/Intervistuan: Bislim Lakna dhe Klodi Leka/

Çfarë është GASP dhe kur është themeluar?  

Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës (GASP) asht grup anarko-sindikalist që synon organizimin e klasës punëtore nëpër sindikata radikale antikapitaliste që kanë me shërby jo vetëm për mbrojtjen e interesit të punëtorëve/eve n’vend t’punës, por edhe si organizata revolucionare politike me qëllim përfundimtar të përvetësimit të kapitalit.

Vetë GASP-i nuk asht sindikatë edhe pse n’raste konflikti ndërmjet punëdhënësit me njërin prej anëtarëve të GASP, ne mobilizohem si t’tillë. Më saktë ish kanë GASP m’u cilësu si grup lokal sindikalist, që në traditën anarko-sindikaliste shkon përtej organizimit sektorial dhe funksion si urë lidhëse ndërmjet punëtorëve t’sektorëve t’ndryshëm dhe komunitetit. Pra mundohemi me e lidhë luftën ekonomike me luftë politike më t’gjanë.

Jemi krijua para dy viteve si një grupi i vogël punëtorësh/esh pa punë stabile (prekariat), t’papunë, si dhe studentë/e. Në kohën kur përditshmëria asht e zaptume prej politikës shtetërore, hapësina për veprimtari politike asht e kufizume ndërmjet opsioneve si krijimi i OQJ-ve apo votimi për kriminelët neoliberalë ose nacionalistët social-demokratë. Prej kësaj, si dhe pafuqisë për t’u mbrojtë prej pushtetarëve, e kena pa nevojën për me e kriju një platformë t’tillë si GASP.

 

Cilat janë aktivitetet e deritashme të GASP-it?

Grupe t’ngjashme në vende të tjera zakonisht krijohen në rrethana ku veçse ekziston një lëvizje punëtore dhe/apo antikapitaliste/anarkiste. Kështu ata ose i japin lëvizjes punëtore karakter anarkist, ose i japin lëvizjes anarkiste/antikapitaliste edhe trajtën sindikale. Na n’Kosovë nuk kemi asnjanjën prej këtyne, prandaj përqendrohemi në krijimin e të dyjave.

Aktivitetet tona janë t’lloj-llojshme, por kryesisht merremi me ndihmë, këshillim, organizim në vend t’punës, aksione simbolike dhe t’drejtpërdrejta, krijim dhe përkthim literature etj. Veç me i përmend disa: përpjekjet e përbashkëta me punëtoret e pastrimit t’konvikteve si dhe ato t’Fakultetit Filozofik, me punëtorët e elektro-disribucionit KEDS, aksioni i drejtpërdrejtë kundër NIKE, aksioni solidarizues dhe simbolik prej kullës t’katedrales, organizimi i protestës për 1 Maj dhe marrja pjesë në organizimin e protestave “Pronto”, 8 Marsi, IDAHOT, iniciativa për bibliotekë anarkiste (përkthim t’librave dhe eseve) etj. Varësisht prej aksioneve, kryesisht përdorim emrin e GASP-it apo Bllokut Anti-autoritar/Anti-kapitalist

 

A njihni grupime te tjera antisistemore apo antikapitaliste dhe a keni bashkëpunim me to?

Ballkani asht goxha i varfun sa i përket grupeve antiautoritare, me përjashtim t’Greqisë natyrisht. Grupet janë t’vogla, me shumë probleme, gjë që ndikon në mundësi për bashkëpunim. Por po, njohim mjaft grupe e individë si n’Ballkan, ashtu edhe më gjanë. Kena kontakte t’shpeshta edhe bashkëpunim relativisht t’mirë me individë edhe grupe prej Greqisë, Serbisë, Gjermanisë dhe Suedisë, si edhe me konfederatat anarkiste edhe anarko-sindikaliste.

N’Kosovë prej grupeve antikapitaliste aktive sot ekziston vetëm grupi i leximit marksist Platypus me t’cilët e këna hapë qendrën sociale “Sabota”.

 

Mbi cilët autorë dhe cilat parime themelore mbështeteni për artikulimin tuaj teorik?

Sindikalizmi më së shumit është formu prej vetë përvojës t’fituar gjatë luftës t’përditshme kundër sistemit kapitalist, prandaj i reflekton këto përvoja si dhe vazhdimisht evoluon. Na po ashtu tentojmë mos me qenë t’ngurtë si n’aspektin praktik, ashtu edhe teorik (shpesh e përdorim fjalën “mos mu bo si sekt”). Padyshim që n’formësimin tonë teorik kanë ndiku teori të ndryshme marksiste, neomarksiste, antikolonialiste, feministe etj. Mirëpo si GASP, baza jonë qëndron mbi themelet e traditës anarkiste t’Bakuninit, Kropotkinit, Malatestës, Goldmanit, Rokerit, vetëm me i përmend disa. Disa prej nesh personalisht kanë afinitet edhe me idetë e Stirnerit, Bukçinit, Magonit etj. Por n’thelb, ne i jehojmë parimet anarkiste t’lirisë dhe barazisë.

Ne mendojmë që forma dhe përmbajtja duhet me e refleku realitetin që dëshirojmë me e kriju. Rrjedhimisht, grupi ynë funksionon me parime t’horizontalitetit, antiautoritarizmit, kolektivizmit dhe individualizmit (që përbrenda teorisë anarkiste nuk janë dy gjana kundërthënëse) dhe ndihmesës së ndërsjellët. Nëse forma është e duhun, por jo përmbajtja, at’herë rrezikojmë t’kemi organizatë horizontale që njëlloj shtypin dhe diskriminojnë t’tjerët brenda dhe jashtë grupit; nëse përmbajtja është e duhun, por jo forma, rrezikojmë t’kemi organizatë hierarkike që përdor idetë revolucionare për t’u imponu si pushtet.

Mirëpo, problemi kryesor që hasim është si ta përkthejmë anarko-sindikalizmin në realitetin tonë. Metodat menaxheriale neoliberale që kanë shpërnda fizikisht vendet e punës, llojet dominuese t’punës dhe ndërmarrjeve, papunësia dhe varfëria e lartë, dominimi i politikave identitare si dhe realiteti neokolonialist n’vend kërkojnë një qasje shumë më origjinale sesa rikrijimi i sindikalizmit klasik t’gjysës t’parë t’shekullit XX.

 

A synoni formimin e sindikatave paralele dhe cilët sektorë i shihni si më të përshtatshmit për organizim punëtorësh?

Padyshim që qëllimi ynë kryesor është organizimi i punëtorëve në vende t’punës si dhe ndërlidhja e tyre me grupe t’tjera t’punëtorëve në rrafshin horizontal, si lloj konfederate sindikale revolucionare. Mirëpo, na nuk qëndrojmë për krijimin e strukturave hierarkike përbrenda organizimit t’punëtorëve, se, ashtu qysh e ka tregu përvoja, struktura t’tilla kanë prirje me kriju funksionarë t’paguar burokratikë përbrenda sindikatës, grupe interesi dhe udhëheqësi t’ndame prej anëtarësisë, gja që asht shkatërruese për krijimin e frymës kolektive dhe solidaritetit.

N’anglisht ekzistojnë dy terme t’ndryshme, Labor Unionism and Syndicalism. E para ka t’bajë me organizata punëtorësh që luftojnë për përmirësim ekonomik t’punëtorëve në kuadër t’sistemit kapitalist, ndërsa e dyta me organizimin e punëtorëve/eve në luftë kundër shefit dhe shtetit, me qëllim t’marrjes  t’prodhimit në duart e veta. Në Kosovë ekzistojnë t’parat, ndërsa ne synojmë k’ta t’dytën.

Sa i përket sektorëve ma t’përshtatshëm për organizim, është vështirë me dhanë një përgjigje definitive. Çdo sektor i ka teket e veta. Deri tash, më së shumti kemi pas sukses me gra punëtore t’sektorit t’shërbimeve higjienike. Mirëpo potencialin më t’madh (ku edhe dalkadale jemi tu i fokusu forcat) janë punëtorët prekariat si dhe punëtorët e sektori t’shërbimeve. Ma s’shumti problem e shohim organizimin e studentëve/eve, por ajo asht muhabet në vete.

Duke iu referuar të kaluarës së disa rrymave anarkiste, të cilat si mjete për realizimin e qëllimeve të tyre nuk kursenin as veprimet më radikale, siç ishin aktet terroriste, mund të na thoni cilat janë metodat dhe mjetet me të cilat doni t’i arrini qëllimet tuaja?

Strategjia e përgjithshme revolucionare përfiton prej taktikave t’ndryshme, përdorimi i t’cilave varet shumë prej rrethanave. Aksionin e drejtpërdrejtë (pra grevat, sabotazhet, punën e ngadaltë etj.- çfarëdo aksioni që ia pamundëson fitimin e zakonshëm shefave) e shohim si më t’përshtatshme për rrethanat në Kosovë. Natyrisht se nuk rijmë tanë ditën t’u komplotu shkatërrimin e makinave t’fabrikës dhe organizimin e grevave; energjia më e madhe shpenzohet n’ndihmë në organizim e që nënkupton edhe aksione simbolike (t’cilat kurrë nuk janë apel ndaj pushtetarëve, por janë thirrje popullit dhe punëtorëve për revoltë).

Ne vetëm në dy raste kemi pasë aksione t’drejtëprderjta: kemi ndihmu n’organizimin e dy grevave, kemi sabotu reklamën e NIKE-ut në qendër t’Prishtinës (diku rreth një mijë euro dëm), si edhe reklamën e bankës Procreditit brenda Fakultetit Filozofik. Por përderisa asht grup i vogël, edhe aksionet janë më t’kufizume.

 

Çfarë është sabota si koncept dhe “Sabota” si qendër sociale?

Na si GASP, po njëjtë edhe Platypus Prishtina, gjithmonë kena pasë mungesë të hapsinës ku munëm m’i zhvillu aktivitetet tona: takime t’grupit, takime me punëtorë, punëtori ose edhe për përgatitje të ndonjë aksioni. Pengesë për krijimin e një hapsine t’tillë sigurisht ka qenë ana financiare, e sa i përket zaptimit/okupimit të ndonjë hapsine (squat) ktu te na është goxha e vështirë pasi shumë individë, mafia dhe shteti s’ngurrojnë me qenë agresivë n’asi raste. Mirëpo t’u e pa ni nevojë t’përbashkët, GASP dhe Platypus kanë vendosë me e marrë këtë hapsinë që tash funksionon n’bazë t’ktyne dy grupeve, natyrisht, n’mënyrë krejtësisht vullnetare.

E kena pa si shumë t’nevojshme krijimin e një hapsine autonome që funksionon si vendtakim i individëve t’spektrit më t’gjanë të t’majtës dhe antiautoritarëve; edhe si bazë prej ku kanë mu shpërnda aktivitetet e shumta politike e shoqërore. Për ma shumë, është hapsinë ku njerëzit mujnë m’u ndi t’lirë prej çfarëdo paragjykimi e diskriminimi.

Si qendër e vetorganizume, ajo vetëfinancohët prej shitjes t’pijeve dhe prej kontributeve vullnetare t’njerëzve që vijnë në “Sabotë”. Megjithatë nuk pranojmë donacione e as nuk i mirëpresim ata që i shfrytëzojnë t’tjerët, ata që i mbrojnë këta t’fundit si dhe ata që funksionojnë si dorë e zgjatun e tyne. Andaj pronarët, milionerët, shefat, djathtistët, fashistët, policët e ushtarët, krejt ata që pasurohen në krah t’tjerëve dhe ata që i mbrojnë këta, nuk janë t’mirëseardhun. Po për ma qart e pastër, “Sabota” është qendër për takime, punë, diskutime dhe organizim.

71