Kosova dhe Palestina

Nga Justinian Topulli,

Duhet të jesh vërtet i cekët, i pandjeshëm, apo edhe naiv, të justifikosh mungesën e solidarizimit me një popull që po masakrohet në sytë hipokritë të botës, me faktin se Palestina nuk e ka njohur shtetin e Kosovës!

Nuk e di sesi mundet që një çështje thellësisht humane dhe legjitime, të injorohet nisur nga një qëndrim thellësisht politik?! Ta zëmë sikur e gjitha kjo dilemë politike të jetë e vërtetë, a e përligj kjo, këtë mungesë humanizmi që të jesh në krahun e kriminelëve, vetëm e vetëm se shteti i tyre e paska njohur politikisht Kosovën si shtet?!

Mediat vërtet janë faktor vendimtar në përhapjen e trushpëlarjeve të tilla, por më habi se kaq, është me ata njerëz që e hanë këtë sapun për djathë dhe nuk vënë në punë as logjikën dhe as memorien e afërt historike.

Së pari, duhet të rikujtojmë se të jesh shtet, minimalisht duhet të zotërosh një territor të caktuar, me kufij të përcaktuar dhe të kesh autoritet politik dhe ligjor mbi të. Palestina, de fakto është e gjitha e pushtuar nga shteti sionist hebre, dhe palestinezët në të, jetojnë si njerëz të dorës së dytë. Ndërkohë, në arenën ndërkombëtare nga shumë vende, si përfaqësues i këtij populli njihet OÇP-ja, një organizim politik palestinez, që ka si synim çlirimin e Palestinës dhe krijimin e shtetit palestinez. Për shumë vite, kjo organizatë politike ka qëndruar jashtë territoreve të pushtuara palestineze, më pas, në bazë të marrëveshjes së Oslos, me lejen e shtetit pushtues hebre dhe mbikëqyrjen e tyre, ata janë vendosur në Bregun Perëndimor, duke qenë gjithmonë nën pushtimin dhe pushtetin real të tyre.

Palestina, duke mos qenë një shtet i mirëfilltë, përfaqësohet nga kjo organizatë politike, e njohur si Autoriteti Palestinez, por asnjëherë si qeveri e një shteti sovran, sepse Palestina akoma nuk ekziston si shtet, as i varur e as i pavarur. Ky Autoritet Palestinez ka hapur ambasada në mjaft vende të botës, në ato vende, të cilat e kanë njohur të drejtën e ekzistencës së shtetit palestinez, si hap paraprak për formimin e një shteti të tillë, por as de fakto dhe as de jure, Palestina nuk është shtet, dhe njohja apo mosnjohja e Kosovës nga ky autoritet politik përfaqësues, as nuk i shton e as nuk i pakëson Kosovës njohjen ndërkombëtare. Njohja prej tyre do të ishte thjesht një akt simbolik dhe moral i mirëpritur, por që për arsye thellësisht politike, nuk ndodh.

Së dyti, autoriteti politik palestinez në fjalë, nuk përfaqëson realisht vullnetin politik të popullit palestinez, sepse ai është i përbërë vetëm nga një forcë politike, e cila është njohur në mënyrë të njëanshme nga pala pushtuese dhe shumë vende të tjera, si përfaqësues politik i palestinezëve, por ndërkohë, ata nuk kanë një mandat politik nga populli i tyre për t’i përfaqësuar ata. Të gjithë e dinë shumë mirë, se në 2006-n zgjedhjet demokratike që u bënë për të zgjedhur pikërisht përfaqësuesit legjitimë të popullit palestinez, u fituan nga një tjetër organizatë politike që është HAMAS-i, por ndërkohë, si ndërkombëtarisht, si nga autoriteti në fjalë, ky vullnet politik i popullit palestinez nuk u pranua, ndaj si fizikisht, ashtu edhe politikisht, territoret e pushtuara palestineze janë “administruar” për aq sa lejon pushtimi sionist, nga dy entitete të ndryshme politike, ndaj dhe është me vend të pyetet, se kush janë ata që nuk e kanë njohur Kosovën, qoftë edhe formalisht?

Së treti, si politikanët shtetarë kosovarë, ashtu edhe përfaqësuesit e Autoritetit Palestinez, politikisht nuk kanë pasur dhe as kanë asnjë interes nga njohja reciproke, dhe kanë synuar dhe kërkuar njohje politike nga armiqtë e njëri-tjetrit, respektivisht, Kosova nga Izraeli dhe Autoriteti Palestinez nga Serbia, të cilat janë shtete të mirëfillta dhe madje me ndikim politik në arenën ndërkombëtare.

Kështu p.sh. ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati deklaruar se: “Nëse Kosova do të njihet nga Izraeli, unë do ta vendosja ambasadën e Kosovës në Jerusalem.” Mirëpo, kjo deklaratë është njëkohësisht një deklarim politik i mosnjohjes së Palestinës, për më tepër, është një deklaratë që bie ndesh me rezolutën e OKB-së, që nuk ia njeh këtë status Jerusalemit, e akoma më shumë, kjo bie ndesh me deklarimet palestineze për të pasur kryeqytetin e tyre pikërisht në Jerusalem. Ndërkohë, në anën tjetër, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, pati deklaruar duke thënë: “Ata janë miqtë tanë, ata janë njerëzit tanë, por për shkak se ne kemi problemet tona, ne shpresojmë që ata do ta gjejnë një zgjidhje për veten e tyre, pa ndërhyrjen tonë.” Të njëjtën gjë deklaronte pak a shumë para disa vjetësh edhe ambasadori i Autoritetit Palestinez në Tiranë, duke e justifikuar mosnjohjen nga ana e tyre, me situatën e tyre politike dhe duke e justifikuar në të njëjtën kohë edhe Kosovën për mosnjohjen e Palestinës. Kështu që në këtë kontekst duhet kuptuar edhe deklarata e ambasadorit palestinez në Beograd, e cila ripërsëritet shpesh në mediat tona, si argument se ne u dashkemi të mos jemi në anën e së drejtës, por në anën e sionistëve zullumqarë!

Duhet të kuptojmë se përpjekjet e Autoritetit Palestinez për njohje nga sa më shumë shtete, janë shumë më të hershme sesa Kosova të bëhej shtet i pavarur, dhe ata kanë arritur të marrin një njohje nga Serbia dhe kanë një histori marrëdhëniesh me ish-Jugosllavinë e dikurshme, dhe duke pasur një pozitë shumë të dobët politikisht, kjo i detyron ata të mos e njohin Kosovën, edhe pse njohja e tyre nuk mund të llogaritet si njohje, siç edhe e thamë më sipër. Por a është ky një justifikim për ta, nga ana jonë? Sigurisht që jo, sepse ne si shqiptarë mendojmë se të paktën moralisht, qoftë edhe formalisht, Autoriteti Palestinez në fjalë, duhet të njohë të drejtën e një populli tjetër që ka vuajtur si ai, për të jetuar i lirë e i pavarur. Por ky është realiteti, që përfaqësitë politike shpesh nuk nisen nga të drejtat morale, por interesat politike që ata mendojnë se iu shërbejnë më mirë politikës së tyre.

Nuk është shumë i largët as rasti i Bosnjës, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, edhe pse boshnjakët muslimanë janë vrarë nga po i njëjti armik serb dhe historikisht me shqiptarët kanë shkuar shumë mirë, por realiteti politik nuk e lejon Bosnjën ta njohë Kosovën, sepse ajo është shtet federal me një presidencë të përbërë nga serbët, kroatët dhe muslimanët, ndaj dhe ata nuk e kanë të mundur politikisht ta njohin Kosovën, kur dihet ndikimi që ka Serbia mbi këtë shtet të brishtë, që ashtu si palestinezët, boshnjakët muslimanë u lanë të masakroheshin në zemër të Evropës, duke lënë pas rreth dyqind mijë të vrarë.

Së katërti, shteti i Izraelit e ka njohur Kosovën dhe kjo, sipas disave, duhet të na bëjë ne të mbajmë anën e tij! Po, kjo është e vërtetë, por po kaq e vërtetë është se shteti sionist e njohu Kosovën nën trysninë amerikane dhe me kushtin që Kosova të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe të vendoste ambasadën e saj në të. Gjë që edhe ndodhi, me marrëveshjen që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë mes Abdullah Hotit dhe Vuçiçit, gjatë presidencës së Trumpit, një ngjarje kjo, e freskët dhe e njohur nga të gjithë. Dhe pikërisht këtë gjë pohoi edhe ambasadori i Izraelit, Yahel Vilan në Beograd duke thënë se: “Vendimi i Izraelit për ta njohur Kosovën është marrë nën presionin amerikan.”

Kështu që vendimet politike për njohje apo mosnjohje të shteteve, është më se e qartë që lidhen me interesa dhe ndikime gjeopolitike dhe jo me ndjenjat e një populli, apo qëndrimet morale që duhet të mbajnë qytetarët e lirë të një vendi.

Gjatë krizës dhe luftës në Kosovë, mediat e atëhershme raportuan se në Palestinën e pushtuar dhe në veçanti në Gaza, palestinezët dolën në tubime solidarizimi me shqiptarët e Kosovës. Dhe kjo tregon edhe njëherë se ndjenjat e humanizmit, të mbështetjes të së drejtës dhe solidarizimit edhe mbi bazat e besimit, ngrihen përtej qëndrimeve politike që mbajnë qeveritë e vendeve të ndryshme. Ndaj është e turpshme, amorale dhe alogjike të kërkohet nga ne, si shqiptarë, të heshtim ndaj gjenocidit që po ushtrohet ndaj popullit palestinez, nisur vetëm nga fakti se Autoriteti Palestinez nuk e ka njohur Kosovën!

Kështu që nëse politika në vendimet e saj është peng i interesave dhe faktorëve të tjerë, qëndrimet morale janë peng i së vërtetës, i së drejtës dhe ndjenjave më të thella humane, me të cilat nuk bëhet politikë./botaislame

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress