TË “VËRTETAT” E PROFESORIT HAKIF BAJRAMI PËR TURQIT E KOSOVËS

Nga Salim Kadri Kerimi, Shkup

Vitet e fundit, gjatë kërkimeve që i realizova, në lidhje me shpërnguljen e turqve nga Maqedonia në Turqi, pas Luftës së dytë botrore, mes tjerash, kisha rastin ti lexoj/ ndëgjoj edhe disa shkrime/ deklarata të profesorit të nderuarë nga Kosova – Akademik, prof. d-r Hakif Bajrami. Pas leximit dhe analizës të disa shkrimeve dhe dekalaratave të tij erdha në përfundim se vlerësimet dhe opinionet e tij rreth disa çështjeve, me studimin e të cilave merem edhe unë, janë gjysmë të vërteta ose të pavërteta. Për ti arijtur disa qëllime të tij të dyshimta, z. H.Bajrami në disa raste nuk ka nguruar të bëjë edhe manipulime, të vetëdijeshme ose të pa vetëdijeshme, të të dhënave statistikore dhe gjendjeve faktike, ose ta shtrembërojë/ keqinterpretojë bile përmbajtjen e dokumentave të ndryshme. Për ti mbështetur vërejtjet e mia me fakte konkrete, kësaj radhe në vazhdim po i transmetoj një pjesë të deklaratave të ij që i bëri në programin televiziv “Kojshia Show” – debatet e tij me Hoxhën Fatmir Latifaj, gjegjësisht me politikologun  Nexhmedin Spahiu, në se nuk gaboj, të emituara në Prill, gjegjësisht në Nëntor të vitit 2023, dhe komentet e mia rreth tyre.

  1. “… E kemi vitin 1947 kur fillon femrave shqiptare në Kosovë me u hjek ferexhja… Meqense ferexhen e kishte hjek Kemal Ataturku këtu filluan me e hjek ferexhen për hatër të turqve me pregadit teren. Së dyti e krijuan kombësinë turke pa qenë kurë”; dhe,
  2. Duke e sqaruarë përmbajtjen e letrës sekrete dhe shumë të përfolur të Enver Hoxhës, që në 2 Shtator 1949 ja kishte dërguarë Josip Visarjonoviç Stalinit, z.H.Bajrami, mes tjerash i tha edhe këto disa fjalë:

“… Enver Hoxha i thotë Stalinit se Tito dhe Jugosllavija, Rankoviqi, Gjillasi e kompania po pregaditen në viset shqiptare me ia hjek grave shqiptare ferexhen se me u adaptue sikur që është e ndaluarë ferexheja në Turqi edhe me e krijue kombin turk. Prej 1914 turq në Kosovë në 1948, në 1953 me kët politikë të tyre bëhen 54.000 turq… Ka erdhën ata, pi Marsi erdhën? Janë krijuar me stupc, me intriga, me punë të ulta, të pista...”.

            Në përgjige të vlerësimeve të mësipërme, me këtë rast përmbledhtas dua ti them këto disa fjalë:

  1. Në tekstin e letrës të lartpërmendur të Enver Hoxhës që unë pata rastin ta lexoj në Portalin “Albspirit” (“1949, letra sekrete e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit për Kosovën”), që ruahet na arkivat ruse (RGASPI, F.17, Op.137, D. 68, L.74-80), Enver Hoxha kërkund nuk ka bërë fjalë/ nuk ja ka qarë hallin “mikut të tij të madh” – Josip V. Stalin rreth pregaditjeve në Jugosllavi për hekjen e ferexhes të grave shqiptare në Kosovë, me qëllim, siç deklaroj z. H.Bajrami, “të krijimit të kombit turk në Kosovë”;
  2. Konkludimi i z. H.Bajrami se fushata për heqjen e ferexhes të grave shqiptare në Kosovë u zhvilluaka gjoja me qëllim të krijimit të kombit turk në Kosovë”, paraqet “non sens”, një marëzi e kulluarë (“par ex•cel•lence”), mes tjerash, për vet faktin, se:

– fushata për hekjen e zarit dhe ferexhesë të grave/ vajzave muslimane, e cila filloj (nga fundi i viteve 40 të shekullit të XX) dhe zhvillohej në të gjitha krahinat e Jugosllavisë ku jetonte popullatë muslimane, pra jo vetëm të grave shqiptare, dhe jo vetëm në Kosovë, nuk u ndërmor për krijimin e kombit turk në Kosovë” por, para së gjithash, për emancipimin e vajzave/ grave muslimane në përgjithsi;

– pakica/ kombësia turke në Jugosllavi dhe posaçërisht në Kosovë, nuk ka qenë inegzistente dhe e krijuarë  “… me stupc, me intriga, me punë të ulta, të pista…”, siç pohon z. H.Bajrami, por ai ka egzistuarë dhe vazhdon të egzistojë me shekuj;

– njohja zyrtare e egzistencës të pakicës/ kombësisë etnike turke në Kosovë, në fillim të viteve 50 të shekullit të XX, ishte korigjim i një padrejtsie ndaj komunitetit turk në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore, dhe jo ndonjëfarë akti i pushtetarëve të atëhershëm jugosllav, gjoja për ta zvogëluar numrin e vërtetë të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni siç, për fat të keq, pretendojnë z. H.Bajrami dhe gadi të gjithë historijanët e tjerë shqiptar;

– Në vend se në mënyrë të pahijeshme/ joshkencore ta problematizojnë dhe mohojnë egzistencën e vëllezërve të tyre turq, për shumë arsye, shqiptarët e Kosovës dhe konkretisht historijanët, përfshirë edhe z. H.Bajrami, pjesëtarëve të komunitetit turk në Kosovë duhet ti dalin zot dhe ti respektojnë ata si bashkqytetarë të tyre dhe jo të tentojnë ta mohojnë egzistencën dhe ti nëpërkëmbin të drejtat e tyre;

  1. Nuk e kam idenë, vallë vlerësimin e lartpërmendur për turqit e Kosovës z. H.Bajrami e bën nga mosdija elementare rreth çështjes në fjalë, ose e bën me vetëdije, për qëllime të dyshimta. Jo një profesor – doktor shkence, e lëre më një akademik, por një nxënës i shkollës së meseme (me sukses mesatar) e ka më se të qartë se elementi turk në Ballkan dhe më gjerë në Evropë, ka qenë i pranishëm, së paku duke filluarë nga gjysma e dytë e shekullit të IV dhe vazhdon të jetë i pranishëm (pa ndërpreje) gjer në ditët e sotme. Në se profesori i nderuarë për shkak të moshës ka aruarë, me këtë rast, dua ta rikujtoj për prezencën të kohë paskohëshme, në trojet Ballkanike dhe në krahinat e ndryshme të Evropës në përgjithsi, të fiseve mongole – tataro – turke – hunët, avarët, kumanët, bullgarët, peçenekët, tyrkmenët, vardariotët, e tj. Pra, njashtu siç përhapja dhe prania e islamit në hapsirat e sipërpërmendura ka filluarë para depërtimit të turqve osmanlinjë në Ballkan, ashtu edhe prania e elementit turk ka qenë prezent para ardhjes të tyre në këtë pjesë të Evropës. Këtë fakt e vërtetojnë shumë historijanë/ studijues nga Turqia dhe bota (Çavuşoğlu, bilig–Bahar/2007, 41:123-154; Gürün 1981: 248-256; Feher 1985: 70; Hoffman 1977: 464; Kafesoğlu 1992: 116-119; Ostrogorsky 1981: 66, 310-317, 349, 374, 424; Memişoğlu 1991: 12-13; Sanders 1989: 92, e tj.), përfshirë edhe d-r Jovan Hadži – Vasiljević (“Муслимани наше крви у Јужној Србији“, Београд 1924, 3.), sipas të cilit, “Historikisht në vendet tona turqit njiheshin në fillimet e jetës sonë shtetërore. Turq në viset jugore të trojeve tona ka që nga shekulli i IX. Turqit Vardariotë njihen që në shekullin e XI”. Të thuahet se turqit në Kosovë nuk kanë qenë të pranishëm kurrë, siç pandërprerje deklaron z.H.Bajrami, është një lloj sikur të thuash se në Kosovë kurrë nuk ka patur as serbë, mendoj unë.
  2. Të dhënat statistikore, rreth numrit të turqve në Kosovë që në emisionin e lartpërmendur televiziv i paraqiti z. H.Bajrami janë jo të sakta/ jo të vërteta. Gjykuar sipas të dhënave statistikore për demografinë e Kosovës që janë të publikuara në Wikipedi, në anglisht (Wikipedia – Demographics of Kosovo), numri i turqve në Kosovë sipas Regjistrimit të popullsisë në vitin 1948 ka qenë 1.315 frymë (0.2% nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të KA të Kosovës dhe Metohisë), kurse sipas Regjistrimit të vitit 1953 – 34.583 frymë (4.3%), dhe jo 1.419, gjegjësisht 54.000 frymë, siç deklaroi z.H.Bajrami;
  3. Para se ta parashtronte pyetjen: “Ka erdhën ata, pi Marsi erdhën?, sipas mendimit tim, më e drejtë do të ishte në se z. H.Bajrami e parashtronte pyetjen: Pse numri i turqve në vitin kritik/ problematik 1948 në Kosovë qenka zvogëluarë në 1.315 frymë?!. Në se z. H.Bajrami ka haruarë me këtë rast dua ta rikujtoj se numri i turqve në Kosovë, bile sipas të dhënave statistikore të Regjistrimit të parë zyrtar në Mbretërinë e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve të vitit 1921, ka qenë rreth 19.000 frymë. Atëhere, në se numri i shqiptarëve të Kosovës në Regjistrimin e vitit 1948 (në periudhën para prishjes të marëdhënjeve “vllazërore” mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë), në krahasim me numrin e tyre sipas Regjistrimit të viti 1921, qenka ritur disa herë, pse z. H.Bajrami nuk e sheh të arsyeshme ta vendosë gishtin në kokë dhe të pyesë, pse numri i turqve të Kosovës nga rreth 19.000 frymë në vitin 1921, 27 vjet më vonë, pra në 1948, qenka zvogëluar në 1.315 frymë? Në vend se të veprojë siç i ka hije një shkencëtari të mirëfilltë ai, me qëllim që ta arsyetojë tezën e tij të dyshimtë, i referohet numrit jo objektiv të turqve në Kosovë sipas Regjistrimit të vitot 1948, dhe pa pikën e turpit e parashtron pyetjen: “Ka erdhën ata, pi Marsi erdhën?
  4. Në se gjykojmë sipas qasjes amatoreske të profesorit në fjalë do të ishte më e drejtë të parashtrohet pyetja, vallë turqit apo ai vetë (pra z.H.Bajrami) na paska rënë/ ardhur nga Marsi, dhe nuk i ka të njohura/ të qarta, së paku të dhënat statistikore nga Regjistrimi i vitit 1921, 1931, sipas të cilave, p.sh., numri i Kosovarëve me përkatsi etnike turke në Qarkun e Zveçanit, në vitin 1921, paska qenë 5.180 frymë, në Qarkun e Metohisë 1.430 frymë, në Qarkun e Prizrenit 10.681 frymë, në Rrethin e Podgorës 307 frymë, dhe kështu me radhë (Këto dhe të dhënat e tjera nga Regjistirmi i vitit 1921 mund të lexohen/ verifikohen në librin: “Definitivni Rezultati – Popis Stanovništva, od 31 Januara 1921”, Sarajevo 1932).

Pa hyrë në polemikë me të nderuarin z.H.Bajrami rreh vlerësimeve të tij jo të drejta edhe rreth çështje të tjera, fare në fund, shkrimin tim dua ta përfundoj edhe me një vërejtje, për gabimin të palejushëm që z. Hakif Bajrami e bëri në një nga emisionet televizive të lartpërmendura, me çrast heroin legjendar të Kosovës, tashti më të ndjerin Adem Jashari, e shpalli/ e pagëzoj për Pejgamber (Profet)!? Për hir të moshës që ka ai, kësaj radhe do të mjaftohem vetëm me shpresën se profesori Hakif Bajrami do të pendohet për gabimin e bërë dhe inshallah do të korigjohet në momentin e parë të duhur, duke kërkuarë ndjesë nga Allahu i plotfuqishëm. Gabime të kësaj natyre nuk i kanë hije asnjë besimtari dhe posaçërisht një 80 vjeçari me tituj më të lrtë shkencor/ akademik, siç është i nderuari profesor Hakif Bajrami, mendoj unë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne