Bota

Irani mohon se qëndron pas rrëzimit të avionit ukrainas

Irani ka mohuar se është përgjegjës për rrëzimin e avionit të Kompanisë Ajrore Ndërkombëtare të Ukrainës, i cili u rrëzua të mërkurën në Teheran, duke e quajtur akuzën një gënjeshtër dhe operacion psikologjik të SHBA-ve.

Siç raporton agjencia e lajmeve IRNA, në një deklaratë, zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rabiei, tha se një komitet përgjegjës për hetimin e incidentit është formuar në bazë të rregulloreve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Rabiei tha se komiteti do të hetojë rrëzimin e avionit menjëherë dhe në mënyrë transparente, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga shtetet relevante.

Ai theksoi se përfaqësuesi ukrainas veçse ndodhet në Iran për të ekzaminuar kutinë e zezë të avionit.

“Në procesin e hetimit, ne gjithashtu mirëpresim praninë e shteteve relevante, shtetasit e të cilëve u vranë në incidentin e hidhur”, shtoi ai.

Rabiei tha se pretendimi se avioni ishte goditur nga raketa iraniane është një veprim i llogaritur dhe një operacion psikologjik.

Sipas tij, pamjet që janë publikuar janë gënjeshtra dhe askush nuk do të marrë përgjegjësinë për të.

Ai gjithashtu ftoi SHBA-të që të marrin pjesë në komitetin e hetimit në vend që “të gënjejë dhe të përfshihen në operacione psikologjike”.

Avioni Boeing 737, që i përkiste Kompanisë Ajrore Ndërkombëtare të Ukrainës, u rrëzua pranë aeroportit “Imam Khomeini” të Iranit menjëherë pas fluturimit, disa orë pasi Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) lëshoi dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe të koalicionit në Irak, si hakmarrje për vrasjen e Qassem Soleimanit, kreut të forcave Kuds, i cili u vra në një sulm ajror amerikan pranë aeroportit ndërkombëtar në Bagdad.

Në avionin i cili udhëtonte për në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ndodheshin 63 shtetas kanadezë, 82 iranianë, 11 ukrainas, 10 suedezë, 4 afganë, 3 gjermanë dhe 3 shtetas britanikë./AA

OPINIONE