Paulin Zefi mbron ekstremistët katolik që sulmuan flamurin turk në Mirditë

Paulin Zefi një nga iniciatorët e dhunës katolike kundër flamurit turk në Mirditë në intervistën e dhënë për kohajonë mbron ekstremizmin fetar të mirditorëve.

Ai akuzon politikanet shqiptarë se shpirtërisht jane turq dhe jo evropianë. Me poshte eshte intervista qe gazeta Koha Jone ka bere me ekstremistin katolik Zefi:

Duke qënë se Lezha ka një histori të pasur: monumente kulture, objekte kulti, monedha, gjetje arkeologjike. Ka pasur nga qeveria investime të mjaftueshme për ruajtjen e tyre?

Përsa i përket mungesës së investimeve në Monumentet e Kulturës, ky vazhdon të jetë një problem mjaft shqetësues. I vetmi investim serioz i katër viteve të fundit kanë qenë ndërhyrjet restauruese, konsolidimi dhe fugatimi i pjesës jugore të mureve perimetrave, por edhe restaurimi i portës lindore të Kështjellës së Lezhës, projekt ky i financuar nga IPA-Adriatica në vitin-2015. Ne fund të vitit-2015,  DRKK-Shkodër ka ndërhyrë duke fugatuar ballinën e këtij objekti pranë portës hyrëse. Gjithashtu vitin e kaluar, pasi e kam ngritur si shqetësim për amortizimin e tejskajshëm të Kishës mesjetare të Shën Shtjefnit ne fshatin Blinisht është ndërhyrë nga ana e DRKK-Shkodër. Përveç këtyre ndërhyrjeve, në territorin e Bashkisë-Lezhë nuk është realizuar asnjë investim tjetër. Ndërsa në pjesën e qytetit të poshtëm, hapësira muzeale mirëmbahet në mënyrë sistematike nga ana e punonjësve të Sektorit që unë drejtoj pranë Bashkisë-Lezhë. Një ngjarje tjetër e rëndësishme e këtij fillim viti, është edhe dhënia e statusit si Monument Kulture të Kishës mesjetare të Shën Gjon Pagëzorit në fshatin Mërqi të Lezhës. Ky miratim vjen pas disa dy kërkesave që kam dërguar në vitet 2014-2015. Objektivi i radhës do të jetë hartimi i një projekti sa më dinjitoz për restaurimin e shtëpisë së të madhit At Gjergj Fishta, ku donatorët janë të gatshëm për të financuar dhe mbetet vetëm miratimi nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Është shqetësuese fakti që shumica e monumenteve kulturore në të gjithë Shqipërinë janë lënë në harresë, siç është lënë shtëpia e At Gjergj Fishtës. Kush do ishte sipas jush një zgjidhje efikase për këtë situatë?

Monumentet e Kulturës dhe të gjitha asetet e tjera të Trashëgimisë tonë Kulturore Kombëtare, përfaqësojnë vertebrat e shtyllës kurrizore të identitetit tonë kombëtar, por edhe imazhin e Shqipërisë përpara botës. Fatkeqësisht, pjesa më e madhe e Monumenteve të Kulturës në vendin tonë, janë mbuluar nga pluhuri i harresës, të tjera objekte kanë arritur në një shkallë të lartë amortizimi.

Disa nga objekte tashmë rezultojnë të tjetërsuara dhe të zhdukura, si rezultat i abuzimeve nga ndërtimet e reja ku dëshmitar jemi të gjithë. Gjatë periudhës së tranzicionit janë shkaktuar dëme në zonat muzeale dhe janë zhvilluar masakra të pamëshirshme brenda territorit të Zonave Arkeologjike anë e kënd Shqipërisë, e sidomos në qytete si Durrësi dhe Lezha. Vetëm në hapësirën e Parkut Arkeologjik të Lezhës (Zonat A dhe B), gjatë viteve 1990 dhe atyre 2000 janë ndërtuar plotë 129 objekte abuzive. Zgjidhja ideale do të ishte kompensimi i pronarëve dhe më pas shembja e të gjithë këtyre ndërtimeve abuzive, ose të paktën e 48 objekteve që ndodhen ngjitur me muret antike të Lissus-it dhe në zëmër të parkut.

Sa i përket çështjes së shtëpisë Monument Kulture ku ka jetuat At Gjergj Fishta, kjo problematikë e cila nuk gjen zgjidhje si rezultat i neglizhencës, po i bën jehonë “Gurit te Sizifit” në mitologjinë greke! Duke qenë se jam i angazhuar personalisht për rastin në fjalë dhe me bekimin e pronareve të këtij objekti, unë kujdesem për mirëmbajtjen e këtij monumenti me mundësitë e mia.

Mund t’u them vetëm atë çfarë kam theksuar që në fillim të vitit 2014 dhe po e perifrazoj; “Shtëpia e At Gjergj Fishtës nuk rindërtohet, jo për mungesë financimi, por akoma nuk kemi marrë dritën jeshile nga Ministria e Kulturës”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka përzgjedhur fshatin Fishtë për ta shpallur si vendbanimin e parë rural, si prioritar për zhvillimin e turizmit. Si pjesë integrale e këtij projekti janë shtëpia ku ka jetuar se bashku me truallin e kullës ku ka lindur At Gjergj Fishta.

Në media ju kemi parë shpesh të ngini zërin për probleme që kanë të bëjnë me objektet historike. Cili vlerësoni i problem kryesor; mungesën e investimeve apo ndërgjegjësimi i qytetarëve?

Problemi kryesor është mungesa e investimeve sepse pjesa më e madhe e pronarëve që posedojnë banesa të cilat gëzojnë statusin si Monument Kulture kanë qenë gjithmonë shumë bashkëpunues. I vetmi rast ku unë u jam drejtuar qytetarëve duke bërë apel më qëllim për të sensibilizuar një grup të kufizuar ka të bëje me ndotjen e vazhdueshme të mureve antike ilire të Lissus-it të poshtëm në sektorin ndërmjet Memorialit dhe Sheshit Gjergj Kastrioti. Kjo problematike mjaft delikate e ka zanafillën në vitin 2014 në kohen kur u hoqën kangjellat metalike që rrethonin hapësirën muzeale në anën jugore duke e ndarë nga sheshi qëndror i qytetit të Lezhes. Që nga kjo kohë disa “qytetarë”, i kthyen muret antike në banjo publike. Në muajin prill të vitit të kaluar i kam kërkuar Kryetarit të Bashkisë-Lezhë që të më shtoje një roje dite në organike dhe si rezultat i kësaj mase , ndryshimi ka qënë i dukshem!. Gjithashtu, kemi marrë masa të tjera duke vendosur në funksion të plote banjot që ndodhen pranë lulishtes së Memorialit duke i lënë të hapura nga ora 08:00-20:00.

Si e shihni heqjen e flamurit Turk në digën e hidrocentralit të Qafë-Mollës? Në gjykimin tuaj si specialist, sa shqetësuese është kjo gjendje?

Si fillim dua të përgëzoj dhe të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit që na u bashkuan në atë proteste të drejtë, demokratike dhe aq të domosdoshme.  Për mua personalisht dhe për gjithsecilin nga ato 150 djem kreshnik nga Mirdita 31-dhjetori ka qenë dita më e bukur dhe më kuptimplotë e vitit 2017. I vetmi element shqetësues ishte reagimi post-proteste i forcave policore të cilet na mbajten të rrethuar me kordone sigurie, ndërkohe që protesta u zhvillua e qetë dhe pa asnjë të lënduar. Mesazhi u dha në mënyren më të mirë të mundëshme sepse zeri jonë jehoi ashtu sic duhej dhe akti jonë patriotik ishte një leksion për eliten e infektuar politike të vëndit tonë të cilet fizikisht jetojnë në Europe por mendërisht dhe shpirtërisht jetojne në Azinë e vogel sepse vuajnë nga Sindroma e Stokholmit. Flamujtë turq, serbe dhe grekë shkaktojne një reaksion shumë negativ në opinionin publik shqiptarë në rastet kur ekspozohen vënd e pa vënd, dhe i tillë ishte edhe rasti i vëndosjes së simboleve të flamurit turk me përmasa gjigande në 700m2. sipërfaqe në zemer të treves kreshnike të Mirdites.

Flamuri turk është pikerisht simboli i asaj perandorie obskurantiste e cila ka qenë shkaktari kryesor i izolimit tonë nga bota e qyteteruar duke gjeneruar një prapambetje shekullore por dhe përgjegjësi kryesor i cungimit të Shqipërisë Etnike duke na hedhur në pazarin ballkanik gjatë viteve 1878-1912. E ndërsa Prokuroria, në vënd që të proçedoje kompaninë turke për atë provokim aq të ulet, u angazhua me të shpejtë për të penalizuar 61 nga vëllezerit tanë patriotë mirditore e duke shpallur në kerkim 14 prej nesh, ketu doli në pah brishtesia e kësaj ngrehine të kalbur që quhet “Shtet Shqiptar”.

Prandaj, të gjithë ato djem kreshnikë që na u bashkuan në protesten paqësore që u zhvillua me dt.31.12.2017 meritojnë mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve të vërtetë që në pamundësi për të qënë të pranishem; me mendje, shpirt e zemer ata ishin pranë nesh në atë dite të paharrueshme e cila mbylli siparin e vitit 2017.

Para disa kohesh u diskutua rreth dhënies me qera të disa monumenteve kulturore, sidomos e kalave. Sipas jush është një zgjidhje e mirë?

Që në fillim kam qenë kunder mënyres sesi është konceptuar pjesa e projektligjit lidhur me proçesin e inventarizimit të fondeve muzeale private!.. Gjithashtu jam shprehur edhe në Media lidhur me qendrimet e mia kundër PPP(Partneritetit Publik Privat)lidhur me rivitalizimin dhe administrimin e Monumenteve të Kultures duke i dhënë me qera për subjektet private ku i hapet rrugë proçesit të pashmangshëm të tjetërsimit që mund të pësojnë Monumentet e Kultures dhe Hapesirat muzeale në vendin tonë. Sipas mendimit tim, duhej të ishte konceptuar në mënyrë me të specifikuar për disa pika të vëçanta lidhur me administrimin efikas të aseteve të Trashegimisë Kulturore Kombëtare dhe e vetmja risi është mënyra e mbrojtjes dhe administrimit të pasurive të peisazhit, pra me pak fjalë, parqet gjeologjike të vendit tonë ose monumentet e natyres që i kemi pasuri Kombëtare.

 Si përgjegjës i sektorit të trashëgimisë kulturore në Bashkinë-Lezhë, çfarë mund të na thoni rreth mungesës së një muzeu në qytetin e Lezhës, është menduar një zgjidhje?

Mungesa e një Muzeu për qytetin tonë është një problem madhor, Bashkia-Lezhë ka hartuar një projekt ide me shpresën për të përfituar nga projektet e IADSA. Objektivi jonë konsiston në ndërtimin e një muzeu duke shfrytëzuar katin e parë të Pallatit të Kulturës “Dede Ndue Lazri” dMuzeut Etnografik dhe në anen jugore ku ndodhet Galeria e Arteve të ndërtohet salla e Muzeut Arkeologjik. Përsa i përket Baneses popullore qytetare të Esat Mlikes e cila ka qenë Muzeu Etnografik dhe i Termetit deri në fillim vitet 1990, jemi në tratativa me pronaret e këtij objekti me të cilet mbaj kontakte të vazhdueshme. I gjithë fondi muzeal është në një gjendje të shkëlqyer por e kemi të pamundur që ti ekzpozojme për publikun përveç disa rasteve të caktuara dhe nën mbikqyrjen time të rrepte sepse nuk dua të rrezikoj demtimin apo qofte larg vjedhjen e ndonjë objekti në permasa të vogla dhe kjo është arsyeja që kam ndaluar vizitat nga nxënësit e shkollave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne