Kryebashkiakja Ademi ambasadorëve: Ngrini Komision Ndërkombëtar për të drejtuar Shkodrën

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi i ka kërkuar ambasadorëve të huaj në Shqipëri të ngrenë një përfaqësi ndërkombëtare për të drejtuar bashkinë Shkodër.

Përmes një letre publike, zonja Ademi kërkoi që bashkia Shkodër, për dhe bashki të tjera që drejtohen nga kryebashkiakë të djathtë, të “qeverisen” nga komisione ndërkombëtarë deri në zhvillimin e zgjedhjeve reale dhe demokratike:

“Sot, në 2019, nuk mund t’ia dorëzojmë atë as Kryeministrit e as të emëruarit të tij 8%. Në vitet 1913-1914 dhe 1918-’20, ky qytet me rendësi vitale për të gjithë kombin është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha.E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën.

Ndaj ju drejtohem Ju, në emër të qytetarëve shkodranë, që ne jemi të gatshëm më parë të pranojmë një komision administrativ europian, besimplotë te vullneti i tyre demokratik derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta, sesa të biem nën diktaturën e pakicës së pakicës votuese.

Për këtë, në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, ju kërkoj publikisht të takohemi për të biseduar mbi këtë situatë të pazakontë, me shpresën që do të bëheni garant i vullnetit qytetar.”

Zonja Ademi sqaron se kjo situatë është krijuar pasi në zgjedhjet e 30 qershorit jo vetëm që nuk pati zgjedhje reale dhe votuan vetëm 8 për qind e votuesve, por ato janë të paligjshme pasi bien në kundërshtim me dekretin e Presidentit Meta:

“Me 30 qershor në metropolin e Veriut, […]  jo vetëm nuk pati zgjedhje lokale por as votime! Qytetarët iu bindën logjikës piramidale të shtetit, ku në krye të tij rri Presidenti i Republikës, institucioni që nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve! Sipas dekretit të tij ato zhvillohen me datë13 tetor!  

Qeveria vendosi dhunshëm të konsumojë farsën e 30 qershorit, duke rrëzuar dekretin e Presidentit, fakt ky që u pohua zyrtarisht e qartë nga OSBE/ODIHR që në raportin paraprak!

Në votime në Shkodër, sipas kësaj organizate dolën 8% e qytetarve me të drejtë vote! Mbi shumë prej tyre, pati presione të çdo lloj forme që të paraqiteshin për të votuar, duke shkelur çdo princip të lirive të individit!  Me modesti pohoj se, në dijet e mia, demokraci do të thotë vullnet i shumicës!
Shumica në Shkodër në veçanti dhe në Shqiperi në përgjithësi, ka folur qartë, duke bojkotuar procesin monist të Qeverisë! Kjo shumicë nuk u bë e mundur as për të votuar e jo më për të zgjedhur!”

Sipas Zonjës Ademi nuk është e drejtë që ajo t’ia lëshojë vendin e kryebashkiakut një kandidati të votuar vetëm nga 8 për qind e qytetarëve, në zgjedhje të paligjshme. Për këtë ajo i kërkon ambasadorëve “një komision Administrativ Europian, derisa të shkohet në zgjedhje të vërteta.”/ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne