Venezuelë – Maduro akuzon SHBA-në për ndërprerjen e energjisë elektrike në vend

Një tubim në mbështetje të Maduros u mbajt të shtunën nga Partia e Bashkuar Socialiste e Venezuelës (PSUV) përpara Pallatit Presidencial “Miraflores”, në kryeqytetin Karakas, ku në krah të kreut të shtetit dhe bashkëshortes së tij Cilia Flores morën pjesë gjithashtu ministri i Punëve të Jashtme, Jorge Arreaza dhe kryetari i Asamblesë Kushtetuese, Diosdado Cabello.

Maduro ka deklaruar në fjalën e rastit se ndërprerja e energjisë elektrike është shkaktuar si pasojë e një sulmi kibernetik të ndërmarrë ndaj Centralit Hidroelektrik “Guri”, i cili siguron energjinë elektrike në pjesën më të madhe të vendit.

Përgjegjësinë e ndërprerjes së elektricitetit në vend ai ia ka ngarkuar SHBA-së dhe presidentit të përkohshëm të vetëshpallur të Venezuelës, Juan Guaido. Maduro e ka cilësuar Guaidon “kloun” dhe “kukull”.

“Sot ne patëm eliminuar pothuajse 70 për qind të ndërprerjes së energjisë elektrike, por ndaj linjave elektrike u krye një sulm duke përdorur teknologji të lartë, të cilën e zotëron vetëm administrata amerikane”, ka thënë Maduro duke potencuar se brenda Kompanisë Kombëtare Elektroenergjetike të Venezuelës ka spiunë që janë bërë shkak për këtë ndërprerje, të cilët do t’i zbulojnë dhe më pas do t’i ndëshkojnë në kohën më të shkurtër të mundshme.

“Po kalojmë në një periudhë të vështirë dhe po punojmë në mënyrë intensive. Do ta kalojmë edhe këtë sikurse kemi kapërcyer gjithashtu probleme të tjera të mëdha gjatë viteve të fundit”, theksoi presidenti venezuelas duke kërkuar mirëkuptim nga populli.

Venezuela është përballur që nga e enjtja me një ndërprerje të energjisë elektrike në 22 nga 23 rajonet e vendit.

Qeveria ka njoftuar se një sulm apo sabotim është kryer ndaj Centralit Hidroelektrik “Guri”.

Opozitarët venezuelas pretendojnë se kjo ndërprerje është shkaktuar si pasojë e infrastrukturës së vjetër dhe të pariparuar duke akuzuar qeverinë dhe Presidentin Maduro për këtë situatë./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne