Ambasada e Rusisë ironi me Ngjelën: Ku janë zhdukur “400 oficerët rusë” që do bënin trazira

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar pas një shkrimi të avokatit Spartak Ngjela, i cili ditët e fundit ka ngritur disa herë akuza se Rusia po kërkon të destabilizojë Shqipërinë. Në një status në “Facebook”, Ambasada Ruse bën ironi me Ngjelën dhe pyet se ku shkuan “400 oficerët rusë” për të cilët avokati kishte thënë para zgjedhjeve të vitit 2017 se do destabilizonin Shqipërinë. Në fund, Ambasada Ruse thotë se po pret me padurim, detaje të reja nga Ngjela.
STATUSI I AMBASADËS RUSE
Kemi lexuar kryeveprën e radhës, që pretendon të quhet analizë, nga Spartak Ngjela, në të cilën mbi Rusinë hidhet përgjegjësia e destabilizimit të situatës politike në Shqipëri.
Të tilla konkluzione që nxirren pa asnjë bazë të besueshme ngjallin dyshime serioze për kompetencën dhe nivelin intelektual të autorit. Në këtë kuadër, nuk mund të mos kujtohet edhe historia magjepsëse e treguar më parë nga zoti Ngjela për “400 oficerë rusë” që, sipas tij, ishin futur në Shqipëri në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s për të organizuar trazira. Po meqë ra fjala, ku janë zhdukur këta “oficerë”? Po presim me padurim, zoti Ngjela, detaje të reja nga ju!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne