Irani kërcënon ShBA-në me Detin e Kuq

“Deti i Kuq këtej e tutje nuk do të jetë më i sigurt për amerikanët. Forca e Jerusalemit do të jetë rivali i trupave amerikane”, tha komandanti i forcave elitare të Gardës Revolucionare të Iranit, Kasim Sulejmani në një fjalim mbajtur në qytetin Hemedan.

Gjenerali Kasim Sulejmani, një prej komandantëve të Gardës Revolucionare të Iranit, deklaroi se Deti i Kuq nuk është më i sigurt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Duke folur në një konferencë në qytetin Hemedan të Iranit, Sulejmani, i cili është komandanti i Forcës Jerusalemi pranë Gardës Revolucionare, u përgjigj në lidhje me deklaratat e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, që kishin në shënjestër vendin e tij.

Gjenerali lavdëroi qëndrimin e presidentit iranian, Hasan Ruhani kundër kërcënimeve të Trumpit dhe tha: “Deti i Kuq këtej e tutje nuk do të jetë më i sigurt për amerikanët. Forca e Jerusalemit do të jetë rivali i trupave amerikane”.

Kurse në një fjalim tjetër të tij, transmetuar në televizionin shtetëror në arabisht të Iranit “Al-Alem”, Sulejmani i kishte rekomanduar Trumpit që të nxirrte mësime nga përvoja e paraardhësve të tij”.

Të mërkurën dy anije cisternë me naftë në pronësi të Arabisë Saudite u sulmuan në ujërat e Detit të Kuq nga Huthitë e Jemenit, të cilët mbështeten nga Irani.

Një nga anijet u dëmtua. Pas këtij zhvillimi Riadi zyrtar njoftoi ndërprerjen e përkohshme të transportit të naftës bruto, që bëhet përmes ngushticës që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.

Presidenti iranian Ruhani në një deklaratë që kishte bërë më 22 korrik e kishte paralajmëruar administratën amerikane, e cila ndjek politikën e sanksioneve ndaj vendit të tij, duke i thënë: “që të mos luajë me bishtin e luanit”.

Pas kësaj, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, në një postim që kishte bërë në llogarinë e tij në Twitter si përgjigje ndaj deklaratës së Ruhanit, i ishte drejtuar liderit iranian me fjalët: “Mos e kërcënoni kurrë më ShBA-në, përndryshe do të përballeni me pasoja, që shumë pak njerëz i kanë parë në histori”.

Administrata e Uashingtonit, e kryesuar nga Trump, më 8 maj u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin, dhe që nga nëntori i kaluar e këtej po përgatitet të vendosë sanksione ndaj naftës iraniane.

Qeveria e Teheranit ka njoftuar se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, e cila ndodhet midis Basrës dhe Gjirit të Omanit dhe ka një rëndësi kritike për tregtinë globale të naftës, në rast se ShBA-ja do të pengojë shitjen e naftës iraniane./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne