“Arsyeja për ndërprerjen e procesit të paqes në rajon është Izraeli”

Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohamed bin Abdulrahman Al-Thani, tha se arsyeja e ndërprerjes së procesit të paqes në Lindjen e Mesme është injorimi i normave ndërkombëtare nga Izraeli.

Al-Thani mori pjesë nëpërmjet videokonferencës në Forumin e 9-të të Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe që u zhvillua në nivel ministror për të biseduar për krizat në Libi, Jemen dhe Siri.

Në një fjalim të mbajtur në këtë forum, Al-Thani, tha se “Arsyeja e ndërprerjes së procesit të paqes në rajon është se Izraeli injoron të gjitha normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare”.

Duke vënë në dukje se çështja palestineze ndodhet gjithmonë në krye të axhendës së përbashkët të Kinës dhe botës arabe, Al-Thani deklaroi se paqja është rruga e vetme për të siguruar të ardhmen dhe stabilitetin e botës.

Në kuadrin e zhvillimeve të përjetuara në botë, marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të ridizenjohen në kuadrin e parimit të bashkëpunimit, solidaritetit dhe bashkëjetesës mes të gjithë popujve, tërhoqi vëmendjen Al-Thani duke vënë theksin mbi rëndësinë e zgjidhjes politike në krizat e Sirisë, Jemenit dhe Libisë.

Forumi i Bashkëpunimit Kinë-Shtetet Arabe u formua në vitin 2004 me qëllim për të siguruar bashkëpunimin në marrëdhëniet ekonomike, kulturore dhe ndërkombëtare./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne