Maqedoni e Veriut – Liderët pajtohen për zgjedhje të parakohshme më 12 prill

Takimi i liderëve u thirr nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, dhe në të morën pjesë kryetarët e partive nga pushteti dhe opozita, duke përfshirë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev; kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski; kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti; kryetarin e partisë AlternAtivA, Afrim Gashi; kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela; kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami; dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi.

Në takim është diskutuar për vendimet e Këshillit të BE-së dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të paralajmëruara nga kryeministri Zoran Zaev.

Në deklaratat për mediat pas përfundimit të takimit, liderët e partive politike thanë se sa i përket caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kanë pasur parasysh respektimin e ligjit, i cili parasheh formimin e qeverisë teknike 100 ditë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Gjithashtu, ata thanë se i kanë kushtuar vëmendje procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në lidhje me këtë, ata thanë se është e nevojshme që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të jetë funksional dhe të jetë në gjendje të ratifikojë protokollin për anëtarësim, sapo ai të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare në NATO.

Deri më tani, 24 nga gjithsej 29 vendet anëtare të NATO-s e kanë ratifikuar protokollin, ndërsa liderët presin që edhe pesë shtetet e mbetura të përfundojnë me ratifikimin në muajt në vijim.

Liderët gjithashtu thanë se kanë pasur kujdes që data e mbajtjes së zgjedhjeve të mos jetë festë krishtere e as islame, dy komuniteteve më të mëdha fetare në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh se në muajin prill festohen Pashkët, por edhe shënohet fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Arritëm konsensus, të gjithë jemi të pajtimit për 12 prillin. Urime për të gjithë qytetarët, urime vendit tonë. Besoj se më 12 prill qytetarët do të sjellin vendim me mençuri”, tha kryeministri Zaev.

“Vijojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në ato zgjedhje të parakohshme fiton rindërtimi i Maqedonisë, ndërsa pas asaj, përveshje e krahëve dhe punë, punë pa kompromise çdo ditë”, tha nga ana tjetër lideri i VMRO-DPMNE-së Mickoski.

Ndërkaq, kreu i BDI-së Ahmeti deklaroi se “Derisa i diskutuam dhe u shterrën të gjitha argumentet, vendosëm të gjithë bashkërisht që 12 prilli të jetë data që do të mbahen zgjedhjet”.

Po ashtu, kryetari i partisë AlternAtivA, Afrim Gashi, u shpreh se “Në bazë të kësaj arritëm te një datë që u dakorduam të gjithë. 12 prilli besoj që do të jetë një datë feste dhe një kthesë për qytetarët e Maqedonisë, por edhe për shqiptarët një ndryshim. Mendoj që edhe këtu do të vijë dita gjithsesi”.

Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët deklaroi se “Bashkërisht u morëm vesh që më 12 prill të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Unë u bëj ftesë të gjithë njerëzve që të mobilizohen dhe më 12 prill bashkërisht ta sjellim ndryshimin aq të nevojshëm dhe demokracinë brenda për brenda shoqërisë shqiptare këtu”.

Ndërkohë, Kasami nga Lëvizja BESA tha se “Tani është momenti më i përshtatshëm që qytetarët të tregojnë se cili është orientimi i mëtutjeshëm i tyre dhe ai orientim pa dyshim është orientimi euroatlantik”.

Lideri i PDSH-së, Thaçi, deklaroi se “Kishte një propozim paraprak të kryeministrit që zgjedhjet të jenë në dhjetor, më pastaj u shqyrtua mundësia e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e Parlamentit të Spanjës dhe ne duhet ta kemi Parlamentin që ta ratifikojë këtë marrëveshje”.

Liderët e partive politike gjithashtu riafirmuan qëndrimin se vazhdojnë të ndjekin rrugën e integrimeve evropiane, pa marrë parasysh vendimin e Këshillit të BE-së për të mos filluar bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, gjë të cilën paraprakisht e kumtoi edhe presidenti Pendarovski./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne