IKD: Asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për korrupsion

Asnjë aktgjykim i formës së prerë nuk është shqiptuar me burgum efektiv për vepra penale të korrupsionit ndaj profilit lartë. Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, gjatë prezantimit të raportit për paprekshmërinë e profilit të lartë të korrupsionit tha se ende nuk ka asnjë aktgjykim të formës së prerë që është shqiptuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit ndaj profilit lartë dhe se Prokuroritë dhe Gjykatat ende vazhdojnë luftën kundër korrupsionit kryesisht tek korrupsioni i nivelit të ultë, dhe niveli i mesëm dhe rrallë herë kundër nivelit të lartë.

“Në vitin 2019 kanë qen gjithsej 854 lëndë të korrupsionit, ndërsa prej tyre 433 të profilit të ulët,357 persona të profilit të mesëm dhe 54 prej tyre kanë qen persona që i takojnë profilit të lartë” tha ajo duke shpreh shqetësimin se dënimet janë të buta.

Ndërsa, hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala, gjatë prezantimit të analizës ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (LMS) Kosova ka ndërtuar një sistem të raportimit, apo sinjalizimit të shkeljeve në institucionet publike apo private, ku ka përcaktuar fushat për të cilat mund të sinjalizohet, institucionet apo adresat se ku duhet të drejtohet një sinjalizues, procedurat për sinjalizim, mbrojtjen dhe të drejtat e sinjalizuesve, madje edhe të personave të tjerë, të lidhur me sinjalizuesin, mbrojtjen gjyqësore të sinjalizuesve, dispozitat kundërvajtëse e deri tek raportimi vjetor.

Shala tha se sipas këtij ligji, secili sinjalizues ka në dispozicion tri lloje të sinjalizimit: të brendshëm (tek punëdhënësi), të jashtëm (tek autoriteti kompetent) dhe publik (Media, OJQ, internet etj.) dhe se për të sinjalizuar, sipas LMS-së kërkohet vetëm “dyshimi i arsyeshëm”, i cili term nuk është i njëjtë me “provën”, term juridik që nënkupton fakte që shkojnë përtej dyshimit se diçka ka ndodhur.

Tutje, sipas Shalës, Ministria e Drejtësisë nuk ka përmbushur obligimin ligjor për hartimin e rregullores e cila përcakton procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit dhe se që nga hyrja në fuqi e LMS-së, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit si organ tek i cili bëhet sinjalizimi i jashtëm, derisa që nga ajo kohë, as në publik nuk ka pasur asnjë sinjalizim publik.

I pranishëm ne këtë tryezë ishte edhe Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurial të Kosovës i cili tha se janë duke punuar sa i përket luftës kundër korrupsionit, dhe se janë 8 raste që është vlerësuar që Këshilli Prokurial ka vendos drejt kundër zyrtarëve te lartë.

“Po bëjmë përpjekje me luftuar një çështje që me të vërtet është kancer i shoqërisë, nuk jemi të kënaqur me punën që është bëre por gjendja ka ndryshuar krahasuar me vitet e më parshme, para 4 viteve ka qen e pa mendueshme që të akuzohet ndonjë ministër”, tha ai.

Ndërsa Sylë Hoxha, Prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës tha se Prokuroria Speciale, i ka prioritet lëndët korruptive.

“Sipas një vendimit të Kryeprokurorit të Shtetit janë paraqitur aktakuza ndaj 194 personave që  janë të natyrës korruptive, ne mesin e tyre kemi kryeinspektor, Deputet e Ministra”, tha Hoxha.

Kjo konferencë është mbajt në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit./KP

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne