Xhavad Zarif: Nuk ka rinegocim të marrëveshjes bërthamore, ju nuk e blini dy herë një kalë

Ministri i jashtëm i Iranit tha se Teherani nuk do të rinegociojë marrëveshjen bërthamore të arritur në vitin 2015 me fuqitë botërore, duke hedhur poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të re me SHBA që përfshin programin e raketave të Iranit.

“Ju nuk blini dy herë një kalë,” tha të mërkurën Muhamed Xhavad Zarif në një intervistë ekskluzive me Bloomberg TV në Nju Jork, kur u pyet për mundësinë e bisedimeve të reja me SHBA për një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse që përfshin energjinë bërthamore të Iranit dhe programet e raketave. Në asnjë rrethanë, Irani nuk mund të heqë dorë nga raketat e veta, duke pasur parasysh armiqtë e tij në rajon, vuri në dukje Zarif, duke hedhur poshtë pretendimet se Irani mund të angazhohet në bisedimet me SHBA-në mbi programin e tij raketor nëse Uashingtoni heq sanksionet  kundër Teheranit. Zarif iu referua pretendimit të SHBA-së që Iranit të mos i lejohet të pasurojë uraniumin në asnjë nivel për shqetësimet se mund të zhvillojë armë bërthamore dhe tha se bazuar në një dekret fetar nga Lideri Suprem i Revolucionit Islamik,  Irani nuk do të ndërtojë armë të tilla, pavarësisht faktit se ai ka aftësinë teknike për t’i prodhuar ato “shumë shpejt”. “Nëse do të donim të ndërtojmë armë bërthamore, ne mund t’i kishim ndërtuar shumë kohë më parë,” vuri në dukje ai. Ndërsa shprehu skepticizëm për rinegociimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Zarif la të kuptohet se tensioni midis Iranit dhe SHBA mund të lehtësohet, por barra bie mbi Presidentin e SHBA Donald Trump. Duke folur për tensionet në Gjirin Persik, Zarif tha se Irani është i aftë të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, një nyje vitale për transportin e energjisë në botë, por nuk dëshiron ta bëjë atë. “Sigurisht që kemi aftësinë për ta bërë këtë, por sigurisht që nuk duam ta bëjmë, sepse ngushtica e Hormuzit dhe Gjiri Persik janë linjat tona jetësore”, tha ai. “Ky rajon duhet të jetë i sigurt. Ne luajmë një rol të madh në sigurimin e tij, por ai duhet të jetë i sigurt për të gjithë”, vuri në dukje Zarif./pt

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne