Zbulohen prapaskenat/ Si vendosi Meta anulimin e zgjedhjeve

Presidenti Meta vendosi dje të anulonte dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Pak çaste përpara se të niste zyrtarisht protesta e opozitës, nëpërmjet një komunikate për mediat, institucioni i Presidencës njoftoi se Meta ka vendosur të anulojë dekretin që caktonte 30 qershorin datën për zhvillimin e zgjedhjeve. Ky vendim i Presidentit nuk mund të quhet një rrufe në qiell të hapur.

Gazeta “Panorama” në numrin e datës 8 qershor paralajmëroi një vendimmarrje të tillë të Metës. Këtë gjë kreu i shtetit e bëri më të qartë në intervistën që kishte dhënë për “Deutsche Welle” ku theksoi se do të ndërmerrte të gjitha hapat e nevojshme që do të parandalonin destabilitetin e vendit. Kësisoj, paralajmërimet e herëpashershme të opozitës për moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor kanë rënë në veshin Presidentit, i cili ndërmori edhe hapin konkret për anulimin e kësaj date.

Për këtë vendim, duket se kanë ndikuar edhe takimet private që Meta ka zhvilluar me kryetarin e PD-së, Basha, në Presidencë. Burimet bëjnë me dije se Basha përgjatë muajit të fundit ka zhvilluar disa takime kokë më kokë me Metën në Presidencë dhe të gjitha kanë qenë të “fshehta” për publikun. Por si përkthehet ky vendim i Presidentit? Kreu i shtetit në vendimin e tij thekson se argumentet ligjore do t’i publikojë ditën e hënë.

Por vendimi i tij shpreh vetëm anulimin e 30 qershorit dhe jo vendosjen e një date tjetër. Sipas praktikës, kreu i shtetit thërret në takime krerët e grupeve parlamentare të partive politike dhe pas konsultimit me ta cakton një datë të re. Por sa peshë mund të ketë kjo praktikë në një kohë kur socialistët nuk janë dakord me këtë vendim? Pritet që java e ardhshme të nisë e ethshme për politikën shqiptare, pasi ky vendim i bërë nga Presidenti Meta duket se nuk është pritur mirë nga maxhoranca.

VENDIMI

Kreu i shtetit e cilësoi 30 qershorin si një ditë në të cilën nuk mund të zhvillohen zgjedhjet vendore. Sipas tij, mungesa e forcave opozitare në zgjedhje do të sillnin pasoja për Shqipërinë në vendimin që do të ndërmarrë Komisioni Europian për hapjen ne negociatave.

“Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mosreflektimit të asnjërës palë; Duke pasur parasysh domosdoshmërinë e shtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend; Duke marrë përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si kreu i shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar; Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve njëpartiake. Në këtë mënyrë, minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-së për vitin 2020; Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes europiane të Shqipërisë; Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve”, theksohet në komunikatë./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne