Opinion

“Ndërsa ne, nuk e kemi guximin ta kthejmë fenë në origjinën e saj!”

Imam Muhamed B. Sytari*

Në kujtimet e tij, Kryemyftiu i Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004), dëshmon: “E kam vizituar Vatikanin tre herë, ku jam takuar me Papa Gjon Palin II. Herën e parë, kur më kërkoi të mbaja një referat në Vatikan me temë: “E ardhmja e Islamit dhe Krishtërimit në kohët moderne”, herën e dytë, kur mbajta një referat në Universitetin e Milanos, me temë: “Toleranca fetare në Islam” dhe herën e tretë, në një takim të posaçëm me Papën, që zgjati 60 minuta, ku i thashë Papa Gjon Palit II: A e di se kush është shkaku kryesor i përhapjes së ateizmit në botë? Ma ktheu: Kush? I thashë: Ti! (Kur Papa dëgjoi këtë përgjigje, e pashë se u sikletos dhe u bezdis prej saj) Pastaj vijova: Edhe unë! Më pyeti: Si ka mundësi kjo? Ia ktheva: Sepse ne, njerëzit e fesë, e kemi paraqitur fenë në mënyrë jologjike, as në vërtetësinë e saj, as në formën më të bukur e të pranuar… Historia na tregon sesi u përçanë drejtimet fetare në Krishtërim, poashtu edhe në Islam. Ndërsa ne, nuk e kemi guximin ta kthejmë fenë në origjinën e saj!”

Kjo më kujtoi shënimet e orientalistit britanik, Mr. Stanley Edward Lane-Poole (1854-1931), i cili thoshte se: “Kur ekstremizmi dhe fanatizmi fetar kishte arritur kulmin e tij, erdhi Islami për të thënë: “Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time”! Kjo ishte një befasi për shoqërinë njerëzore, që nuk e kishte njohur më parë lirinë e fesë, e ndoshta akoma nuk e ka njohur!”

Ndërsa mendimtari dhe dijetari i shquar egjiptian Shejkh Muhammed El-Gazali thoshte se: “Fanatizmi është një entuziazëm që djeg, jo një e vërtetë që ndriçon” që do të thotë se fanatizmi injorant, i ndërtuar mbi perversitete në emër të fesë, nuk është feja ime, nuk mund të jetë Islami, feja e të gjithë të dërguarve të Zotit, në thelbin e të cilit qëndron paqja, dialogu dhe respekti i njeriut, për vetë faktin se ai është krijesa më e bukur dhe më e përsosur e Zotit!

Në historinë islame, profeti Muhammed (a.s) priti në xhaminë e tij delegacionin e të krishterëve të Nexhranit, ku sipas transmetimit të Ibn Is’hakut, ata hynë në xhaminë e profetit pas namazit të pasdites, ndërkohë që kishte afruar koha e lutjes së tyre. U rreshtuan për t’u lutur në xhaminë e tij, kur disa njerëz deshën t’i ndalonin, profeti Muhammed (a.s) u tha: “Lërini!”

Jo më kot, edhe mendimtari Arthur Hamilton (1926 – jeton në ShBA), shkruan se: “Sikur njerëzit ta parashikonin të vërtetën, do ta dinin se feja islame është zgjidhja e vetme e problemeve të njerëzimit!”

Dhe këtë arsyetim, më duket se e plotëson më së miri, përkthyesi i shquar i Kur’anit në gjuhën angleze, Marmaduke William Pickthall (1875-1936), që thotë: “Muslimanët mund ta përhapin civilizimin e tyre me të njëjtën shpejtësi që e përhapën edhe më parë, nëse do të kthehen tek morali që posedonin herën e parë. Sepse kjo botë boshe nuk mund të qëndrojë përpara civilizimit të tyre”

Nuk dihet asnjë rast në historinë e shekujve të artë të përhapjes së Islamit në mbarë botën, që një i krishterë të jetë dhunuar a vrarë për shkak të fesë së tij, përkundrazi, prijësit muslimanë nuk kanë pranuar të falen në kisha, vetëm nga frika se mos dikush pas tyre do të vinte dhe do të pretendonte se në atë kishë është falur dikur filan prijës dhe të kthehej në xhami, si rasti i Hz. Omerit me patriarkun dhe kishën e Kudsit, në Palestinën e sotme.

(E kundërta ka ndodhur me inkuizicionin barbar, në krejt historinë e tij, kundër muslimanëve, të cilët janë djegur, sharruar, kryqëzuar, shqyer e torturuar barbarisht, për shkak të fesë dhe identitetit të tyre)

Ndoshta, ajeti kur’anor, që qëndron si kryefjalë e lirisë së përzgjedhjes dhe respektimit të diversitetit fetar në Islam, është pa dyshim i 99-ti i sures Junus, ku Zoti i gjithësisë i drejtohet të Dërguarit të Tij: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë, që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?”

“Mbi këtë parim muslimanët ndërtuan marrëdhënien e tyre me pasuesit e feve të tjera. Ata (muslimanët), toleronin banorët e vendeve që çlironin, të qëndronin në fenë e tyre duke paguar taksën e xhizjes, kundrejt së cilës i mbronin nga çdo agresion, duke mos u prekur besimet, simbolet dhe vend-adhurimet e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Pakti i Besës, që Hz. Ebu Bekri (r.a), kalifi i parë pas profetit Muhammed (a.s) i shkroi të krishterëve të Nexhranit…”

[I Dërguari (a.s), dëshiroi të rikthehej në Mekkë, pa u prekur asnjë jetë e pa u derdhur asnjë pikë gjaku” dhe kështu ndodhi. Historia vërteton se Hz. Muhammedi (a.s) urdhëroi komandantët e tij, që kur të hynin në Mekkë: “Të mos vrisnin njeri…”]

Në fund, dëshiroj ta përfundoj me një dëshmi të aktorit me famë botërore, Anthony Quinn (1915-2001), i cili thotë: [E ndjeva se Islami është një forcë e jashtëzakonshme, pasi studiova dhe aktrova rolin e Omer Muhtarit! Thashë me vete: Si të mos zotërohesh nga kjo ndjesi, kur dëgjon fjalët e fundit të shehidit Omer Muhtar, para varjes së tij (nga italianët) që thotë: “Nëse topat më thyen shpatën, e pavërteta s’do të ma thyejë të vërtetën time!”]

*Myfti i Zonës Shkodër

OPINIONE