Bushati: Bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë ende nuk kanë përfunduar

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk kanë përfunduar dhe se ende nuk është arritur një marrëveshje për kufirin detar.

Në fjalën e tij Bushati deklaroi se Presidenti i vendit, Ilir Meta, jep vetëm autorizim për nisjen e punës për negociatat.

“Pas takimit të Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit Tsipras në Samitin e NATO-s në qershorin e vitit të kaluar u ra dakord që krahas mekanizmit diplomatik, ministrat e Punëve të Jashtme të të dy vendeve, së bashku me ekipe nga institucione të ndryshme të dy shteteve të diskutonin në mënyrë më intensive, siç ishin takimet e Kretës dhe të Korçës për çështje që kishin lidhje me këtë paketë”, tha Bushati.

Më tej Bushati shtoi se “Ne kemi mundësi sot për sot që krahas fryteve të kësaj pakete, të cilat do të jenë në proces dhe lajme pozitive do të ketë edhe në ditët në vijim, që kanë impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve tanë, të kishim mundësi që të fillonim punën për një marrëveshje të re për de-limitimin e zonave detare”.

Duke folur për arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve, Bushati theksoi se me gjithë ulje-ngritjet që kanë pasur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, rruga për një marrëveshjeje të re nuk është e lehtë.

“Rruga drejt në marrëveshjeje të re nuk është aspak e lehtë. Është bërë një punë shumë e madhe përpara për të hapur një faqe të re. I kam kërkuar Presidentit dhënien e autorizimit për të filluar punën konkrete. Do të kemi një marrëveshje të zbatueshme për të dyja palët. Presidenti i Republikës jep autorizimin. Për dhënien e plotfuqishmërisë është kompetencë e ministrit të Punëve të Jashtme. Për këtë lloj negocimi, unë si ministër i Jashtëm i kam kërkuar Presidentit dhënien e autorizimit për plotfuqishmëri për fillimin e bisedimeve me Greqinë për të filluar punën konkrete me dëshirën dhe synimin për të arritur një marrëveshje me Greqinë për këtë çështje”, tha Bushati.

Kujtojmë se mes zyrtarëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh në muajt e fundit, mbi çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk e ka dhënë ende autorizimin për plotfuqishmërinë për fillimin e negociatave zyrtare mes dy vendeve për arritjen e marrëveshjes për caktimin e kufirit detar.

Nga ana tjetër, komunitetit çam që jeton në Shqipëri ka kërkuar transparencë në lidhje me negociatat që pritet të zhvillohen mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet e hapura mes dy vendeve dhe që të mos fshihet emri Çamëri nga tekstet shkollore. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne