Interesim i lartë për aktivitetin gjigand sportiv në Kosovë, “Prishtina 2018”

Fituesi i edicionit të 18-të të Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2018” këtë vit është keniani, Abel Kibet Rop, i cili shtegun prej 21 kilometra e vrapoi për 1 orë e 6 minuta dhe 2 sekonda. Finalistja e parë nga femrat ishte Christine Moraa Oigo po ashtu nga Kenia, e cila shtegun prej 21 kilometra e përfundoi për 1 orë e 16 minuta dhe 50 sekonda.

Gjysmëmaratona Ndërkombëtare “Prishtina 2018”, e cila organizohet çdo vit nga Federata Atletike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Drejtorinë për Sport dhe Rini e Komunës së Prishtinës, ka mbledhur më shumë se 1.100 atletë vendorë dhe ndërkombëtarë në disa kategori, si kategoria për të moshuarit dhe veteranët, gara deri në 5 km dhe gara 2 km për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët.

Fituesi i Gjysmëmaratonës “Prishtina 2018” tek kategoria e seniorëve për meshkuj, atleti kenian Abel Kibet Rop, në një prononcim për media tha se është hera e dytë që merr pjesë në Gjysmëmaratonën e Prishtinës pasi që ka qenë garues edhe në vitin 2014. “Ndjehem shumë mirë që fitova edhe pse ishte vapë dhe era ishte e fortë”, tha ai.

Ndërsa, fituesja e garës tek kategoria e seniorëve te femrave, Christine Moraa Oigo, tha se është hera e parë që ndodhet në Kosovë. Ajo shtoi: “Moti nuk ka qenë i keq, por ishte pak vapë dhe era ishte paksa e fortë në disa kilometra. Por jam e lumtur që jam fituese dhe ndodhem në Prishtinë në këtë qytet kaq të bukur. Shpresojë të marr ftesën për të vrapuar edhe vitin e ardhshëm”.

Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani, theksoi se edhe edicioni i sotëm do të jetë një mesazh për gjithë qytetarët e Kosovës edhe më gjerë se Federata e Atletikës është e aftë të organizojë gara me karakter ndërkombëtar dhe të mbledhë shumë garues nga mbarë bota.

Ai shtoi se Federata organizon edhe gara kampionale, por sipas tij kjo gara është e të gjithë qytetarëve pavarësisht se çfarë gjuhe flasin apo çfarë ngjyre apo besimi kanë ata.

“Kemi garues nga Kenia, Moldavia, Turqia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Kroacia dhe shumë shtete të tjera që janë bashkuar në këtë garë. Unë mendojë se ky është një festival i Prishtinës, sepse me këtë arrijmë që të tregojmë se këtu po ngjanë diçka interesante dhe gjithherë jemi të gatshëm për organizime të tilla”, tha Sylejmani.

Fituesit e vendit të dytë dhe të tretë të gjysmëmaratonës ishin po ashtu atletë ndërkombëtarë. Në mesin e garuesve që përfunduan gjysmëmaratonën ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Haradinaj ndau çmimin për kategorinë me nevoja të veçanta, garuesit Rron Sejdiu.

Duke iu bërë thirrje të rinjve që vitin tjetër të marrin pjesë edhe më shumë në gjysmëmaratonë Haradinaj tha se: “Mendojë se gjysmëmaratona e Prishtinës ka marrë fizionominë e saj, tashmë është një garë ndërkombëtare dhe i ftoj të rinjtë që të vrapojnë më shumë, dhe vitin tjetër të ketë më shumë pjesëmarrës”.

Kujtojmë se Federata e Atletikës sivjet ka ndarë 14 mijë euro për fituesit e gjysmëmaratonës, ndërsa fituesit e parë nga kategoria për meshkuj dhe femra janë shpërblyer me nga 1.200 euro. (Anadolu Agency – AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne