Shqiperia

Masakra në Elbasan, shoqërohen 15 persona. Janë përdorur vrasës me pagesë?

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me specialistët e saj kanë nisur hetimet për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në Elbasan, ku në një atentat janë ekzekutuar 3 persona. Hetimet kanë disa pista deri tani, ndërsa më e besueshmja është ajo për zënka për trafik të lëndëve narkotike.

Pasi ka ndodhur krimi i rëndë, policia ka kryer menjëherë kontrolle nëpër lagje dhe vende të qytetit. Ndërsa nuk ka akoma emra konkretë që të jenë të shpallur zyrtarisht si fajtorë, janë shoqëruar në komisariat 15 vetë, që të gjithë si të dyshuar si të implikuar në vrasjen e trefishtë. Tre personat që mbetën të vrarë në Elbasan kishin mbërritur në Shqipëri vetëm pak ditë më parë. Endrit Alibeaj, një person me precedentë të mëparshëm penalë, që njihej edhe me mbiemrin Dylgjeri, jetonte në Holandë, xhaxhai i tij Arben Dygjeri ishte emigrant në Angli dhe rezulton pa precedentë, ndërsa viktima tjetër, shtetasi turk Erdal Durunay dyshohet se ishte bashkëpunëtor i Endritit në krimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Shënjestër e atentatit ka dyshime se ka qenë Endrit Alibeaj. Kjo sepse ai dhe vëllai Andrea Alibeaj kanë qenë anëtarë (krerë) të një grupimi kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, goditur në vitin 2013 prej karabinierisë italiane. Në atë operacion, në atë kohë, janë arrestuar gjithsej 34 vetë. Mes tyre, 12 kanë qenë shqiptarë, kurse vlera e kokainës të sekuestruar ka qenë 10 milionë euro. Policia ka raportuar detaje që në momentet e para. Nga policia është thënë se viktimat kanë qenë për darkë në një fshat në Peqin, ndërsa ishin duke u kthyer për në Elbasan, e se iu është bërë atentati në hyrje të qytetit, në zonën e Metalurgjikut.

Forcat policore janë treguar të rezervuara në informacion, por ka dyshime se në rastin konkret janë përfshirë vrasës me pagesë. Kjo nisur prej dinamikës së ngjarjes së rëndë. Nuk ka të dhëna sesa makina janë përdorur në vrasjen e shumëfishtë, as sa armë e as sa persona kanë marrë pjesë në ekzekutime, por se dyshimet e forta janë se vrasjet kanë ndodhur për prishje të mundshme në pazaret e drogës.

 

OPINIONE