Komodori holandez në Durrës: Nato mban nën vëzhgim rusët në Latakia e Tartous

Grupi i luftanijeve të NATO-s 2SNMG2 po zhvillon një vizitë miqësore në Portin e Durrësit. Fregata holandeze EVERTSEN dhe fregata kanadeze TORONTO në përbërje të këtij grupi do të zhvillojnë në 20 maj stërvitjen detare PASSEX në bashkëpunim me Forcat e Mbrojtes Detare Shqiptare. Mediat shqiptare ishin ftuar nga mikëpritësit holandezë të vizitonin Fregatën EVERTSEN. Në bordin e fregatës Komodori  Boudejwin Boots bashkë me kapitenët e të dyja fregatave mbajti një konferencë shtypi për mediat shqiptare. Komodori shprehu kënaqësinë e tij që pas vizitës në Portin Poti në Gjeorgji në prill tani në maj grupi i anijeve mbiujëse i komanduar prej tij vizitonte Portin e Durrësit në Shqipërinë anëtare të NATO-s prej 10 vjetësh. Ai e konsideroi si privilegj, që ndërsa po shërbente në Mesdheun lindor, të vizitonte portin kryesor të një vendi aleat besnik si Shqipëria. Për mediat shqiptare ishte një surprizë e këndshme të mësonin se në bordin e fregatës holandeze shërbente edhe një oficer shqiptar për një periudhë prej 6 muajsh. Për ne ishte e pamundur ta intervistonim bashkëatdhetarin tonë, sepse oficeri sapo ishte larguar me leje për në shtëpi. Ai kishte shkuar të takonte fëmijën e vet, që kishte lindur, ndërsa ai bashkë me Fregatën EVERTSEN lundronte ne Detin e Zi. I sugjeruam komodorit holandez të mos lejonte imbarkimin e oficerit shqiptar pa i sjellë petulla (ia shpjeguam traditën shqiptare të petullave të lidhur me lindjen e bebes!). Z. Boots e pranoi me kënaqësi sugjerimin e gazetarëve shqiptarë!

Ndër të tjera Komodori Boots duke iu përgjigjur një pyetje të Gazetës Impakt deklaroi se anijet e Grupit 2SNMG2 , që patrullojnë kryesisht në Mesdheun lindor, mbajnë nën mbikqyrje të posacme portet siriane të Latakias (përfshirë edhe bazën ajroreKhmeimim afër Latakias), sepse NATO-s i interson për të ditur sa më hollësisht se cfarë bën prezenca ushtarake ruse në këtë zonë.

Komodori duke iu përgjegjur pyetjes së Gazetës Impakt siguroi gazetarët shqiptarë se anijet nën komandën e tij kishin kapacitete mëse të mjaftueshme për të neutralizuar një sulm me dronë të armatosur nën ujorë, si ato të përdoruru kundra petrolierave në radën e Portit të Fujairah-it javën e kaluar.

Është me të vërtet për t’u përgëzuar organizimi perfekt i mikëpritësve shqiptarë përsa i përket masave të marra për pritjen në Durrës të miqve holandezë e kanadezë. Cdo gjë funksiononte si orë zvicerane, që nga policia ushtarake te përfaqësuesit e Forcave të Mbrojtjes Detare e deri te përfaqësuesit e Degës së Bashkëpunimit civilo-ushtarak të Minsitrisë së Mbrojtejs./GJERGJI THANASI/GAZETA IMPAKT

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne