UJËRAT E RREZIKSHËM DHE LARGPAMËSIA E POPULLIT​​​

Mehmed Arif

“…dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë.” –Maide, 8.

 

Viti 2001, unë isha akoma fëmijë. U strehuam te familjarët tanë në Turqi, për t’u mbrojtur nga konfliktet që ndodhën në shtetin tonë. Mirëpo vëmendja jonë mbeti në vendlindjen tonë. Askush nuk mund të largohet aq lehtë nga vendi ku ka lindur. Dëshironim që sa më parë të ndalet konflikti dhe të kthehemi në shtëpinë tonë. Më në fund u ulën në tryezë, u zhvilluan negociatat, u bë shtrëngimi i duarve, u shpall ndërtimi i paqes!..

 

Lagjen ku e kalova fëmijërinë time, ia përngjaj Jugosllavisë. Fqinjët tanë ishin maqedonas, serb dhe kroat. Shqiptarët, boshnjakët dhe romët, vinin në lagjen tonë, formonim ekipe të përziera dhe luanim futboll. Sigurisht se kam pasur shoqëri të mirë. Grindjet ishin pjesë e shijshme e përditshmërisë. Sjellja negative ndaj turqve në atë kohë, në krahasim me sjelljen e tanishme të fqinjëve të mi që kanë përplot lavdërime ndaj turqve dhe Turqisë, është tregues i mirë se në Ballkan është përmirësuar imazhi dhe perceptimi për Turqinë. Pa dyer vetëkënaqësi, ne kemi nevojë për ta forcuar këtë perceptim në të gjitha fushat.

 

Shkollën fillore e mbarova në Sh.F. Tefejuz. Në shkollë zakonisht udhëtoja me autobusë shtetërorë. Mos thoni se nga udhëtimet me autobusë nuk nxirren përfundime sociologjike dhe psikologjike. Më lejoni ta shpjegoj. Maqedonasit gjithmonë uleshin në ulëset e para të autobusit. Nxënësit shqiptarë dhe qytetarët tjerë zakonisht uleshin në ulëset mbrapa. Duke e përdorur përparësinë se jam turk, unë ndonjëherë ulesha para, ndonjëherë në mes e ndonjëherë edhe mbrapa. Kjo edhe e tregon procesin e rëndë psikologjik që ne si shoqëri e kemi kaluar. Maqedonasit nuk hipnin në autobusin me numër 55 i cili vinte nga Haraçina. Kohëve të fundit kjo dukuri është tejkaluar. Tani më bën të lumtur që në radhët e para të autobusit i shoh shqiptarët ndërsa në radhët mbrapa maqedonasit.

 

Më mbushet shpirti me shpresë kur i shoh maqedonasit të cilët duan ta mësojnë shqipen, turqit të cilët kanë kureshtje ndaj gjuhës boshnjake, shqiptarët të cilët i japin rëndësi maqedonishtes, shokët e mi të cilët kanë mësuar gjuhën rome.

 

Lojën e prish largpamësia e njerëzve

 

Kohëve të fundit janë duke u dhënë deklarata politike të shumta në kundërshtim me frymën e bashkimit dhe vëllazërisë. Për shkak të lakmisë për pushtet dhe për shkak të inatit për të mos e lëshuar pushtetin, duan të mbjellin farën e përçarjes te secili kapilar i mundshëm shoqëror. Qoftë nga përfaqësuesit e partive politike, qoftë në nivelin presidencial, jepen deklarata të cilat i ngjasojnë atmosferës së vitit 2001. Tentojnë që popullin ta tërheqin në një vrimë të errët.

 

Në këtë pikë, kam ca fjalë t’u them përfaqësuesve të partive me atrofi të vuajtur, zyrtarëve shtetëror që ju ka zbritur perdja e ambicies para syve, hajdutëve të cilët u ik gjumi nga frika se do të vijë drejtësia, portaleve si leckë të cilat duan të hapin konflikte, magandave nacionaliste që sillen si luanë e të cilët kanë frikën e humbjes së kolltukut, analistëve dhe opinionistëve të pacipë që lapsin e kanë shitur për pesë para; do mbyteni në lakminë tuaj, urrejtjen tuaj, helmin tuaj dhe në frikën tuaj. Duke u mbytur në gropën e ujërave të zeza, mos i tërhiqni me vete edhe njerëzit e pafajshëm dhe qytetarët e viktimizuar! Ju nuk mund të shpëtoni së përmenduri si njollë e zezë në histori. Jepni fund shkatërrimit që jeni duke e bërë!

 

Për fat të keq, partitë turke, në këtë proces nuk ishin diçka më tepër se “parti deklaratash”. Në vend se ta frymëzojnë popullin të sillet me mendje të kthjellët, ata vetëm përpiqen t’i përgjigjen njëri-tjetrit. Turp, turp i madh!

 

Në këtë proces kritik, gjëja që i takon popullit, pronarëve të vërtetë të këtyre tokave, qytetarëve të ndershëm, është që ta prishin këtë lojë. Mirë, por si ta prishim këtë lojë të fëlliqur, tradhtare dhe të neveritshme? Para ca ditësh kur flisja me miqtë e mi shqiptarë, e thash këtë: “Ti je nacionalisti më i madh për popullin tënd. Edhe unë jam njësoj për popullin tim. Gjithashtu edhe maqedonasit, boshnjakët, serbët i bëjnë flijimet më të mëdha për popujt e tyre. Nuk ka nevojë t’ia dëshmojmë këtë njëri-tjetrit. Disa qendra të caktuara, për hir të ardhmërisë së tyre politike, duan ta tërheqin popullin në një vrimë të zezë. Le të mos biem në këtë lojë. Nëse i përshëndesim fqinjët maqedonas, le ta dyfishojmë këtë përshëndetje. Vëllanë tonë boshnjak le ta përqafojmë edhe më fortë. Problemet e vëllezërve romë le t’i konsiderojmë si probleme tona. Vetëm në këtë mënyrë mund ta prishim lojën.”

 

Gjatë rasteve të Kumanovës të cilat ishin paraprakisht të planifikuara por të pasuksesshme, në internet u shpërnda një fjalim i një qytetari shqiptar i cili fliste me mendje të kthjellët. Ky qytetar i cili u bënte apel njerëzve të mos bien pre e manipulimeve, në fund u përqafua nga një fqinj i tij maqedonas. Si duket s’mbeti njeri pa e shpërndarë këtë video. Largpamësia e popullit tonë edhe një herë e kishte prishur lojën e kukullave dhe aktorëve të kukullave.

 

Nëse një herë e kemi prishur këtë lojë, mund ta prishim përsëri!

 

Përshëndetuni!

 

Përqafoni!

 

Shikojeni fqinjën tuaj në sy!

 

Të gjithë bashkë le ta prishim këtë lojë!/ fryma.org

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne