Nga Artur Zheji
Presidenti serb Vuçiç, po lufton në Beograd për mbiegzistencën e vet politike dhe jo vetëm. Nga njëra anë, Vuçiç është i kërcënuar nga Putini, sepse u zbulua para pak kohe që luante një lojë të dyfishtë, duke u shitur armë ukrainasve, ndërkohë që përbetohej për Moskën.
Ka të dhëna të besueshme se forcat Wagner në Serbi, mund ta kenë në shenjstër për eleminim fizik dhe njoftohet se ka një atentat të dështuar ndaj Presidentit serb, nga ana e mercenarëve të Wagnerit.
Nga ana tjetër, ai është i pabesueshëm për amerikanët, sepse ata kanë dijeni për baza të shumta ruse të spiunazhit dhe jo vetëm, që gjinden të maskuara në territorin e Serbisë.
Vuçiç është mjeshtër i krijimit të një imazhi të moderuar ndërkombëtar, një ballkanas ndryshe, një ballkanas europian dhe një europian serb, krejt larg radikalizmit ballkanas.
Por në të vërtetë, grupet e interesit të radikalëve nacionalistë serbë, kanë mështetur besim të madh tek aftësia e tij: që premton të realizojë interesat nacionaliste serbe, në mënyrë të mëndafshtë dhe me një flirt të vazhdueshëm me Brukselin ku ai hiqet si një viktimë e pafajshme ndërmjet dy zjarresh.
Zjarrit radikal serb nga njera anë dhe zjarrit radikal të shqiptarëve të kosovës nga ana tjetër.
E pra Vuçiç, ka nevojë për sherr dhe barut në Mitrovicë, që të tregojë muskujt e Serbisë përkundrejt radikalëve të vet, duke mobilizuar Ushtrinë në kufinjte e Kosovës, dhe njëkohësisht të qajë me ngashërim të rremë në Bruksel, se gjoja u godit pas shpine nga shqiptarët.
Por amerikanët, kanë një plan tjetër, të cilin Albin Kurti duhet ta kuptojë: ata duan të këpusin rripin e transmesionit që punon gjithë kohës dhe lidh Moskën me Beogradin.
Vizita e kryeserbit të serbëve të Bosnies, Dodikut në Moskë, në takim kokë më kokë me Vladimir Putinin, nuk është një lëvizje boshe. Sepse Dodiku në Moskë, nuk ka shkuar vetëm si përfaqsues i serbëve të Bosnies, por edhe si përfaqsues i krejt radikalizmit serb në Ballkan.
Blinken nuk u shqetësua kot. Uashingtoni ka nevojë për një kohë sa më të qetë, në prapavijat e luftës së Ukrainës.
Ndërkohë që disa fije të bashkëpunimit ushtarak Begrad-Moskë, amerikanët janë duke i ndërprerë. Zbulimi se disa fabrika serbe dërgonin armë në Ukrainë, nuk është një fitore e vogël gjeopolitike amerikane.
Albin Kurti duhet tu japë kohë të qetë aleatëve tanë të përtej Atlantikut, që gjinden të përfshirë në këtë përballje të vështirë në mbështetje të Ukrainës dhe njëkohësisht në një front edhe më të gjerë. 360grade.al