Prapaskena/ Si e shantazhoi Rama Metën me presidencën

Zbardhet telefonata “Ose prano postin, ose historia jonë përfundon këtu”.

Shumëkush mendoi se fjalimi i së enjtes i Gramoz Ruçit me tone të ashpra në parlament ishte një gjest teatral i luajtur në perfeksion. Shumëkush mendoi se ai qe gjithashtu fryt i një rakordimi të mëparshëm të Metës dhe Ramës për të provokuar zgjedhje të jashtëzakonshme që do të rihapnin afatet e regjistrimit të partive dhe koalicioneve në zgjedhje. Por, në fakt asnjë nga këto hipoteza, disa prej të cilave u pasqyruan edhe në Lapsi.al, nuk rezultoi e vërtetë. Historia ka qenë e ndryshme dhe fjalimi i Gramoz Ruçit plot me lavdërime apo edhe me kërcënime për Ilir Metën, pasqyronte gjendjen reale të tensionit mes dy liderëve të koalicionit.

Me pak fjalë Ruçi tha dje: “Ilir Meta, ti ke luajtur rrolin e moderatorit të opozitës. Ke qenë shpesh më pranë tyre sesa më pranë nesh dhe mirë ke bërë. Por tani nuk ka më kohë. Tani duhet të vendosësh: ose zgjedhim presidentin së bashku, ose ne e zgjedhim vetëm sepse kemi 71 vota, ose shkojmë në zgjedhje”.

Lapsi.al ka mësuar se me një ndryshim të vogël të njëjtin version i ka thënë edhe Rama Metes. Ai nuk e ka përmendur ne bisede vetëm opsionin e zgjedhjes së presidentit vetëm nga socialistët. “Ose vendos të bëhesh president, sipas marrëveshjes së kemi rënë dakord më parë, ose rrugët tona këtu ndahen përfundimisht”, mësohet se e ka shantazhuar Rama, Metën (lexo editorialin poshtë).

Sipas burimeve të Lapsi.al, biseda është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të së enjtes pasi kryeministrit i kishte hyrë ankthi se mos kreu i LSI-së po e tërhiqte zvarrë për të favorizuar opozitën. Në fakt dy ditë më parë Meta i kishte dërguar Ramës dy propozime si kandidatë për presidentë të së majtës. I pari ishte Paskal Milo. E dyta Arta Dade. Por Kryeministri i kishte refuzuar të dyja: “ Të pranoj vetëm ty dhe asnjë propozim tjetër që vjen nga LSI-a” qe qëndrimi i Ramës.

Kjo këmbëngulje për të përmbushur një pakt të pathënë që prej 1 prillit 2013, në vend që ta lehtësonte e kishte bërë edhe më paranojak Metën. Sipas njerëzve të LSI-së ai kishte frikë se ç’fat do të pësonte partia e tij pa kryetarin që e kishte themeluar dhe që e drejtonte si një ndërmarrje rentabël. A e dëmtonte LSI-ne një Metë President? A do kishte kjo pasoja që në zgjedhjet e afërta? Dhe mbi të gjitha a mos qe ky një kurth i Ramës për t’i blerë një nga një, më pas, njerëzit e LSI-së?

Për të gjitha këto Meta hezitonte. Aq më tepër që situata e tij në ditët e fundit ishte rënduar ndjeshëm. Vendimi i PD-së për të mos hyrë në zgjedhje i kishte hequr Metës, kartën e tij më të fortë, mundësinë për të luajtur rrolin e kushinetës mes palëve. Ai po e humbte rolin e njeriut mbi dy partitë e mëdha dhe në parlamentin e ardhshëm pa opozitë, numrat e LSI, mund të rezultonin të panevojshëm për formimin e qeverisë së re.

Mbi Ilir Metën kishte pllakosur shqetësimi i defaktorizimit.

Ai tani gjendej mes dy zjarreve: Nga njëra anë të shkonte në presidencë dhe të rrezikonte një parti që nuk do kishte më forcën dhe energjinë e tij në drejtim. Nga ana tjetër ti thoshte “JO”, të prishej me Ramën dhe të rrezikonte defaktorizimin.

Pikërisht këtë mëdyshje shfrytëzoi edhe Rama, kur në orët e para të mëngjesit dje, në një bisedë telefonike i dha ultimatumin vëllait të tij armik: “Ose ik në presidencë, ose rrugët tona ndahen”.

Këtë mesazh të mëngjesit e përsëriti pak a shumë edhe Gramoz Ruçi në fjalimin e tij të së enjtes në drekë. Pastaj kronika është ajo që kanë parë të gjithë. Mediat dhanë menjëherë lajmin se po mblidhen firmat për Metën president. LSI e dërgoi emrin e kreut të saj si propozim. Dhe Rama bëri në darkë sikur e pranoi. Në fakt ajo që ndodhi në mbrëmje qe vetëm procedurë. Gjithçka qe vendosur në mëngjes, kur Rama artikuloi shantazhin. Dhe mes dy të “këqijave” Ilir Meta zgjodhi atë që e dërgoi me ngritje. Pas dy muajsh ai do të ulet në pallatin presidencial jo tërësisht i bindur se ka bërë gjënë e duhur.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne