Nga Faisal Tehrani
Shumë liberalë që pretendojnë se mbështesin “kryengritjen e popullit iranian” e kanë të vështirë ta pranojnë realitetin se, në demokracinë iraniane, shumica dëshiron që vendi të drejtohet nga kleri, më shumë sesa ta refuzojë atë.
Edhe një herë, Mossad dhe CIA dështuan në Iran, pavarësisht se për katër ditë radhazi u përpoqën ta trazonin të gjithë Republikën Islamike. Në fakt, gjithçka nisi sapo hyri viti i ri, kur shumë tregtarë të pazarit u shprehën të pakënaqur me rënien e vlerës së monedhës iraniane, e cila po dëmtonte rëndë bizneset e tyre. Në shumë raste, çmimet e mallrave ndryshonin nga mëngjesi në pasdite. Ata mendonin se qeveria nuk kishte ndërmarrë masa të mjaftueshme dhe efektive.
Për kujtesë, Irani ka qenë nën sanksione ekonomike për dekada me radhë, duke u ndaluar të kryejë shumë veprimtari tregtare, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit. Sanksionet ekonomike janë një nga mjetet që perandoria perëndimore përdor për të ushtruar presion ndaj vendeve që nuk i pëlqen, siç është edhe rasti i Venezuelës. Të dyja këto vende, Venezuela dhe Irani, zotërojnë rezerva të mëdha nafte, gazi natyror dhe mineralesh të çmuara, që janë shumë të lakmuara nga perandoritë.
Protestat e tregtarëve u pritën pozitivisht nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili deklaroi se këto protesta ishin të drejta dhe të justifikuara. Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, paraqiti një zgjidhje të menjëhershme, duke propozuar dhënien e ndihmës financiare direkte (të ngjashme me ndihmat sociale). Pas kësaj, protestat dukeshin se u qetësuan.
Megjithatë, papritur, më 7 janar 2026, ato shpërthyen sërish, duke ngritur një pyetje legjitime: kush dhe çfarë i nxiti ato?
Kjo pyetje nuk është e vështirë për t’u përgjigjur dhe nuk ka nevojë për naivitet apo për ndërtimin e narrativave të ndërlikuara. Në rrjetet sociale, Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu e pranuan hapur se qëndronin pas këtyre protestave. Madje, Izraeli pa asnjë hezitim shprehu mbështetje për të gjithë agjentët e Mossad-it që tashmë ndodheshin në Iran.
Kështu u krijuan narrativa në rrjetet sociale, sipas të cilave gratë iraniane pa shami gjoja ishin të shtypura nga ndalesat fetare; ose se populli iranian dëshironte “liri” dhe rikthimin e Reza Pahlavit, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për t’i udhëhequr; ose se ekonomia iraniane po keqmenaxhohej nga mullahët. Më pas u përhap edhe pretendimi se 12 mijë protestues ishin vrarë nga autoritetet iraniane.
Të gjitha këto u lehtësuan nga pretendimi se Irani po mbyllte dhe kufizonte internetin, çka bëri që Elon Musk, një mbështetës i fortë i sionizmit, të siguronte menjëherë Starlink për këta “protestues”. Për rrjedhojë, asnjë lajm që vinte nga Irani nuk konsiderohej i besueshëm, përveç narrativave të ndërtuara në rrjetet sociale nga ushtria kibernetike sioniste, të nxitura nga diaspora iraniane, e cila në shumicë është e magjepsur pas Perëndimit.
Pse dhe si dështuan sërish Mossad dhe CIA në Iran?
Së pari, arsyeja e shëndoshë e shumicës së popullit iranian e lidhi dhunën e ndodhur në Iran me Luftën 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit. Kjo luftë solli një humbje poshtëruese për fuqinë sioniste dhe Perëndimin. Për më tepër, u konstatua se “protestuesit” dogjën qindra xhami, vranë fëmijë, sulmuan transportin publik dhe dogjën ndërtesa qeveritare. Sado e madhe të jetë pakënaqësia e iranianëve ndaj mullahëve dhe qeverisë së tyre, djegia e xhamive është diçka që nuk mund të justifikohet me asnjë arsye logjike. Kështu, fytyra e vërtetë e Mossad-it dhe CIA-s u zbulua lehtësisht.
Së dyti, argumenti se gratë iraniane nuk janë të lira të mos mbajnë shami nuk ka më peshë. Gjatë vizitës sime të fundit në Iran, vendi ishte pothuajse si Malajzia, ku gratë me shami dhe pa shami janë thuajse në numër të barabartë dhe jetojnë normalisht në hapësirat publike. Pas incidentit Mahsa Amini (gruaja pa shami që vdiq në paraburgim), qeveria nuk ka ndërmarrë më masa të ashpra ndaj grave pa shami. Madje, gjatë Luftës 12-ditore, mes dëshmorëve kishte edhe gra pa shami, të cilave autoritetet fetare u dhanë status të shenjtë, të barabartë me ata që konsiderohen më fetarë. Ligjet morale për gratë pa shami janë zbutur ndjeshëm, përjashtuar një ose dy raste ku u morën masa për ekspozim ekstrem të trupit, i konsideruar provokim i qëllimshëm. Çdo video apo status në rrjetet sociale mbi këtë çështje bie vetvetiu, sidomos pasi u zbulua se disa video të grave pro-sioniste që gjoja sfidonin mullahët, në fakt ishin xhiruar në Kanada dhe vende të tjera perëndimore. Edhe këtu, Mossad dhe CIA u zbuluan lehtësisht.
Së treti, populli iranian nuk e pranon Reza Pahlavin si alternativë për të zëvendësuar Ajatollah Ali Khamenein. Lidhjet e Pahlavit me Benjamin Netanyahun janë të njohura gjerësisht në Iran, një vend thellësisht anti-sionist. Për më tepër, stili i jetesës së Pahlavit refuzohet nga shoqëria fetare iraniane. Ai jo vetëm që jeton në luks, por edhe në imoralitet. Skandalet që lidhen me bashkëshorten e tij dhe trajnerin e saj të palestrës janë bërë meme në rrjetet sociale. Gjatë Luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, Pahlavi mbështeti Izraelin, gjë që e bëri popullin iranian ta refuzojë edhe më fort kampin monarkist, i përbërë kryesisht nga diaspora. Përdorimi i figurës së Pahlavit si simbol kundër mullahëve është një marrëzi, pasi ai konsiderohet i përbuzur thellësisht në republikë. Edhe këtu, Mossad dhe CIA u demaskuan.
Së katërti, pretendimi se mullahët kanë dështuar në menaxhimin e ekonomisë bie vetvetiu. Narrativat e zhvilluara nga mediat perëndimore nuk pranohen nga askush që e njeh realitetin iranian. Populli iranian e di shumë mirë se situata ekonomike është pasojë e sanksioneve perëndimore. Prandaj, fajin e sheh te Perëndimi dhe jo te qeveria e vet. Për më tepër, Irani nuk është një vend ku njerëzit vuajnë nga uria ekstreme. Ai është një shtet i madh, i aftë të sigurojë ushqimin për popullsinë e vet. Ndërkohë që është nën presionin e Perëndimit, Irani ka arritur të zhvillojë industri të avancuara të armatimit dhe madje të mposhtë Izraelin dhe Perëndimin në Luftën 12-ditore. Edhe kjo e nxori zbuluar Mossad-in dhe CIA-n.
Së pesti, narrativa se autoritetet iraniane kanë vrarë 12 mijë protestues bie poshtë. Në shumë raste, viktimat ishin civilë të pafajshëm të kapur në mes të trazirave. Vrasja e infermierëve, anëtarëve të forcave të sigurisë dhe fëmijëve gjatë rebelimeve shkaktoi zemërim, por shpejt u kuptua se shumë nga aktet e dhunës u kryen nga “protestues” të armatosur me armë zjarri, bomba dhe mjete të mprehta. Kjo i bëri iranianët të pyesin se kush ishin realisht këta persona: protestues apo terroristë të infiltruar nga Mossad dhe CIA? Taktika e vrasjes së civilëve për të nxitur zemërimin e masave kundër forcave të sigurisë është tashmë e njohur në Iran. Ky nuk është një vend naiv; protestat janë të shpeshta dhe populli iranian është i njohur me historinë dhe di të dallojë protestat e vërteta nga mashtrimet. Ndërhyrja amerikane në Venezuelë e bëri këtë edhe më të qartë për iranianët, të cilët janë shumë të vetëdijshëm dhe të informuar për gjeopolitikën. Edhe këtu, Mossad dhe CIA u demaskuan.
Së gjashti, Irani është një vend me shumicë myslimane shiite dhe identiteti i kësaj shkolle mendimi është shumë i fortë. Historia e vrasjes së Imam Huseinit, nipit të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të), në Qerbelà, dhe tradhtia e shiitëve të Kufës, është thellësisht e rrënjosur në ndërgjegjen kolektive. Thirrja “ne nuk do të jemi shiitë e Kufës” është shumë e përhapur dhe e fuqishme, duke e bërë tradhtinë ndaj vendit të papranueshme. Për ata që nuk e njohin historinë dhe besimin e popullit iranian, këshilla ime është të studiojnë seriozisht këtë çështje para se të komentojnë për Iranin. Ky besim ka ndihmuar ndjeshëm në zbërthimin e planeve të Mossad-it dhe CIA-s.
Shumë liberalë që pretendojnë se mbështesin “kryengritjen e popullit iranian” nuk pranojnë dot faktin se, në demokracinë iraniane, shumica dëshiron që vendi të drejtohet nga kleri. Të gjithë faktorët e përmendur më sipër bashkohen për të shpjeguar pse Irani vazhdon të udhëhiqet nga mullahët – dhe pse Mossad dhe CIA vazhdojnë të dështojnë në përpjekjet për ta nënshtruar Iranin./gazetaimpakt/freemalaysiatoday


















