Lavrov: Kemi të dhëna se Fronti al-Nusra merr ndihma nga vende të jashtme

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, njoftoi të mërkurën se zotërojnë të dhëna që tregojnë se Fronti al-Nusra (riemërtuar më pas si Fatah al-Sham) ndihmohet nga vende të jashtme.

“Al-Nusra vazhdon të bëjë rezistencë. Sipas të dhënave që zotërojmë, kjo organizatë merr ndihma nga vende të jashtme”, deklaroi ai gjatë takimit me Ahmad Jarba, lider i lëvizjes opozitare “E Nesërmja e Sirisë”.

“Duke nisur nga sot, misioni kryesor në luftën kundër terrorizmit është mposhtja e Frontit al-Nusra. Me ndihmën e Rusisë, ushtria siriane dhe aleatët e saj po ushtrojnë presion mbi anëtarët e Nusras”, theksoi Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse foli edhe për situatën e DAESH-it në Siri. Ai nënvizoi se organizata terroriste ka pësuar një goditje vendimtare dhe se beteja kryesore në Siri ka marrë fund.

“Po shikojmë ndryshime pozitive në Siri. DAESH-it iu dha një goditje vendimtare. Edhe pse disa militantë, që janë arratisur nga fushëbeteja, po tentojnë që të rigrupohen në Siri ose t’ia mbathin jashtë shtetit, beteja kryesore ka marrë funde dhe kjo është më se e qartë”, u shpreh Lavrov.

Nga ana tjetër, kryediplomati rus bëri me dije se sirianët dhe liderët e fiseve siriane mbështesin fuqishëm Kongresin e Dialogut Kombëtar.

Lavrov shtoi gjithashtu se përfaqësuesit e opozitës siriane në diasporë, të cilët marrin pjesë në Procesin e Gjenevës, janë ftuar për bisedime në Soçi të Rusisë./ trt

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne