Bota

Çavusoglu: Koha për t’i dhënë fund miteve rreth Turqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, në një artikull për gazetën britanike “The Telegraph”, ka theksuar se operacioni antiterrorist “Dega e Ullirit” synon paqen dhe eliminimin e kërcënimit të strukturave terroristeve ndaj integritetit territorial të Sirisë.

Çavusoglu ka shkruar artikullin “Koha për t’i dhënë fund miteve rreth Turqisë. Evropa nuk mundet ta bëjë pa ne”, në të cilin ka vlerësuar orientimet themelore të Sirisë, Lindjes së Mesme dhe Turqisë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Shefi i diplomacisë turke ka potencuar se Turqia përpiqet në plotësimin e tri objektivave në Siri, të cilat janë “lehtësimi i dhimbjeve të njerëzve”, “lufta kundër terrorizmit” dhe “zgjidhja politike”.

Duke theksuar se lehtësimi i dhimbjes së njerëzve në Siri paraqet prioritet për Turqinë, Çavusoglu ka shkruar se numri i refugjatëve sirianë tejkalon 5.5 milionë dhe se shumica janë strehuar në Turqi, vend i cili, siç ka thënë, është bërë shpenzuesi numër një në mbarë botën për kokë banori për sa i përket ndihmave humanitare.

Ai është shprehur se Turqia ka ndërmarrë iniciativë për të mos u lejuar asnjë hapësirë veprimi strukturave terroriste.

“Turqia po përdor forcën kundër PKK/YPG dhe DEASH-it dhe po kujdeset maksimalisht për të mos u dëmtuar civilët. Ne do të vazhdojmë të ekspozojmë propagandën e errët që synon të mashtrojë opinionin publik për rolin e Turqisë në Siri. Ne gjithashtu kemi ekspozuar marrëveshjen e fshehtë midis rrjeteve terroriste, siç është fakti që terroristët e PKK/YPG-së pretendojnë se luftojnë DEASH-in, ndërsa lejojnë atë të lëvizë”, thotë Çavusoglu.

Çavusoglu ka vënë në dukje se Turqia është duke treguar përpjekje intensive për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Siri, duke shtuar se janë në favor të një zgjidhjeje politike, e cila mbështetet në integritetin territorial të Sirisë dhe reflekton vullnetin e popullit sirian.

Duke folur edhe për operacionin “Dega e Ullirit”, kryediplomati turk thekson: “Operacioni Dega e Ullirit, i nisur nga Turqia, duke mbrojtur qytetarët tanë, synon të pastrojë rrugën për paqen duke ndërmarrë veprime kundër kërcënimit ndaj integritetit territorial të Sirisë nga subjektet terroriste. Luftimi i DEASH-it nuk duhet të thotë që ne nuk luftojmë terroristët e tjerë. Ne i kërkojmë SHBA-së dhe të tjerëve që të ndalojnë armatosjen e PKK/YPG-së”.

Më tej, Çavusoglu ka shprehur nevojën për një marrëveshjeje urgjente gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme, që gjendet në afërsi të Evropës.

“Evropa gjeti paqen kur në Helsinki në mesin e viteve 70 kur ne njohëm paprekshmërinë e kufijve dhe u zotuam të respektojmë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Lindja e Mesme ka nevojë për një lloj marrëveshjeje të ngjashme tani më shumë se kurrë për të gjetur paqen”, thotë Çavusoglu.

Duke tërhequr vëmendjen se shtetet kombe janë nën sulm nga forcat transnacionale, të tilla si separatizmi, sektarizmi dhe terrorizmi, Çavusoglu shprehet:

“Qëndrueshmëria e shteteve kombe ka nevojë për forcim kundër forcave të tilla të dëmshme. Kjo, dhe jo shkëputja e pafund e shteteve, është formula për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve në rajon dhe më gjerë. Rajoni ka nevojë për një rend që është i formuar brenda dhe i konsideron kufijtë ekzistues, duke përfshirë një shtet për palestinezët, si të vendosura si kusht nga Kombet e Bashkuara shtatë dekada më parë”.

Sipas Çavusoglus, Turqia është një aleate e fortë, e vendosur dhe aktive e NATO-s dhe një demokraci që po filtron një numër të madh rreziqesh para se të arrijnë në Evropë.

“Është e vërtetë se populli im është i pakënaqur me qëndrimet e shfaqura nga disa aleatë në një numër temash. Edhe pse ka unitet në diversitet, ne duhet të ndalemi para se të largohemi nga diversiteti në mosmarrëveshje dhe të tregojmë solidaritet të ndërsjellë (jo të njëanshëm)”, ka theksuar ai.

Ministri turk ka shkruar se anëtarësimi i Turqisë në BE është në dobi të të gjithëve dhe se ritmi i rrugës drejt anëtarësimit nuk kontrollohet nga Turqia, por nga BE-ja.

Perspektiva në këtë drejtim duhet të vendoset në një pozitë të duhur, ka theksuar shefi i diplomacisë turke, duke shtuar se Evropa pa Turqinë do të mbetet e pambrojtur.

“Turqia është një pasuri, në sajë të një ekonomie që po rritet në nivele që çdo shtet evropian do të donte t’i arrinte. Andaj, ideja se Turqia do të jetë një barrë për BE-në është e pasaktë”, ka vlerësuar ai.

“Duhet të jetë e përshtatshme të përgatiten popujt tanë për eventualitetin pozitiv të anëtarësimit të Turqisë në vend se t’i nënshtrohemi ekstremistëve që kërcënojnë me ripërcaktimin e qendrës politike në shumë vende evropiane. Mbrojtja e demokracisë, paqes dhe prosperitetit do të varet nga mënyra se si Evropa do të përballet ndaj ekstremeve, ndërsa Turqia është pjesë e zgjidhjes”, ka shtuar Çavusoglu, duke thënë se liberalizimi i vizave është hapi i parë që duhet të merret.

Ministri i Jashtëm i Turqisë më tej ka theksuar se gjendja e jashtëzakonshme në Turqi do të përfundojë kur Turqia më nuk do të ketë nevojë për të, duke shtuar se për këtë më së shumti do të gëzohet qeveria turke.

Duke folur për masat e Turqisë pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 nga organizata terroriste FETO, Çavusoglu është shprehur:

“Vetëm 20 muaj më parë, një grup fanatikësh u përpoqën të përmbysnin me forcë demokracinë në Turqi. Në një konfrontim epik, njerëzit dhe shteti i Turqisë e mposhtën këtë tentativë të ndërmarrë nga një formë e re e organizimit të terrorizmit të quajtur FETO. Populli turk dëshiron të jetojë në një vend demokratik. Tani po kalojmë një fazë të domosdoshme gjatë së cilës sigurohemi që anëtarët e FETO-s, përfshirë edhe qelizat e fjetura, të largohen nga të gjitha pozicionet e pushtetit në organet shtetërore, mediat, bizneset dhe akademia. Ky është një proces i mundimshëm, por ne veprojmë në mënyrë rigoroze brenda kufijve të ligjit”.

Ai po ashtu ka shkruar se gjatë këtij procesi janë aktivizuar mekanizma për shqyrtimin e vendimeve të marra.

Në fund, Çavusoglu ka vënë në dukje se në ditët e sotme, informacioni dhe dezinformacioni që rrjedhin në të gjitha drejtimet në vëllime të papara, ngatërrojnë madje edhe njerëzit e mençur.

“Megjithatë, është koha për të lëvizur përtej konfuzioneve të tilla, që të gjithë ne të riintensifikojmë kontaktet dhe proceset në të gjitha nivelet dhe të tregojmë solidaritet të ndërsjellë”, ka shkruar ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. (AA)

OPINIONE