Shqiperia

Djegia e makinës, ja dyshimet e policisë për pedagogun dhe të shoqen dekane (video)

Pedagogut të Universitetit të Elbasanit, Arben Haxhiymeri i kanë djegur makinën për herë të dytë. Sipas policisë, ngjarja ndodhi mesnatën e së shtunës në lagjen “Qemal Stafa”, ku e kishte parkuar mjetin e tij tip “Benz” me targë AA 484 FG para pallatit ku ai banon. Nga pamja e disa kamerave rreth vendit të ngjarjes është parë një person, i cili e ka spërkatur me benzinë makinën dhe më pas i ka vënë flakën (shih videon më poshtë).

Nuk është hera e parë që pedagogut në Fakultetin e Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” i digjet mjeti i tij.

Rreth një vit më parë atij iu vu flaka në mjet, sërish në orët e vona të natës, dhe Policia ende nuk ka një autor për atë ngjarje. Edhe pse për të dyja rastet janë shoqëruar persona të dyshimtë që mund t’i kenë vënë zjarrin makinës së profesorit, deri më tani nuk ka asnjë autor të ndaluar. Madje, asokohe ai u paralajmërua në formë anonime se nëse do të tentonte të blinte makinë, atij sërish do t’ia digjnin.

Dyshohet se profesori 62- vjeçar, Arben Haxhiymeri, të jetë i përfshirë në korrupsion sa i përket provimeve të studentëve. Policia bëri të ditur se kjo është ndër pistat kryesore të hetimit. Gjithashtu një pistë tjetër është ajo që pedagogu nuk ka dhënë notë kaluese në ndonjë provim dhe si hakmarrje ndaj tij mund t’i jetë djegur mjeti.

Por edhe pse dyshimet janë të forta, deri më tani nuk ka asnjë fakt që ta vërtetojë se mjeti është djegur për hakmarrje ndaj profesorit. Policia është duke shfletuar tashmë edhe te studentët e ngelur nga ana e tij, ku nuk përjashtohet mundësia që disa të dyshuar prej tyre të merren në pyetje.

Një prej pistave të tjera të Policisë është edhe ndonjë hakmarrje ndaj bashkëshortes së pedagogut, e cila është dekane në Fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe mund të jetë e përfshirë gjithashtu në afera korruptive me studentët e saj, raporton gazeta “Panorama”.

Policia i ka marrë të dy në pyetje, por burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se çifti i bashkëshortëve kanë pohuar se nuk kanë konflikt me asnjë person, aq më tepër me studentë. Profesor Arben Haxhiymeri është person i njohur në Elbasan, pasi ka më shumë se 40 vjet që ushtron profesionin e pedagogut në universitet.