Franca bën nisma ndërmjetësimi për organizatën terroriste YPG/PKK

Siç bëjnë të ditur burime nga Këshilli Kombëtar Kurd në Siri (ENKS), Franca po ndërmerr nisma për të zgjidhur problemet ndërmjet YPG/PKK-së dhe ENKS-së, e konsideruar si përfaqësues legjitim i kurdëve opozitarë sirianë.

Në këtë suazë, zyrtarë francezë janë takuar 10 ditë më parë me përfaqësues të ENKS-së, të cilëve u kanë propozuar “pajtim” me YPG/PKK-në dhe mundësi për të hapur zyra në zonat e pushtuara nga organizata terroriste.

Anëtarët e ENKS-së kanë zhvilluar një takim 3-ditor në Kamishli për të vlerësuar këtë propozim të francezëve dhe kanë arritur në përfundimin se nuk mund t’i zënë besë organizatës në fjalë.

Bëhet e ditur se zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbërrijnë së afërmi në rajon për të diskutuar të njëjtën çështje me autoritete të ENKS-së.

Franca ka prani ushtarake në 5 lokalitete të ndryshme brenda zonës së pushtuar nga YPG/PKK-ja në Siri, gjë të cilën nuk e pranon zyrtarisht.

Vend që mbështet YPG/PKK-në nën justifikimin e forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it, Franca ka rreth 200 trupa në Siri.

Ushtarët francezë përdorin si bazë një fabrikë sheqeri në veri të Rakës, përreth të cilës ndodhen një ndërtesë e zbulimit teknik dhe depo armësh.

Në Ayn Isa, një tjetër bazë në veri të kësaj zone, këshilltarët ushtarakë francezë trajnojnë anëtarët e organizatës separatiste terroriste YPG/PKK.

Kurse zona me më shumë prani ushtarake franceze është ajo e bazës ajrore Tabka, të cilën e përdorin së bashku me trupat amerikane.

Tjetër zonë operacionale e ushtarëve francezë është edhe Menbixhi, ku ata realizuan patrullime të përbashkëta me terroristët e YPG/PKK-së gjatë muajve që në rend të ditës ishte një operacion ushtarak i mundshëm i Turqisë në këtë krahinë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne