Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin e BE-së për kompromis, insiston në njohjen de fakto

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se në takimin e sotëm të liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk e pranoi propozim-kompromisin e BE-së për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, raporton Anadolu.

Borrell, siç tha, ka ofruar që palët të fillojnë të zbatojnë kërkesat e tyre paralelisht, në mënyrë që të dyja palët të marrin diçka dhe të japin diçka, por kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm të fillojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në vend të kësaj ka kërkuar njohjen e parë de fakto nga ana e Serbisë.

Përfaqësuesi i Lartë tha se si Bashkimi Evropian, ashtu edhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar, përfshirë partnerët amerikanë, e shohin këtë si të vetmen mënyrë që ligji të funksionojë.

“Të dyja palët duhet të kenë garanci se veprimet shpërblehen, me kundërmasa nga pala tjetër”, tha Borell.

“Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ishte i gatshëm për të ecur përpara dhe për të filluar një proces të besueshëm për themelimin e Asociacionit. Ai insistoi në njohjen formale de fakto si hapi i parë”, tha Borrell, duke shtuar se presidenti serb Vuçiq e pranoi propozimin e BE-së.

Borrell tha se edhe pse Kosova ka ndërmarrë hapa për të ulur tensionet në veri të Kosovës, ajo “nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet”. Ai tha se BE-ja vlerëson se rruga e dorëheqjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri të Kosovës është më e shpejta dhe më e mira për zgjedhje të reja, ndërsa peticioni është rrugë shumë e gjatë dhe e pasigurt për zgjedhje.

Ai po ashtu tha se serbët e Kosovës duhet të tregojnë konstruktivitet dhe të marrin pjesë pa kushte në zgjedhje, për çka tha se ka marrë garanci nga presidenti serb.

“Nëse nuk ka përparim në zgjedhje, rreziku i përshkallëzimeve të reja do të vazhdojë”, tha Borrell.

Ai tha se për të dyja vendet, nëse duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, kushti është normalizimi i marrëdhënieve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne