A do parandalojnë ndërkombëtarët ridjegien e Shqipërisë?

Përplasjet e dhunshme para KZAZ-ve, mes militantëve të opozitës dhe policisë, janë një shembull i frikshëm i asaj që mund të ndodhë më 30 qershor. Deri tani ka disa të plagosur, dhe dhjetëra të arrestuar. Por nëse situata nuk ndryshon, bilanci mund të jetë edhe më tragjik.

Dhjetë ditë nga zgjedhjet, të gjitha palët po u bien “daulleve të luftës”. PS është e vendosur të respektojë datën e zgjedhjeve. PD këmbëngul në pengimin me forcë të tyre. Presidenti Ilir Meta, paralajmëroi gjatë takimit me ambasadorët e huaj, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, dhe nxjerrjen e ushtrisë në rrugë. Ky akt, do të pamundësonte mbajtjen e zgjedhjeve.

Deri tani ndërkombëtarët kanë reaguar në parim kundër dhunës. Por kjo s’mjafton. Mazhoranca do të paguajë koston e vet, për zgjedhjet që po mban pa një opozitë të mirëfilltë përballë. Por të huajt duhet të distancohen prerë dhe vendosin sanksione, edhe ndaj atyre që po luajnë me stabilitetin e vendit.

Kjo do të shmangte precedentin më të rrezikshëm: kushdo që kërkon me çdo kusht pushtet, mjafton të jetë gati t’i vërë flakën vendit, dhe e arrin synimin. Zgjidhja e krizës aktuale, do kalojë me siguri përmes zgjedhjeve të reja parlamentare. Por deri atëherë, ka shumë për të parë.

Brenda korrikut ngrihet Byroja Kombëtare e Hetimit, që do të hetojë korrupsionin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë. Kjo krizë mund të ketë tmerruar shumë shqiptarë, por mund t’ia “vlejë”, nëse ajo do të jetë shkaku i fillimit të spastrimeve të mëdha në “moçalin” e politikës shqiptare./tiranatoday

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne