Opinion

Teatri Kombëtar nuk ishte çështje parash, por çështje kullash

Nga Ergys Mërtiri

Bashkia njoftoi sot se është tërhequr nga projekti Fusha, për shembjen e Teatrit Kombëtar në këmbim të lejes për ndërtimin e 6 kullave në truallin e tij.

Bashkia thotë se do ta ndërtojë vetë Teatrin e Ri, me paratë e shtetit.

Tashmë është e qartë. Qeveria po kërkon të gjejë një mënyrë për të dalë me sa më pak turp nga kjo histori. Ajo bën sikur nuk ka gjetur dot një dakordësim me kompaninë FUSHA, kur në fakt ka dy vjet që thotë se gjithçka ka përfunduar.

Nga ana tjetër, pasi kanë shurdhuar opinionin per dy vjet rresht duke thënë se teatri mund të ndërtohet vetëm në partneritet me privatin, sepse shteti nuk ka para, tani del se shteti paska para!

Në fakt, të gjithë e dimë se kjo nuk ka qenë dhe nuk është çështje parash. Gjithçka ka qenë vetëm çështje kullash, të cilat ne ia rrëzuam tashmë kësaj qeverie në fytyrë. Gjithçka që ajo po bën sot, është të minimizojë kostot e turpit. E pra, një qeveri kaq e telendisur sa kjo, nuk ka sesi të mos bëhej kaq qesharake.

E vërteta është se projekti u anulua vetëm e vetëm në saj të rezistencës sonë dhe kjo është një fitore e madhe, pavarësisht se akoma e pa plotësuar. Qeveria e di tashmë që nuk ka asnjë shanc ta shembë Teatrin dhe se e mbajtja ndezur e një proteste të tillë i krijon kosto, tashmë edhe në rrafsh ndërkombëtar, me Europa Nostra-n.

Gjithsesi, protesta do vazhdojë, deri sa qeveria te ulë kokën përfundimisht dhe të pranojë rikonstruktimin e Teatrit. Lajmi i sotëm ishte vetëm fillimi, që sidoqoftë, na dha dëshminë se rezistenca është mjeti për ti arritur qëllimet.

Protesta jonë është një shembull që tregon sesi edhe një grusht njerëzish mund të zmbrapsin një pushtet kaq të fuqishëm sa ky, vetëm në saj të këmbënguljes dhe sakrificës. Në fakt, ky pushtet është i dobët përballë nesh. Ne jemi të fortë, sepse jemi ne të drejtën dhe dimë të sakrifikojmë për të, ndërsa Rama është i dobët, pikërisht sepse është i përlyer.

Por, duhet thënë se ata që nuk u përfshinë në këtë proteste dhe deri dje bënin cinikun e fatalistin duke thënë se reagimi ynë nuk ia vlente, pasi Rama e kish ndarë mendjen për ta prishur Teatrin, sot duhet të kërkojnë falje.

Ata duhet të kuptojnë tashmë, mbi të gjitha, se zullumqarë si Rama qëndrojnë në pushtet, jo pse janë të fortë e të fuqishëm, por sepse kanë një popull si ata, apatik e fataliste./tpz

OPINIONE