“Xhamia liberale” brenda kishës në Berlin, i mbyll dyert nikabit dhe burkës dhe i hap për komunitetin LGBT

“Xhamia e parë liberale” e Gjermanisë është hapur brenda një kishe protestante në Berlin. Nikabi dhe burka do të ndalohen nga vendi i adhurimit, me organizatoren e saj që ka thënë se ato janë një “shfaqje politike” dhe “nuk kanë të bëjnë me fenë”.

“Në thelb, dera e xhamisë është e hapur për të gjithë, me një përjashtim: Askush nuk do të vijë me nikab apo burka”, tha për Spiegel Online organizatorja Sejran Atesh, e cila u shpërngul në Gjermani nga Turqia kur ishte gjashtë vjeç.

Seyran Ateş

Ndalimi i perçes që vishet nga shumë femra në komunitetin musliman nuk është e vetmja kthesë moderne që po sillet në xhaminë Ibn Ruschd-Goethe, e cila ka marrë emrin e filozofit islam Ibn Rushd (Averrosi) dhe të autorit gjerman Johann Wolfgang von Goethe, Sipas Berliner Morgenpost.

Sipas Atesh, burrat dhe gratë gjithashtu do të lejohen të luten dhe të predikojnë së bashku, e jo veç e veç. Anëtarët e komunitetit LGBT do të mirëpriten gjithashtu.

Muslimanët suni dhe shiitë inkurajohen gjithashtu të luten së bashku në xhami.

Atesh, një feministe, aktiviste e paqes dhe avokate, tha se ajo ndjeu se ishte “në fund të fundit e papërgjegjshme” për një grua muslimane progresive si ajo që thjesht të ankohej për organizatat islamike konservatore, në vend që të hapte xhaminë e saj.

Ajo tha se ishte e frymëzuar për të hapur xhaminë pasi foli me Ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble, i cili dikur i tha asaj se muslimanët liberalë duhet të bashkohen së bashku.

Atesh po merr me qera hapësirën për xhaminë nga Kisha Protestante St. Johanes. Megjithatë, ajo më parë tha se shpreson që xhamia një ditë të ketë ndërtesën e vet.

Ajo tha se synon të arrijë “ata që nuk janë ndjerë si në shtëpi në ndonjë xhami në Berlin”, të cilët dëshirojnë të jetojnë një “besim modern, paqësor, liberal dhe tolerant”, dhe “nuk duan ndonjë predikim politikisht përçarës”.

Ajo gjithashtu shpreson se mund të arrijë muslimanët më konservatorë, duke vënë në dukje se kjo arrihet vetëm “duke vendosur një model, me dyert e hapura, në një hapësirë ​​ku mund të bëhet çdo pyetje”.

“Këtu nuk i themi askujt se çfarë është një musliman i mirë dhe çfarë është një musliman i keq”.

Në ditën e parë të lutjes Atesh do të predikojë në gjermanisht, duke i përkthyer fjalët e saj në turqisht dhe arabisht.

Megjithatë, Atesh tha se rruga për hapjen e xhamisë nuk ka qenë krejtësisht e qetë dhe se ajo ka marrë disa kërcënime “të dhunshme dhe të turpshme”, të cilat e nxitën atë të kërkonte mbrojtjen e policisë në hapjen e xhamisë të premten. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne