Bota

Trump ndjek politikën e karotës dhe çekiçit tregtar

Donald Trump, president i Amerikës, në pjesëmarrjen e tij të parë në takimin e bashkëpunimeve Azi-Oqeani Paqësor APEC i cili mbahet në Vietnam deklaroi se nuk do të lejojë që ndokush të mashtrojë Amerikën.

Me një ton kërcënues, presidenti amerikan deklaroi se Amerika nuk mund të përballojë dot më tregti dhe biznes të padrejtë dhe keqpërdorimet nga tregtia e vjetër duhet të marrin fund. Presidenti Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të toleronin më abuzime kronike tregtare, në një fjalim sfidues në Samitin e bashkëpunimit ekonomik Azi-Paqësor. Ai shtoi se do të vendoste gjithnjë interesat amerikane të parat dhe vendet e “APEC”-ut duhet t’u binden rregullave të ndershme reciproke tregtare. Në një kontrast të dukshëm, presidenti Xi Jinping i Kinës tha se globalizimi ishte i pakthyeshëm dhe shprehu mbështetje për multilateralizmin. Trump ndodhet aktualisht në një turne në 5 vende aziatike, me Kinën një prej ndalesave të tij. “APEC” mbledh bashkë 21 ekonomi nga rajoni i Paqësorit, ekuivalente e 60 për qind të GDP-së së botës. Që nga marrja e detyrës, presidenti Trump ka ndjekur axhendën e tij “Amerika e para” dhe ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja rajonale e partnershipit trans paqësor, një marrëveshje e madhe tregtare mes 12 vendeve të “APEC”-ut, duke argumentuar se dëmton interesat ekonomike amerikane.

Në Vietnam, Presidenti Trump u pozicionua ndërkohë kundër Organizatës Botërore të Tregtisë, që përcakton rregullat e tregtisë globale dhe tha se ajo nuk mund të funksionojë siç duhet, nëse të gjithë anëtarët nuk respektojnë rregullat. Ai u ankua për mungesën e balancave tregtare, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kanë ulur barrierat tregtare dhe kanë hequr tarifat, ndërsa vendet e tjera nuk kanë bërë të njëjtën gjë. “Praktika të tilla dëmtojnë shumë njerëz në vendin tim dhe tregtia e lirë na ka kushtuar me miliona vende pune”, tha ai. Por Trump nuk fajësoi për këtë vendet e “APEC”-ut, por akuzoi administratat e mëhershme amerikane, sepse nuk kanë vepruar më parë për të penguar trendin. Ai tha se Amerika do të bëjë marrëveshje dypalëshe me çdo partner që u bindet rregullave të ndershme të tregtisë, por vetëm mbi bazën e respektit dhe përfitimit të ndërsjellë. Më herët ekzistonte shpresa se ndryshimi i sjelljes së Donald Trump në procesin e globalizimit do të zgjidhte problemet ekonomike dhe tregtare të Amerikës. Dekadat e kaluara, kur Amerika me një distancë tepër të lartë ishte fuqia e vetme ekonomike në botë, ishte që përcaktonte normat ekonomike dhe të tjerët duheshin tu bindeshin këtyre normave. Mirëpo tani pozita e këtij vendi nuk është në atë gjendje që të përcaktojë rrjedhën ekonomike të botës. Për këtë arsye presidenti amerikan, me një gjuhë kërcënuese ka kërkuar nga faktorët e tjerë që të respektojnë normat dhe dispozitat tregtare në arenën ndërkombëtare me qëllim që të plotësojë interesat ekonomike të vendit të tij duke përdorur politikën e karotës dhe të çekiçit në ekonomi./ PT

OPINIONE