Zbulohen përfituesit e mëdhenj të fondit të garancisë sovrane

Nga Aleksandra Bogdani

Në kulmin e krizës së koronavirusit më 10 prill, kryeministri Edi Rama iu rikthye retorikës së majtë për t’u dërguar një mesazh publik biznesmenëve të mëdhenj të Shqipërisë –një grup i vogël njerëzish që ai i quajti ‘pasanikë’ dhe që kritikët e tij u referohen rëndom si ‘oligarkë’.

Kryeministri i konsideroi absurde kërkesat e tyre për t’u përfshirë në paketat e ndihmës qeveritare, ndërsa u kërkoi të bënin sakrificë për mbajtjen në punë të punonjësve të tyre.

“Miq, kjo është luftë! Këtu nuk jemi në situatën që të suleni në arkën e shtetit dhe të garantoheni se do të merrni edhe fitimin e munguar. Ju do të humbni nga lufta, kjo nuk diskutohet, por humbja juaj është e fundit fare që ne llogarisim..,” tha Rama në një lidhje direkte me emisionin “Open” më 11 prill.

“Shitini jahtet që keni dhe paguani dritat, shiteni vilën e tretë ose të katërt dhe paguani dritat,” shtoi ai, ndërsa përqeshi njërën prej kërkesave për faljen e energjisë elektrike.

Rreth 4 muaj pas fillimit të pandemisë së COVID-19, sakrifica e bizneseve të mëdha në Shqipëri është ende e paqartë. Por përtej retorikës, BIRN siguroi të dhëna që tregojnë se një grup i vogël biznesmenësh u bënë sërish përfituesit e mëdhenj të njërës prej skemave të subvencionit që qeveria aplikoi për të zbutur pasojat e krizës në ekonomi.

Në fillim të prillit, Këshilli i Ministrave miratoi instrumentin e garancisë sovrane me vlerë fillestare prej 11 miliardë lekësh, për t’u ofruar bizneseve në vështirësi kredi me interes zero për të përballuar pagat e punonjësve.

Në marrëveshje me bankat e nivelit të dytë, qeveria mori përsipër që të garantonte 100% kreditë e këtij instrumenti si dhe të subvenciononte plotësisht interesat e huave.

Një linjë e dytë e garancisë sovrane me vlerë 15 miliardë lekë u miratua më 13 maj, por qeveria mori përsipër të mbulonte vetëm 60% të pricipalit për kapital qarkullues dhe investime. Interesi i biznesit për programin e dytë të garancisë sovrane ishte i ulët.

Përmes një kërkese për të drejtë informimi, BIRN siguroi nga Ministria e Financave listën e kompanive që përfituan kredi nga programi i parë i garancisë sovrane, pas një ankese te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Të dhënat e siguruara tregojnë se deri më 29 maj ishin miratuar 236 kredi për biznesin e madh me një vlerë totale prej 3.9 miliardë lekësh. Nga kjo shumë, të gjitha bizneset tërhoqën së bashku rreth 1.5 miliardë lekë deri në fund të majit.

Kompanitë e përzgjedhura i përkasin thuajse të gjitha fashave të ekonomisë –nga industria fason tek media apo arsimi privat.

Megjithatë, gati gjysma e fondit të miratuar shkoi për llogari të 10 kompanive të mëdha –fituese njëherazi të koncesioneve, kryesisht në dy mandatet e qeverisë “Rama”.

Nga fondi prej 3.9 miliardë lekësh i miratuar nga bankat e nivelit të dytë deri më 29 maj, dhjetë kompanitë koncesionare përfituan linja kredie prej rreth 1.9 miliardë lekësh ose 48% të vlerës totale të miratuar.

Nevoja e tyre për likujditet të menjëhershëm rezulton megjithatë e ulët, pasi 10 kompanitë tërhoqën së bashku deri në fund të majit rreth 464 milionë lekë ose vetëm 24% të totalit.

Përfituesit e mëdhenj

Garancia shtetërore e huasë është një marrëveshje e lidhur me bankat, ku shteti është përgjegjës për detyrimet financiare të një huamarrësi, kur ai nuk arrin t’i paguajë ato në kohën dhe në masën e duhur.

Këshilli i Ministrave e përdori këtë instrument për t’u ardhur në ndihmë kompanive me aktivitet të prekur nga vendimet e saj për menaxhimin e pandemisë; duke garantuar dy linja kredie me një fond total prej 26 miliardë lekësh [rreth 210 milionë euro].

Nga instrumenti i garancisë sovrane u përjashtuan bizneset me kredi të këqija ose ato që kanë përfituar më parë pagesa nga qeveria për llogari të punonjësve të tyre. Sipas vendimeve të miratuara, kompanitë që nuk do t’i paguajnë kreditë e garantuara nga shteti rrezikojnë që të humbasin aksionet e tyre.

Sipas një raporti të Ministrisë së Financave, deri më 22 qershor u dorëzuan 751 aplikime dhe u miratuan 521 prej tyre me vlerë totale prej 6.3 miliardë lekësh nga programi i parë i garancisë sovrane.

Megjithatë, lista që Ministria e Financave i dërgoi BIRN përmban 236 kredi të miratuara me një vlerë totale prej 3.9 miliardë lekësh –ku thuajse gjysma e fondit iu vu në dispozicion vetëm 10 kompanive të mëdha.

Përfituesi më i madh nga programi i garancisë sovrane në kushtet e krizës shëndetësore rezulton të jetë Spitali Amerikan –konglomerati më i madh i shërbimeve spitalore private në Shqipëri.

Fituese e koncesionit të hemodializës në mandatin e parë të qeverisjes së Ramës, Spitali Amerikan ka arritur të sigurojë dy linja kredie me rreth 543.7 milionë lekë gjithsej, nga të cilat janë disbursuar deri më 29 maj rreth 79.4 milionë lekë.

Vendin e dytë e zë Albchrome, kompania më e madhe në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në Shqipëri në pronësinë e biznesmenit Samir Mane. Albchrome zotëron një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare që prej vitit 2001 –fillimisht në pronësi të kompanisë Darfo S.p.a dhe prej vitit 2013 në pronësinë e grupit Balfin.

Për kompaninë Albchrome janë miratuar dy linja kredie me vlerë totale prej 410 milionë lekësh, nga të cilat janë tërhequr 62.2 milionë lekë. Albchrome nuk është kompania e vetme e Z.Mane që ka përfituar kredi të subvencionuar nga buxheti i shtetit gjatë krizës së COVID-19.

Pjesë e programit të garancisë sovrane janë bërë edhe kompanitë Neptun, Fashion Group Albania dhe Kid Zone –të treja në pronësinë e grupit Balfin –duke e renditur Z. Mane si përfituesin e dytë më të madh nga skema e garancisë sovrane me 482.5 milionë lekë të miratuara dhe 83.4 milionë lekë të disbursuara gjithsej.

Koncesionari i nxjerrjes së naftës, Bankers Petroleum renditet në vendin e tretë me 398 milionë lekë të miratuara dhe 95.8 milionë lekë të disbursuara.

Pas saj renditet një tjetër biznesmen në fushën e naftës –Shefqet Kastrati –i cili është njëherazi edhe fitues i tre koncesioneve gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Kastrati ka përfituar rreth 267.5 milionë lekë kredi me interes zero përmes kompanive “Kastrati” sh.p.k, “Kastrati Group” sh.a, “Auto Star Albania” dhe “Continental Group”. Deri në fund të majit, në llogaritë e kompanive të Kastratit janë disbursuar rreth 130 milionë lekë në total.

Fituesi i koncesionit të rrugës së Arbrit, “Gjoka Konstruksion” në pronësinë e biznesmenit Rrok Gjoka është gjithashtu ndër përfituesit e mëdhenj nga instrumenti i garancisë sovrane. Kredia e miratuar për këtë kompani kap vlerën e 183.4 milionë lekëve, ndërsa deri në fund të majit janë disbursuar 61.2 milionë lekë.

Mes përfituesve nga skema e garancisë sovrane shquhen edhe tre kompanitë kontroverse të inceneratorëve të financuara nga taksapaguesit – ndonëse është e paqartë se e ka ndikuar kriza e COVID-19 aktivitetin e tyre.

Vlera e tre kredive të miratuara për llogari të Integrated Energy BV SPV, Albtek Energy dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier është 66.9 milionë lekë, nga të cilat janë disbursuar 18.6 milionë lekë deri më 29 maj.

Kompania e ndërtimit “Gjikuria” –fituese e koncesionit të rrugës Orikum-Dukat ka përfituar tre linja kredie të subvencionuar me një vlerë totale prej 45.7 milionë lekësh. Shuma e disbursuar në llogaritë e kompanisë është 24.2 milionë lekë.

Subvencionet për median

Në Shqipëri, një numër i madh mediash konkurrojnë në një treg të vogël audience dhe reklamash. Ashtu si bizneset e tjera, edhe industria e medias u trondit nga izolimi i shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ku ndikimin kryesor e pati tkurrja e reklamave.

Mediat financohen edhe nga bizneset e tjera të pronarëve të tyre, ndërkohë interesat ekonomike dhe politike të pronarëve fajësohen për anësitë e forta në raportime dhe vetëcensurën e lartë.

Kompanitë mediatike kanë zënë një peshë të konsiderueshme në skemën e garancisë sovrane, ndonëse numri i aplikimeve të miratuara ka qenë i kufizuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm shtatë kompani mediatike janë kualifikuar për të përfituar kredi me interes zero në një vlerë të miratuar prej 144.5 milionë lekësh. Nga këto, kompanitë mediatike tërhoqën deri në fund të majit rreth 68.8 milionë lekë për pagat e punonjësve të tyre.

Vendin e parë në listë e mban televizioni TV Klan i Aleksandër Frangajt me 85.9 milionë lekë kredi të miratuar dhe 28.6 milionë lekë të disbursuara.

Kompania MTSC në pronësinë e Karlo Bolinos, që operon televizionin informativ Report TV përfitoi kredi me vlerë 20.3 milionë lekë –vlerë e disbursuar plotësisht deri më 29 maj 2020.

Edhe botuesi Ifran Hysenbelliu përfitoi një shumë të përafërt prej 20.5 milionë lekësh përmes tre kompanive të tij mediatike; Panorama Group, Focus Media News dhe Focus Press.

Kompania “Panorama Group”, botuese e të përditshmeve “Panorama” dhe “Panorama Sport” përfitoi kredi me vlerë 13.7 milionë lekë, nga të cilat disbursoi 8.9 milionë lekë deri në fund të majit.

Focus Media News, kompania që zotëron televizionin informativ News 24 përfitoi 5.8 milionë lekë kredi dhe i tërhoqi të gjitha ato, ndërsa kompania Focus Press me pronësi mbi të përditshmen “Gazeta Shqiptare” përfitoi dhe disbursoi rreth 943 mijë lekë.

Në total, kompanitë e Z.Hysenbelliu përfituan kredi me vlerë 55.7 milionë lekë dhe disbursuan 37 milionë prej tyre. Përveç kompanive mediatike, ai aplikoi në fondin e garancisë sovrane edhe me Universitetin Luarasi, Birrën Korça dhe kompaninë e ndërtimit, Erjoni sh.p.k.

Kompania TIBO shpk, partneri i rrjetit numerik Digitalb për transmetimet IPTV në të gjithë botën përfitoi gjithashtu dy linja kredie me 16.2 milionë lekë gjithsej. Nga këto, kompania tërhoqi deri në fund të majit vetëm 2.5 milionë lekë.

Pjesë e instrumentit të garancisë sovrane është bërë edhe televizioni argëtues, B.B.F. Ai ka marrë një kredi prej 1.5 milionë lekësh, vlerë të cilën e ka tërhequr të plotë.

Fasonët dhe ndërtimi

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të përditësuara deri më 29 maj, nga instrumenti i garancisë së parë sovrane përfituan 117 kompani gjithsej, nga të cilat 18 prej tyre morën në dispozicion dy ose tre linja kredie.

Industria fason rezulton numerikisht më e interesuara për këtë instrument të ndihmës qeveritare, me 44 kompani të përzgjedhura dhe rreth 642 milionë lekë të vendosura në dispozicion të tyre nga bankat.

Gjithashtu, kjo industri duket se ka pasur nevojën më të ngutshme për likujditet, duke tërhequr rreth 445 milionë lekë ose gati 70% të fondit të miratuar deri në fund të majit.

Biznesi i ndërtimit renditet i dyti me 31 kompani përfituese dhe një fond të miratuar prej 419.4 milionë lekësh, ku pjesën e “luanit” në gati 43% të totalit e zë kompania Gjoka Konstruksion.

Nga shuma e miratuar nga bankat e nivelit të dytë, kompanitë e ndërtimit kanë tërhequr së bashku rreth 162 milionë lekë deri në fund të majit ose 38% të totalit.

Sektori i edukimit privat është bërë gjithashtu pjesë e instrumentit të garancisë sovrane gjatë krizës së shkaktuar nga COVID-19. Gjashtë kompani që drejtonte universitete ose shkolla jo-publike janë miratuar për të përfituar kredi me interes zero në vlerën e 163.2 milionë lekëve.

Disbursimi i këtyre fondeve ka qenë megjithatë i ulët edhe nga ky sektor. Të gjashtë kompanitë në fushën e edukimit kanë tërhequr së bashku gati 54 milionë lekë ose 30% të fondit të miratuar nga bankat.

Edhe pse i goditur rëndë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19, sektori i hotelerisë dhe turizmit duket më pak i interesuari për t’u bërë pjesë e kësaj skeme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, vetëm 5 kompani që operojnë në këtë fushë janë bërë pjesë e skemës së kredive me një vlerë të miratuar minimale prej 18.4 milionë lekësh gjithsej.

Vlera e disbursuar deri në fund të majit për bizneset në sektorin e turizmit është 10.5 milionë lekë. / BIRN – Reporter.al/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne