Kryediplomatët e Vatikanit dhe Iranit diskutojnë mbi situatën në Gaza

Në bisedën telefonike, Sekretari i Punëve të Jashtme të Vatikanit, Paul Richard Gallagher, përsëriti nevojën për të shmangur përshkallëzimin

Kryediplomati i Vatikanit diskutoi situatën e fundit në Gaza me homologun e tij iranian, njoftoi sot Zyra e Shtypit e Vatikanit.

Gjatë bisedës telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, e cila u kërkua nga pala iraniane, Sekretari i Punëve të Jashtme të Vatikanit, Paul Richard Gallagher, shprehu “shqetësimin serioz të Vatikanit për atë që po ndodh në Izrael dhe Palestinë dhe përsëriti domosdoshmërinë absolute për të shmangur përshkallëzimin e konflikt”, tha zyra.

Gallagher ripohoi angazhimin e Vatikanit për arritjen e zgjidhjes me dy shtete për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori është rritur në 8.306, njoftoi të hënën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e rrethuar palestineze, duke përfshirë 3.457 fëmijë dhe 2.136 gra.

Izraeli ka kryer bombardime intensive në Gaza që nga 7 tetori, kur Hamasi kreu një sulm të befasishëm ndërkufitar.

Të paktën 1.538 izraelitë janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në Gaza, tha transmetuesi publik izraelit KAN sot.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, njoftoi të shtunën se ushtria izraelite po “zgjeron operacionet e saj”, duke kaluar në “fazën tjetër të luftës kundër Hamasit”.

Për shkak të bllokadës së enklavës nga Izraeli, 2,3 milionë banorët e Gazës po përballen gjithashtu me mungesën e ushqimit, ujit, karburantit dhe ilaçeve. Vetëm një pjesë e vogël e kamionëve me ndihma kanë kaluar në Gaza që nga hapja e pikës së kalimit Rafah më 21 tetor. /AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne