Samiti i “G20” dhe një botë në ndryshim

Nga Aleksandër KARPUSHIN*

Më 28-29 qershor, në Osaka, Japoni, u zhvillua Samiti i 14-të i vendeve të industrializuara të botës, i njohur ndryshe si “G20”. I mbajtur tradicionalisht në dy ditë jo të plota, samiti ishte i mbushur me takime të rëndësishme dypalëshe, diskutime në panele të ministrave sektorialë dhe një seancë plenare, në të cilën u miratua teksti përfundimtar i deklaratës. Pavarësisht faktit se vëmendja e gazetarëve ka qenë tradicionalisht e fokusuar te takimet bilaterale, një studim më i thellë i aspekteve të tjera të forumit na jep mundësinë ta shohim botën nga këndvështrime të ndryshme, të shqyrtojmë ndryshimet në konjukturën ekonomike dhe politike ndërkombëtare.

Vetë axhenda e “G20” kaloi në plan të dytë, në thelb e gjithë vëmendja u përqëndrua te takimet e udhëheqësve të Rusisë, SHBA-ve dhe Kinës. Mund të themi se kjo ngjarje është një tjetër dëshmi e lindjes së një bote shumëpolare. Samiti u bë një ilustrim i gjallë i faktit se rendi botëror po ndryshon. Rezultatet e tij, natyrisht, mund të konsiderohen si një arritje të diplomacisë ruse.

Ky samit, në krahasim me ato të mëparshme, shënoi një progres të padiskutueshëm në marrëdhëniet ruso-amerikane, për shkak të takimit të zhvilluar midis presidentëve Vladimir Putin dhe Donald Trump. Për gati pothuajse një orë e gjysmë u diskutua për një gamë të gjerë çështjesh të axhendës ndërkombëtare. Janë inkurajuese rezultatet e takimit, gjatë të cilit udhëheqësit udhëzuan departamentet përkatëse të të dy vendeve të nisin konsultimet për fatin e mëtejshëm të traktatit START-3. Ky i fundit, pas daljes së njëanshme të Shteteve të Bashkuara nga Traktati i INF, mbetet çështja e vetme, përsa i përket armatimit ofensiv, që duhet të zgjidhet në nivel global.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të samitit është promovimi i vizionit të grupimit të vendeve në zhvillim të BRICS. Ky forum, përveç Rusisë, përfshin Brazilin, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, të cilat janë pjesë e grupit “G-20”. Nuk është për t’u habitur, pasi vendet e BRICS përfaqësojnë pothuajse të gjitha kontinentet e botës, prodhojnë rreth 30% të produktit të brendshëm bruto botëror (sipas paritetit të fuqisë blerëse) dhe përbëjnë tregun më të madh në botë: 42% të banorëve të rruzullit tokësor dhe rreth 3 miliardë njerëz. Këtë herë, tashmë një traditë, përpara samitit të “G20” presidentët e pesë vendeve të BRICS u mblodhën për të koordinuar qëndrimet e tyre për çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare. Dhe jo më kot, pikërisht falë thirrjes së tyre në një zë të përbashkët, pjesëmarrësit e samitit ranë dakord në deklaratën përfundimtare për të vazhduar punën mbi reformën në OBT. Ata ranë dakord të mbrojnë parimet e tregtisë së hapur dhe të luftojnë kundër kërcënimit të kthimit të botës te protekcionizmi ekonomik.

Koordinimi i vendeve të BRICS mund dhe duhet të forcohet brenda grupit “G20”. Këto vende duhet të përpiqen të ushtrojnë ndikim kolektiv në qeverisjen globale. BRICS deklaron se epoka e vendimmarrjes së njëanshme, pa marrë parasysh interesat e shumicës së vendeve të tjera, po i kalon së shkuarës. Kjo është edhe një arsye më tepër për të forcuar ndërveprimin. Vlen të përmendet se qëndrimi i vendeve të BRICS është fiksuar në deklaratën e samitit të “G20”, gjë e cila, gjithashtu, mund të konsiderohet një fitore e përbashkët.

Një e veçantë tjetër e samitit të fundit të G20 ishte fakti se Rusia, së bashku me vendet e tjera në zhvillim, mbështetën shumë më tepër çështjen e tregut të lirë dhe tregtisë së lire, sesa Shtetet e Bashkuara dhe një numër i vendeve perëndimore, të cilët gjithnjë e më shumë po fshihen pas protekcionizmit dhe konkurencës së pandershme.

Samitet e fundit tregojnë qartë rolet dhe konfigurimet në ndryshim të vendeve udhëheqëse. Vendet e BRICS dhe BE janë seriozisht të shqetësuar për luftën tregtare të nisur nga Shtetet e Bashkuara me Kinën dhe më pas me vendet e tjera, e cila vetëm këtë vit mund t’i kushtojë ekonomisë globale 450 miliardë dollarë. Por, është vërtet inkurajuese që palët kanë rënë dakord të ndërpresin konfrontimin dhe të fillojnë të kërkojnë mënyra për të rregulluar marrëdhëniet tregtare. Mund të shpresojmë që ndërkohë lufta tregtare është ndërprerë.

Megjithëse, një luftë tjetër sanksionesh ende vazhdon, ajo midis BE-së dhe Rusisë, e nisur nga Brukseli 5 vjet më parë. Dëmi nga kjo luftë, gjithashtu, numëron dhjetëra miliarda dollarë. Nuk qëndroi mënjanë as Shqipëria, e cila iu bashkua sanksioneve duke ulur ndjeshëm mundësitë e saj për zhvillimin e marrëdhënieve të shëndosha tregtare me Rusinë dhe, përkatësisht, rritjen e mirëqënies së fermerëve shqiptarë.  Më duket se ky vendim është marrë nën presion, por nisur edhe nga principi i solidaritetit euroatlantik. Është e qartë se shqiptarët nuk morën në këmbim ndonjë bonus shtesë nga Brukseli, veçse premtimeve boshe të radhës.

Gjithnjë e më i dukshëm po bëhet konfrontimi i SHBA-ve me vendet e tjera të botës në çështjen e luftës kundër ndryshimit të klimës dhe ndotjes së mjedisit rrethues duke pasur parasysh shpeshtimin e kataklizmave natyrorë. Është e rëndësishme që vendet ranë dakord për ndërprerjen e plotë, deri në vitin 2050, të hedhjes së mbetjeve plastike në oqeanin botëror. Megjithatë, në samit SHBA-të konfirmuan vendimin e tyre për të dalë nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, gjë që del në kundërshtim me vizionin e vendeve të tjera.

Marrëveshjet e arritura në samitin e Osakës dhe takimet bilaterale të shumta të zhvilluara gjatë tij pasqyrojnë gjerësisht situatën aktuale në botë, e cila po ndryshon me shpejtësi. Dhe perceptimi i drejtë i proceseve ndërkombëtare varet nga aftësia për të analizuar aktivitete të tilla.

*Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqiperisë

/Argumentum

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne