Francezët kritikojnë mbështetjen e pakushtëzuar të Macronit për Izraelin dhe thirrjen e vonshme për armëpushim

Opozita dhe njerëz të shumtë në Francë kanë reaguar pasi presidenti Emmanuel Macron, i cili ka mbështetur Izraelin që nga fillimi i sulmeve në Gaza, bëri thirrje të vonshme për armëpushim pas vrasjes së mbi 11 mijë njerëzve nga sulmet izraelite, kryesisht gra dhe fëmijë.

Që nga dita e parë, Parisi zyrtar bënte thirrje për një “pauzë humanitare”, jo për “armëpushim” që do të ndalonte plotësisht sulmet, duke pretenduar se Izraeli, i cili ka sulmuar intensivisht Gazën, duke vrarë mijëra civilë, përfshirë fëmijë, kishte “të drejtë të vetëmbrohet”.

Ndërsa ky qëndrim i qeverisë ishte kritikuar nga opozita në vend, Macron tha në një intervistë ekskluzive me transmetuesin britanik BBC më 10 nëntor se armëpushimi që do të zbatohej në Gaza do të ishte në dobi për Izraelin.

Në intervistën e tij, Macron deklaroi se civilë kanë vdekur në sulmet e Izraelit në Gaza dhe tha: “Foshnjat, gratë dhe të moshuarit po bombardohen dhe vriten. Nuk ka asnjë justifikim apo legjitimitet për këtë. Prandaj i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë”.

Megjithatë, kjo thirrje për një armëpushim të plotë në Gaza, e cila u ngrit për herë të parë nga Franca, u konsiderua si një deklaratë e vonuar që erdhi pasi më shumë se 11 mijë civilë humbën jetën.

Mathilde Panot, nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Franca e Papërkulur (LFI), një nga përfaqësuesit kryesorë të opozitës në Francë, deklaroi se Macron e bëri thirrjen e armëpushimit në Gaza “10 mijë vdekje më vonë”.

Francezë të cilët u mblodhën në Paris për të mbështetur Palestinën, folën për Anadolu në lidhje me thirrjen e Macronit dhe mbështetjen që ai i ka dhënë Izraelit që nga fillimi i zhvillimeve.

“Më vjen turp për qëndrimin e Francës”

Kryetari i bashkisë Gennevilliers, Patrick Leclerc, e përshkroi qasjen e qeverisë franceze ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza si më poshtë:

“Qeveria jonë duhet të marrë pak guxim dhe të ndërmarrë veprime për të kërkuar armëpushim për të arritur paqen dhe për të gjetur zgjidhje. Më vjen turp për qëndrimin e shfaqur nga qeveria franceze. Shteti francez ka devijuar nga qëndrimi që ka pasur për dekada. I dha mbështetje të pakushtëzuar Izraelit në fillim të konfliktit”.

Lidhur me sulmet e Izraelit, Leclerc tha: “Është përgjegjësi e të gjitha shteteve të respektojnë ligjin ndërkombëtar. Izraeli gjithashtu duhet të pajtohet me këtë”.

Duke deklaruar se ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat e organizuara për të parandaluar masakrën ndaj palestinezëve që nga fillimi i sulmeve të Izraelit në Gaza, Leclerc tha se prej kohësh ka mbështetur luftën e popullit palestinez për të krijuar një shtet në tokën e tij.

“Macron dhe Perëndimi janë gjithashtu përgjegjës për veprimet e Netanyahut”

Hebreu francez Serge Grosswak gjithashtu vuri në dukje se ai e konsideron thirrjen e Macronit për një armëpushim, megjithëse e vonuar, si një hap pozitiv.

“Kjo nuk e eliminon faktin që ai dhe shtetet perëndimore janë përgjegjës për lejimin e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu të vazhdojë në këtë mënyrë”, tha ai.

Grosswak vuri në dukje fatkeqësinë humanitare dhe humbjen e jetëve në Gaza dhe tha se dihet se Netanyahu ka dashur të dëbojë banorët e Gazës në Egjipt për një kohë të gjatë.

“Frika e vendeve perëndimore e lejon këtë fashist (Netanyahun) të veprojë lirshëm”, tha Grosswak, duke theksuar nevojën për të bërë përpjekje derisa të gjendet një “zgjidhje njerëzore dhe vëllazërore”.

“Pas Izraelit është qartë imperializmi amerikan, britanik dhe francez”

Pascal Le Manach, anëtar i partisë “Lutte Ouvriere” (LO-Lufta e Punëtorëve), tha: “Macron i dha mbështetje shumë të shpejtë Izraelit, duke deklaruar se shteti i Izraelit ka të drejtë të vetëmbrohet”.

Le Manach deklaroi se ishte kundër sulmit gjithëpërfshirës të kryer nga krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz al-Din al-Qassam, në mëngjesin e 7 tetorit, “megjithatë, përgjigja e shtetit izraelit ndaj kësaj është masakra e vazhdueshme e popullit palestinez, me mbështetjen e SHBA-së, siç ka ndodhur për 75 vjet”.

“Pas Izraelit, është qartësisht imperializmi amerikan, britanik dhe francez”, vlerësoi ai.

Duke theksuar se miliona njerëz në komunitetin ndërkombëtar janë në tronditje dhe zemërim të madh për sulmet e ushtrisë izraelite ndaj popullit palestinez, Le Manach tha: “Izraeli po bën atë që ka bërë për 75 vjet, me mbështetjen dhe bashkëfajësinë e imperializmit amerikan dhe perëndimor. Macron që nga fillimi, ka mbështetur shtetin e Izraelit kundër popullit palestinez”.

Parisiani Riyad Bensari tha gjithashtu: “Unë nuk mendoj se qëndrimi i Macronit do të ketë ndonjë ndikim në atë që po ndodh atje, qoftë pozitiv apo negativ.

Duke theksuar se Macron fillimisht mbështeti sulmet e Izraelit, Bensari tha se presidenti francez ishte i vetëdijshëm se qëndrimi i tij në fillim të sulmeve nuk përkonte me opinionin publik të vendit të tij.

Thibaut Legain, student 23-vjeçar që studion në qytetin e Besanconit, tha: “Unë mendoj se (Macron) i ndan shumë francezët”.

Lidhur me thirrjen e Macronit për armëpushim, Legain tha: “Mendoj se ai u përkul para presionit të njerëzve. Nuk është plotësisht i qartë. Ai dëshiron t’i japë vetes një imazh. Mendoj se nuk është i sinqertë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne