ka vullnet për azhurnimin e Unionit Doganor, atëherë edhe Turqia e ka këtë vullnet, madje ka gati edhe të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Azhurnimi i Unionit Doganor nuk është kurrsesi një proces alternativë ndaj kandidaturës sonë për anëtarësim me të drejta të plota në BE”, tha negociatori kryesor i Ankarasë me Brukselin.

Ministri Çelik potencoi se Turqia i kushton rëndësi të madhe strategjisë së komunikimit tërhoqi vëmendjen mbi ekzistencën e qarqeve eurofobike, armike të vlerave të BE-së, demokracisë dhe të drejtave themelore, të cilat duan të helmojnë opinionin publik.

“Pikërisht qasjet e këtyre qarqeve kanë filluar të vjellin vrer për Turqinë në opinionin publik evropian duke ngritur mure ideologjike brenda Evropës”, theksoi ai.

Prandaj – përfundoi ministri – Evropa duhet të ndreqë gjuhën e medias.

 

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne