Vettingu: Kush janë 10 emrat që kualifikohen për Këshillin e Lartë Gjyqësor

Kuvendi ka përmbyllur procesin e seleksionimit të kandidatëve që kanë aplikuar nga radhët e avokatëve për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, ku 10 i përmbushin kriteret ligjore për të qenë pjesë e institucionit më të rëndësishëm të sistemit gjyqësor.

Për këto poste të rëndësishme janë kualifikuar kandidatët: Arben Prifti, Fatos Lazimi, Sokol Lamaj, Genti Sinani, Aben Vani, Alban Toro, Saimir Vishaj, Fatmira Luli, Gëzim Allaraj dhe Sinan Tafaj.

Për secilin prej kandidatëve është bërë verifikim për shlyerjen e detyrimeve pranë Tatim-Taksave dhe në rastet kur aplikuesi ka rezultuar debitor, atëherë Kuvendi i ka hequr pikë nga renditja. “Për kandidatin Sinan Tafaj, referuar shkresës së DPT-së, rezulton se ka detyrime tatimore të pashlyera, por që falen sipas ligjit 33/2017. Duke pasur parasysh që kandidati është përfitues i statusit të të verbrit, në bazë të ligjit 8098/1996 ‘Për statusin e të verbrit’. Referuar nenit 4 të këtij ligji, personat që përfitojnë statusin e të verbrit janë të përjashtuar nga të gjitha tatimet e drejtpërdrejta.

Mbi sa më sipër, për këtë kandidat nuk është aplikuar ulja në pikë për kriterin e përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë”, thuhet në raportin e Kuvendit. Nga verifikimi i dosjeve tre kandidatë kanë marrë vlerësimin maksimal nga Kuvendi.

“Në përfundim kandidatët kanë këtë shkallë të përmbushjes së kritereve profesionale dhe morale

A) Shkëlqyeshëm kandidatët: Sinan Tafaj, Arben Prifti dhe Fatos Lazimi;

B) Shumë mirë, kandidatët: Genti Sinani, Sokol Lamaj, Arben Vani, Alban Toro, Saimir Vishaj, Fatmira Luli dhe Gëzim Allaraj”, thuhet në raportin final.

TË PËRJASHTUARIT

Ndërkohë që nga gara janë skualifikuar 7 kandidatë, të cilët sipas argumenteve të sekretarit të Kuvendit të Shqipërisë, pjesa më e madhe e tyre nuk përmbushte kriterin e 15 viteve eksperiencë si avokat. Ndërsa vetëm njëri prej tyre ka rezultuar të ketë qenë bashkëpunëtor ose i favorizuar i sigurimit të shtetit.

“Simon Vorfi nga verifikimi i dokumentacionit të bërë nga Komisioni i Pavarur Ad-Hoc pranë Avokatit të Popullit rezulton se kandidati nuk përmbush kushtin ligjor të parashikuara nga germa ‘g’ e pikës 3 të nenit 19 të ligjit nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’. Mosplotësimi i këtij kushti është konfirmuar nga shkresa nr. 153, datë 24.03.2017, e paraqitur nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet në raportin final të Kuvendit. Ndërsa kandidatët e tjerë të skualifikuar janë Aleksandër Raspopi, Arben Spaho, Ismail Uka, Vjollca Pustina, Ermir Mema, Betula Toto.

KANDIDATËT E KUALIFIKUAR PËR KLGJ-NË

1. Arben Prifti. Ka detyrime tatimore në vijimësi, afati i pagesës së të cilave sipas legjislacionit në fuqi përfundon në datën 20.07.2017. Për këtë arsye, nuk ka ulje pikësh. Vlerësimi final mbetet i njëjtë me atë të Komisionit AD-Hoc pranë Avokatit të Popullit, 77 pikë.

2. Fatos Lazimi. Ka detyrime tatimore në vijimësi, afati i pagesës së të cilave sipas legjislacionit në fuqi përfundon në datën 20.07.2017. Për këtë arsye, nuk ka ulje pikësh. Vlerësimi final mbetet i njëjtë me atë të Komisionit AD-Hoc pranë Avokatit të Popullit, 75.7 pikë.

3. Sokol Lamaj. “Studio Ligjore Lamaj”: me detyrime tatimore një pjesë e të cilave falen sipas ligjit 33/2017, ndërsa pjesa tjetër ka afat pagese deri në datën 20.07.2017. Për këtë arsye, nga rivlerësimi i ulen 3 pikë. Vlerësimi përfundimtar është 75.6- 3 = 72.6 pikë.

4. Genti Sinani. Nuk ka detyrime tatimore të pashlyera, vlerësimi i njëjtë me atë të Komisionit Ad-Hoc, me 72.6 pikë.

5. Arben Vani: nuk ka detyrime tatimore të pashlyera, vlerësimi i njëjtë me atë të Komisionit Ad-Hoc, me 70.6 pikë.

6. Alban Toro. Nuk ka detyrime tatimore të pashlyera dhe nuk ka ulje pikësh. Vlerësimi për këtë kandidat mbetet i njëjtë me atë të dhënë nga Komisioni Ad-Hoc pranë Avokatit të Popullit, 66.4 pikë.

7. Saimir Vishaj. Ka detyrime tatimore në vijimësi, afati i pagesës së të cilave sipas legjislacionit në fuqi përfundon në datën 20.07.2017. Për këtë arsye, nuk ka ulje pikësh. Vlerësimi final mbetet i njëjtë me atë të Komisionit AD-Hoc pranë Avokatit të Popullit, 64.8 pikë.

8. Fatmira Luli. Me detyrime tatimore, një pjesë e të cilave falen sipas ligjit 33/2017, ndërsa pjesa tjetër ka afat pagese deri në datën 20.07.2017. Për rrjedhojë, nga rivlerësimi i ulen 3 pikë. Në total, vlerësimi me pikë shkon në 60.3 pikë.

9. Gëzim Allaraj. Rezulton me detyrime tatimore, të cilat falen për shkak të ligjit 33/2017, ndërsa detyrimet tatimore të tjera në vijimësi kanë afat pagese deri në 20.07.2017. Për rrjedhojë, nga rivlerësimi i ulen 3 pikë. Në total vlerësimi me pikë shkon në 51.5 pikë

10. Sinan Tafaj. Referuar shkresës së DPT-së, rezulton se ka detyrime tatimore të pashlyera, por që falen sipas ligjit 33/2017. Duke pasur parasysh që kandidati është përfitues i statusit të të verbrit, në bazë të ligjit 8098/1996 “Për statusin e të verbrit”. Referuar nenit 4 të këtij ligji, personat që përfitojnë statusin e të verbrit janë të përjashtuar nga të gjitha tatimet e drejtpërdrejta. Mbi sa më sipër për këtë kandidat nuk është aplikuar ulja në pikë për kriterin e përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë.

KANDIDATËT E SKUALIFIKUAR

1. Aleksandër Raspopi. Kandidati nuk plotëson kushtin ligjor të vjetërsisë në punë, pasi nuk përmbush periudhën 15 vjet përvojë në profesion si jurist.

2. Arben Spaho. Kandidati nuk plotëson kushtin ligjor të vjetërsisë në punë, pasi nuk përmbush periudhën 15 vjet përvojë në profesion si jurist. Gjithashtu, kandidati ka mungesa të theksuara dokumentacioni për të vërtetuar përmbushjen e kushteve ligjore.

3. Ismail Uka. Kandidati nuk plotëson kushtin ligjor të vjetërsisë në punë, pasi nuk përmbush periudhën 15 vjet përvojë në profesion si jurist.

4. Simon Vorfi. Nga verifikimi i dokumentacionit të bërë nga Komisioni i Pavarur Ad-Hoc pranë Avokatit të Popullit rezulton se kandidati nuk përmbush kushtin ligjor të parashikuara nga germa “g” e pikës 3 të nenit 19 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Mosplotësimi i këtij kushti është konfirmuar nga shkresa nr. 153, datë 24.03.2017, e paraqitur nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit.

5. Vjollca Pustina. Kandidatja nuk plotëson kushtin ligjor të vjetërsisë në punë, pasi nuk përmbush periudhën 15 vjet përvojë në profesion si juriste.

6. Ermir Mema. Nga verifikimi i dokumentacionit të paraqitur rezulton se kandidati plotëson kushtin e përvojës prej të paktën 10 viteve si avokat, ndërkohë që nuk plotësohet kushti i vjetërsisë prej 15 vitesh në profesion si jurist.

7. Betula Toto. Kandidati nuk plotëson kriteret prej 15 vjet vjetërsi në profesionin e juristi bazuar në germën “d” të pikës 3 të nenit 19 të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne