Itali, përkujtohen fëmijët palestinezë që kanë humbur jetën në sulmet izraelite

Në një aktivitet të mbajtur në kryeqytetin e Italisë, Romë, u përkujtuan fëmijët palestinezë që kanë humbur jetën në sulmet e Izraelit kundrejt Rripit të Gazë.

Italianët dhe palestinezët që jetojnë në Itali, me rastin e “Ditës Botërore të të Drejtave të Fëmijëve” u mblodhën mbrëmë në zonën Piramide të kryeqytetit dhe përkujtuan mijëra fëmijët palestinezë që kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të Izraelit kundrejt Rripit të Gazës.

Në hapësirën me bar në zonën e aktivitetit u vendosën fotografi me emrat dhe moshat e fëmijëve palestinezë që kanë humbur jetën, lodra, qirinj, karafila dhe gurë varresh simbolikë. Gjithashtu me qirinj u shkrua “Save Gaza” (Shpëtoni Gazën).

Në fjalimet e mbajtura gjatë aktivitetit u theksua se vdekja është diçka që vjen përmes rrugëve normale, ndërsa fëmijët palestinezë nuk po vdesin, por përkundrazi po vriten me bomba dhe që kjo është një gjenocid.

Në aktivitetin përkujtimor u lexuan edhe disa letra të shkruara për fëmijët palestinezë.

Gjithashtu u vërejt se edhe disa italianë që morën pjesë në aktivitet mbajtën pankarta me mbishkrimet “Ndaloni Holokaustin në Gaza” dhe “Ndaloni gjenocidin”.

Yousef Salman, kreu i komunitetit palestinez në Romë, në një deklaratë për Anadolu tha se “Fëmijët për ne si palestinezë janë shpresa jonë, por ata janë shpresë për botën në përgjithësi. Për këtë arsye vrasja e fëmijëve do të thotë të eliminosh shpresën për një botë më të qytetëruar dhe më të drejtë. Edhe ne kemi ardhur sot këtu për të ndalur këtë krim dhe për të mbrojtur të drejtën e fëmijëve tanë dhe të fëmijëve të tjerë në botë për të jetuar në paqe dhe qetësi”.

“Fëmijët nuk duhet të përballen me luftëra, sulme, vrasje, masakra. Ata duhet të luajnë, të argëtohen”, tha Salman.

Më tej në fjalën e tij Salman u shpreh se “Pas pushtimit 75 vjeçar, tashmë duhet të themi ‘Mjaft’. Pushtimi po eliminon të gjitha shpresat dhe po vret mijëra fëmijë këtu”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne